Jesusi na jep një urdhër të ri: duani njëri-tjetrin!

May 18 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E diela V e Pashkëve (C)

 

Leximi i parë   Vap 14, 21-27

Në fund të udhëtimit të parë misionar Pali shqetësohet para së gjithash që bashkësitë e reja, të cilat ai ka themeluar, t’i bëjë të forta përballë persekutimeve. Dhe cakton në çdo bashkësi përgjegjës që garantojnë bashkimin dhe besnikërinë ndaj Ungjillit. Bashkësitë e krishtera janë krejtësisht të hapura, jetojnë në marrëdhënie me apostullin, i cili i vendos në kontakt ndërmjet tyre.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, Pali dhe Barnaba pasi e kumtuan Lajmin e gëzueshëm në atë qytet, dhe, pasi bënë një numër të bukur nxënësish, kthyen në Listër, në Ikon e në Antikoki. I përforconin zemrat e nxënësve në qendresë të fesë, sepse – i thoshin – na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit. Pasi luteshin e agjëronin, secilës kishe i emëronin udhëheqësin dhe ia porositnin Zotit, në të cilin kishin besuar.  Atëherë kaluan nëpër Pisidi e erdhën në Pamfili. Pasi e predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali. Aty hypën në barkë e udhëtuan për Antioki, prej kah patën qenë dërguar të porositur hirit të Hyjit për veprën që kryen. Fjala e Zotit.

 

Psalmi   145

 

Ref: Do ta bekoj emrin tënd përgjithmonë, o Zot

——————————————–

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

——————————————-

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

——————————————-

Për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde

dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme,

pushteti yt prej breznie në brezni.

——————————————-

 

Leximi i dytë    Zb 21, 1-5

Zbulesa na shfaq një njerëzim të shndërruar në ditën e dasmës së tij përfundimtare me Krijuesin. Atë ditë dashuria, tashmë e shfaqur, do të fshijë çdo rrudhë dhe çdo hidhërim nga fytyra e njeriut. Bota do të shkëlqejë me të njëjtin shkëlqim të Hyjit, toka dhe deti do t’ia lënë vendin Tokës së premtuar.  Hyji do të jetë përgjithmonë me ne.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

Unë Gjoni pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë – Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni: “Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta Hyji i tyre.” Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As vdekja më s’do të ketë, as vaj, as ofshame, as dhimbja më s’do të ketë, sepse bota e mëparshme mori fund. Atëherë Ai që rri mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet!” Dhe shtoi: “Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!” Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 13, 31-35

Jezusi është lavdëruar dhe merr pjesë në jetën e Atit. Hyji tani nuk jeton më vetëm në botën hyjnore, por jeton edhe në zemër të njeriut. Për një hebre, të jetë i lavdëruar, do të thotë t’i japë vlerë ekzistencës së tij, duke zbuluar aftësitë e tij reale. Pra, çmimi për të cilin ia vlen të jetohet jeta është dashuria: dashuria që Jezusi u ka dhuruar njerëzve, dashuria që ne duhet t’i japim njëri – tjetrit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Pasi Juda doli përjashta, Jezusi tha: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të! Nëse Hyji u lavdërua në të, edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!. Fëmijëzit e mi! Edhe pak kohë jam me ju! Do të më kërkoni, por, sikurse u thashë judenjve, tani po ju them edhe juve: ku unë po shkoj, ju nuk mund të vini. Po ju jap një urdhër të ri: Doni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duani edhe ju njëri-tjetrin! Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Përballë tradhtisë më të tmerrshme të jetës së tij Jezusi reagon me dashuri. Dalja e Judës nga çenakulli është fillimi i mundimeve, por edhe i lavdisë që Biri e Ati shkëmbejnë në mënyrë të anasjelltë. “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të!”.

Kjo është ora e lavdisë, që tregon marrëdhënien e dashurisë mes Atit dhe Birit, është edhe dashuria e Atit dhe e Birit për secilin prej nesh. Ne duhet të kërkojmë rrugën për të hyrë në të njëjtën lavdi; dhe është Jezusi që na e tregon: “duajeni edhe ju njëri-tjetrin ashtu si unë ju desha ju”. Nëse pranojmë angazhimin për të dashur të afërmin tonë për dashuri të Jezusit, ashtu si vetë ai ka bërë, do të gjendemi shumë shpejt duke jetuar jetën e amshuar mbi tokë. Ky është një urdhërim “i ri”, sepse pohon që njeriu mund të kthe-het dhe të dojë, për faktin se dashuria e Hyjit (“ashtu si unë ju desha”) e ka bërë “të ri”, të aftë për bamirësi, për dashuri.

“Duhet” të duam sepse Ai na ka dashur dhe sepse dashuria është shenja e identitetit të krishterëve, gjuha universale e aftë për të fituar të tjerët. I krishteri është një që është dashur nga Jezusi e nga Ati në Shpirtin Shenjt, shkëmben dashurinë hyjnore e jeton dashurinë e vëllezërve: është ky realiteti më i vërtetë i Kishës, dinamizmi i thellë që i jep jetë të krishterëve.

Me këtë përvojë është e lidhur dhurata e paqes e tejkalimi i çdo frike. Shumë të krishterë kalojnë tërë jetën pa e vënë re kurrë pasurinë e pafundme të fshehur brenda tyre.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, të bindur se urdhërimi i ri mund të vihet në jetë vetëm nëse hapim zemrën tonë ndaj dashurisë së Hyjit, burim i çdo dhurate, ia drejtojmë atij lutjen tonë për Kishën dhe njerëzimin. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na mëso të duam.

L. Shenjtëroje Kishën tënde, o Zot, dhe bëje të shndritshme me lavdinë e Krishtit: le të jetë në botë shenjë e dukshme e bashkimit të dashurisë mes Teje dhe kishës së Birit tënd. Të lutemi.

L. Ngjall në zemrën e çdo njeriu ndjenja vëllazërimi e bashkëndarje, që të dëgjojnë britmën e ndihmës së atij që vuan në varfëri dhe në dhimbje. Të lutemi.

L. Mbështeti me forcën e Shpirtit ata që vuajnë për shkak të Jezusit: që në vuajtje dhe në prova të qëndrojnë gjithmonë të patundur në besim. Të lutemi.

L. Mështeti ata që vuajnë thellësisht për shkak të plagëve të ndarjes, që të dimë të pranojmë vuajtjen e tyre dhe t’i mbështesim me ndihmën tonë konkrete. Të lutemi.

L. Na dhuro ne të krishterëve të bashkuar në këtë bashkësi famullitare një zemër të hapur e bujare, për të vënë në jetë drejtësinë mes vëllezërve me dashurinë që Krishti na ka mësuar. Të lutemi.

M. O Atë, që na mbush me dashurinë tënde dhe në Krishtin na dorëzon çdo ditë urdhërimin e ri për të dashur njëri-tjetrin ashtu si ai na ka dashur, na mëso të ndërtojmë në jetën e përditshme vëllazërimin ungjillor. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »