Mariatona e Radio Marisë së Kosovës 2019

May 18 • Kisha në Kosovë

Të dashur vëllezër dhe motra,

miq dhe dashamirë, dëgjues, bashkëpunëtorë, bamirës të Radio Marisë së Kosovës,

Është hera e shtatë që Familja Botërore e Radio Marisë organizon Mariatonën – vrapimin me Marinë, për ta përcjellë Lajmin e Gëzueshëm – Ungjillin e Jezu Krishtit në mbarë botën e sotme, sidomos atje ku mbretëron e keqja, urrejtja, terri, mëkati, vdekja.

Motoja e Mariatonës së sivjetme është: Jezu Krishti është Zot.

Si mund ta bëjmë ne sot këtë? Si bëri dikur Virgjëra Mari që “u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën” (Lk  1, 39 – 40).

Virgjëra Mari nuk ishte vetëm, me duar dhe zemër të zbraztë, por me Krishtin e ngjizur për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ashtu duhet edhe ne: së bashku me Krishtin me frymëzimin dhe udhëheqjen e Shpirtit Shenjt gjithmonë të jetojmë dhe veprojmë!

Përgjigjja e Elizabetës ishte: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd”. (Lk 1, 42). Edhe ne na bekojnë dhe falënderojnë dëgjuesit tanë, por edhe ata në viset e ndryshme të botës.

Radio Maria e Kosovës, së bashku me Familjen Botërore të radio Marisë, duam ta bartim porosinë, praninë e Krishtit në çdo shtëpi,njeri me zemër dhe derë të hapur.

Prandaj, na ndihmoni që ne t’iu ndihmojmë juve, nëpërmjet dëgjimit, uratës, bashkëpunimit, financimit, që edhe ne të jemi në lëvizje me nxitim kah ju, për të qenë ata që e dëgjojmë Marinë, e cila na thotë neve çdo ditë: Beni çka t’iu thotë Biri im, Jezusi Zot!

Me Zojën Mari të lutemi dhe të themi çdo ditë: “Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë siç më the ti” (Lk 1, 38), që konkretisht domethënë: le të vijnë  dhe le të rrinë tek ne dhe me ne gjithmonë Jezusi, Virgjëra Mari me praninë dhe dashurinë e tyre.

Prandaj, na dëgjo, lutu, bashkëpuno dhe ndihmo Radio Marinë e Kosovës! Zoti të shpërbleftë me shëndet dhe hire! Paçi hire dhe bekime!

 

I juaji: Don Lush GJERGJI

Shpërndaje

Comments are closed.

« »