Fjalët e qëndrueshme të Jezusit në rrethana të ndyshueshme

May 20 • Meditimi i ditës

20 maj 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 14, 5-18; Ps 113B; Gjn 14, 21-26)

 

Prania e Hyjit
Ndalem një moment

dhe mendoj për dashurinë dhe hirin që Zoti e ndikon mbi mua,
se si më krijon në imazhin dhe përngjasimin e vet, se si më bën tempull të tijin…

Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

nga zhurma që i ndërpret raportet e lidhura, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso sesi të të njoh në të tjerët.
Ma mbush zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate
që ma ke shprehur nëpërmjet njerëzve tjerë.

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

________________________________________

Gjn 14, 21-26


Jezusi u tha nxënësve të vet:

21 Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban,
ai më do;
dhe atë që më do mua,
do ta dojë edhe Ati im,
edhe unë do ta dua
dhe do t’i dëftohem.”
22 I tha Juda, jo ai Iskarioti:
“Zotëri, [e] ç’ndodhi që do të na dëftohesh neve
e jo botës?”
23 Jezusi iu përgjigj:
“Nëse ndokush më do,
ai do të ma mbajë fjalën,
Ati im do ta dojë,
tek ai do të vijmë
dhe tek ai do të banojmë.
24 Kush nuk më do,
nuk i mban fjalët e mia.
E fjala që po dëgjoni, nuk është imja,
por është e Atij, që më dërgoi, e Atit.
25 Këto fjalë jua thashë
ndërsa banova me ju.
26 E Shpirti Shenjt Mbrojtës,
të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim,
Ai do t’jua mësojë të gjitha
dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.
________________________________________

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

  • Shpirti Shenjt, aleati dhe shpirti i Jezusit, qëndron me mua gjatë gjithë jetës sime. Duke i mbajtur fjalët e Jezusit në mendjen time më ndihmon t`i kuptoj ato më thellë gjatë kohës që i zbatoj ato në rrethanat që vazhdimisht ndryshojnë, dhe me të cilat ballafaqohem.
    • Ja se si bashkëpunon me mua, o Zot. Shpirti Shenjt nuk më pëshpërit në vesh gjëra të reja, por ma kujton veten tënde, jetën dhe fjalët e tua, o Zot, në mënyrë që gradualisht të vishem me Krishtin.
    • Ne mësojmë atë që tashmë e dimë.
    E lexoj, e dëgjoj fjalën edhe njëherë. Lejojë të jehojë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi
A jam duke i vërejtur reagimet e mia kur lutem me Fjalën e Zotit? A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo gjë që më largon?Ndërsa e paramendoj Jezusin sesi është ulur apo qëndron pranë meje, me besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Ati ynë …
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »