JEZUSI: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën…”

E diela VI e Pashkëve – Viti C

 

 

Leximi i parë   Vap 15, 1-2.22-29

Koncili i Jerusalemit shënon një datë vendimtare në historinë e Kishës: deklarohet ndarja nga judaizmi dhe hapja ndaj botës pagane. Apostujt pohojnë: nëse paganët janë thirrur drejt shpëtimit është vullneti i Hyjit, për këtë askush nuk duhet të pengojë kthimin e paganëve drejt krishtërimit.  Nga ana tjetër Koncili u kërkon paganëve të kthyer të mos ofendojnë hebrenjtë që ndihen të lidhur nga disa tradita. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen. Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërvet të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje! Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejën tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë  të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit. Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   67

 

Ref: Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin

———————————-

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

———————————–

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

———————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

———————————–

 

 

Leximi i dytë   Zb 21, 10-14.22-23

Gjoni paraqet Kishën si Jeruzalemin e ri, që me përvujtëri dhe lodhje ecën përgjatë shekujve në pritje për të shkëlqyer në lavdinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit të ringjallur. Por, që tani, të krishterët janë thirrur për të vendosur themelet e qytetit të ardhshëm që shkëlqen nga drita e Hyjit.

 

Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull

Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.                         

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 14, 23-29

Pasi ka premtuar paqen e tij, Krishti u premton apostujve dërgimin e Shpirtit Shenjt. Shpirti i është dhuruar Kishës për të realizuar fjalën e Krishtit dhe për të dëshmuar Ungjillin. Në bindje ndaj dashurisë së Krishtit pas mundimeve të tij, Kisha është e mbështetur nga veprimi i Shpirtit dhe zbulon gëzimin e Zotit të ringjallur.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duaj, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Nuk flitet kaq shumë për dashuri dhe për paqe ashtu si kur mungojnë në mes nesh këto vlera.

“Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Kush e do Jezusin duke vënë në praktikë fjalët e tij, domethënë, dashurinë e anasjelltë, e bën të lumtur Jezusin e Atin. Ati e Biri vendosin me të një marrëdhënie kaq të thellë saqë dishepulli bëhet shtëpia ku Ata janë të lumtur të jetojnë, dhe Ata bëhen banesa ku ai hyjnizohet. Dishepujt do të gëzojnë shoqërinë e përhershme të Atit dhe të Birit, do të kënaqen me praninë aktive të Shpirtit Shenjt “Ngu-shëlluesi” (꞊Mbrojtësi, Avokati). Ati do ta “dërgojë në emër” të Jezusit e do të veprojë në vazhdimësi me misionin e Jezusit.

“Ai do t’ju mësojë çdo gjë e do t’ju kujtojë gjithçka domethënë çdo gjë që ju thashë”. Nuk do të zbulojë të reja të tjera, sepse Jezusi ka thënë gjithçka. Por do të kujtojë çdo fjalë të Jezusit, duke na bërë ta kuptojmë, ta shijojmë dhe ta jetojmë.

“Po ju lë paqen, po ju jap paqen time“: ekziston një paqe e Jezusit e një paqe tjetër, e dhënë nga bota. Paqja e të Ringjallurit ka mundur botën e mëkatit e ka vendosur fuqinë e Hyjit mbi njeriun. Paqja mes njerëzve vendoset vetëm kur njerëzit janë në paqe me Hyjin. Vetëm një lidhje e thellë me Hyjin mund të na bëjë të zbatojmë urdhërimet e tij, para së gjithash dashuria për të afërmit. Dashuria dhe paqja janë pra, të pazgjidhshme; paqja është fryti i dashurisë.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Fjala e Zotit na kujton dashurinë e pafund të Hyjit për ne dhe angazhimin që kemi për të dashur njëri-tjetrin. T’i besojmë Jezusit që ndërhyn për ne e t’i drejtojmë Hyjit Atë lutjet tona.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Atë, burim jete e dashurie na dëgjo.

L. Që Kisha universale dhe lokale, të dëshmojë në botë dashurinë e Hyjit, me të njëjtin vrull që pati bashkësia e të krishterëve të parë. Të lutemi.

L. Që ata që mbajnë përgjegjësi civile të qeverisin në mënyrë të zgjuar e të punojnë për të mirën e të gjithëve. Të lutemi.

L. Që misionarët e njerëzit e shuguruar të jenë dëshmitarë të lajmit ungjilltar me jetën e tyre. Të lutemi.

L. Që të gjithë ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi të dimë të mos bëjmë dallime mes njerëzve, por ta duam njëri-tjetrin, ashtu si Hyji na deshi ne. Të lutemi.

M. O Atë, burimi i dashurisë, dëgjoi lutjet tona: përforco në ne dhuratën e ngushëllimit, që të zbatojmë urdhërimet e tua, të gatshëm t’i japin të drejtë shpresës që është në ne. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

 

Shpëndaje: