Imzot Lucjan Avgustini në përvjetorin e tretë të kalimit në amshim

May 23 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Violeta Marashi

 

Data 22 maj 2016 na kujton ditën e kalimit në amshim të ish ipeshkvit të Dioqezës së Sapës, Imzot Lucjan Avgustinit. Dhe sot, mbas tre vitesh, kjo dioqezë ka përkujtuar bariun e saj në këtë përvjetor të tretë të ndarjes nga jeta tokësore, dhe lindjes në jetën qiellore.

Pikërisht me këtë rast, shumë meshtarë, motra, besimtarë, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të imzot Lucjanit u bashkuan në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau – Dejës, duke bashkëndarë lutjet për shpirtin e tij në meshën e kremtuar me këtë rast.

Të pranishëm ishin edhe ipeshkvinjtë: bariu i grigjës së Sapës, pasardhësi i tij, Imzot Simon Kulli, Arqipeshkvinjtë nga Mali i Zi, Imzot Zef Gashi dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj, si dhe miku, vëllai dhe shoku  i jetës së tij, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili udhëhoqi Meshën e Shenjtë.

Në fillim ipeshkvi i vendit, falenderoi të gjithë të pranishmit për praninë e tyre në përkujtimin e ipeshkvit të paharruar, Imzot Lucjanit. Më pas ftoi ipeshkvin e Kosovës që t’i printe kremtimit të meshës së Shenjtë.

Gjatë homelisë së tij, Imzot Dodë Gjergji kujtoi figurën e lartë të Imzot Lucjan Avgustinit, jetën dhe veprën e tij. Ai ishte njeri i përvujtë, i zellshëm, i përshpirtshëm, i dhimbshëm, i dashur, i lezetshëm në shoqërim me njerëzit; i urtë në drejtimin e çështjeve të ndryshmeve. Shkëlqente në dashuri për kishën dhe për kombin. Dinte të dhuronte gjithmonë buzëqeshje edhe kur ishte i trishtuar. Duke përfunduar, Imzot Doda tha që ne jemi të gëzuar që e patëm një njeri të tillë në mesin tonë dhe në mesin e Kishës. Tashmë na mbetet që të lutemi për të dhe ai lutet e ndërmjetëson për të gjithë ne.

Pas bekimit përfundimtar të meshës, Imzot Dodë Gjergji i rrethuar nga kleri i pranishëm dhe familjarët kaluan në kriptën e Katedrales, në të cilën prehet trupi i ipeshkvit të paharruar, dhe bëri bekimin dhe lutjet pranë varrit.

Kujtojmë se Imzot Lucjan Avgustini tashmë gëzon në amshim, ndërsa ne jetojmë me kujtimin e tij, me veprën që la pas si në kishë ashtu edhe në shoqërinë shqiptare, ku dha një kontribut të çmueshëm në ringritjen e Kishës Katolike në Shqipëri dhe në mbrojtje të paqes mes njerëzve. Madje, nuk mund të mos i përmend dhe fjalët e tija nga predikimi i fundit mbajtur në Katedralen Shën Nënë Tereza, të Dielen e Pashkëve të vitit 2016, ku citoi: “Pajtohuni me Hyjin dhe me njëri-tjetrin”! I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!/drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »