Bula e Papa Françeskut që shpall Kishën në Kosovë Dioqezë të re Prizren – Prishtinë

May 26 • Kisha në Kosovë

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Dje, më 24 maj 2019, në festën e Zojës Ndihmëtare (lat.“Auxilium Christianorum”) në Katedralen e Prizrenit, pajtores së kësaj kishe, gjatë meshës së shenjtë të udhëhequr nga Nunci Apostolik në Slloveni dhe Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Jean-Marie Speich, në bashkëkremtim me Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Hil Kabashi, administrator i Jugut të Shqipërisë në pension, të gjithë meshtarëve të dioqezës, bashkësisë së krishterë dioqezane, është shpallur zyrtarisht Bula Papnore, e nënshkruar nga Papa Françesku më 5 shtator 2018, në Shën Pjetër, nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe Kardinali Marco Quellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvij, me të cilën Rrethin Kishtar në Kosovë, i njohur si Administratura Apostolike e Prizrenit, e ngritë në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, me emër DIOQEZA PRIZREN – PRISHTINË, dhe emëron ipeshkvin e saj të parë Shkëlqesinë e Tij IMZOT DODË GJERGJI.

Ky akt i Kishës Universale, në krye me Papa Françeskun, ndaj Kishës sonë në Kosovë, që ishte bërë me dije me anë të një shkrese të Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, më 5 shtator 2018, dhe lexuar në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, nga ish Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, është akti më i rëndësishmi në pesë shekujt e fundit për Kishën Katolike në Kosovë, prandaj edhe historik, i cili do të shënohet në analet e historisë së krishterimit ndër ne.

Delegati Apostolik për Kosovë, me rastin e shpalljes dhe leximit të Bulës, tha: “Ky nuk është një akt i thjeshtë formal – juridik, edhe pse i nevojshëm; nuk jam këtu për ta krye një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e bashkimi të domosdoshëm, që i lidhë të gjithë ata që i përkasin Popullit të Zotit. Bashkimi është një dhuratë e çmueshme që duhet ta ruajmë me kujdes, sepse pa të ne nuk jemi asgjë. Këtë Jezusi e ka kërkuar në uratën para se ta flijonte jetën e vet për shëlbimin tonë.

Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush, si dhe rritjen tuaj shpirtërore; tregon kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja.

Këtë gjest dashurie i Papa Françeskut dhe Selisë së Shenjtë ndaj Bashkësisë katolike në Kosovë, është pranuar me shumë gëzim e hare, duke falënderuar Zotin për fuqinë e fesë e të besnikërisë që i ka dhënë kësaj Kishe gjatë shekujve si shenjë e përkatësisë krishterore apostolike të të parëve tanë tash e njëzet shekuj, që nga Apostulli i Popujve Shën Pali deri e Shën Nënë Tereza e Martirët e Komunizmit, që e vulosën vazhdimësinë e Kishës Katolike në trojet tona.  

– – –

 

FRANÇESKU IPESHKËV, SHËRBETORI I SHËRBËTORËVE TË HYJIT,

NË KUJTIM TË PËRJETSHËM

Na është besuar Neve, nga vetë Zotëria i mbarë Kishës së përgjithshme, shërbimi i tërë i kujdesit për zhvillimin e shpejtë, që ato të mira shëlbuese  dhe mësime, të mbërrijnë pa vonesë dhe me sukses në çdo vend. Prandaj Ne kemi vendosur  të përshpejtojmë dhe rregullojmë këtë  çështje sa më parë dhe sa më lehtë. Për këtë arsye me të nderuarin Vëlla Dominik (Dodë) Gjergji, ish-ipeshkëv në Sapë, Administrator Apostolik në Prizren, i cili ka kërkuar që rrethi kishtar i tij të ngritët në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, i përkrahur nga Vëllai i nderuar Juliusz Janusz, argjipeshkëv titullar i Caprulanos dhe Delegat Apostolik i vendit, që quhet Kosova, nga këshilli i Sekretarisë së Shtetit dhe Kongregatës për Ipeshkvij, me Pushtetin tonë Apostolik kemi vendosur. Administratura Apostolike e Prizrenit të ngritët në dinjitetin e  dioqezës, që tash e tutje duhet të quhet Prizren – Prishtina, dhe të jetë menjëherë nën Selinë e Shenjtë, si e tillë duke ruajtur kufijtë  që janë caktuar dioqezave të Konferencave Ipeshkvore Ndërkombëtare Shën Çirili dhe Metodi, anëtare e së cilës është. Prandaj në qytetin e Prizrenit, gjendet kisha me emërtim të Shën Marisë Virgjër Ndihmës së Krishterëve, ngrihet në dinjitetin e Kishës Katedrale, njëkohësisht kisha e Prishtinës,  e shuguruar në Vitin e Zotit më parë, në nder të Shën Terezës së Kalkutës, kishë kon-katedrale, që të dyjave të dalluara, ju jepen privilegje dhe nderi i njëjtë. Gjërat tjera rregullohen me norma kanonike. Për më tepër Vëllain e Nderuar Dodë Gjergjin, me këtë komunikim kishtar e shpallim Ipeshkëv dhe Bari dhe lirohet nga kufizimet e mëparshme. Të gjitha këto ia besojmë që të përcjellën nëpërmjet Delegatit Apostolik në Kosovë, natyrisht me autoritet të ndonjë njeriu tjetër me dinjitet kishtar dhe të caktuar për delegim. Për të ardhur deri te zgjedhja përfundimtare, me dokumente të plotësuar, natyrisht le t’i dërgohen Kongregatës për Ipeshkvij. Kjo ka fuqi, pavarësisht rezistimeve më të vogla të ndokujt.

Romë, te Shën Pjetri, dita e pestë e muajit shtator 2018, të Pontifikatit tonë të gjashtë.                      

              Papa Françesku

Pietro Card. Parolin, Sekretari i Shtetit

                           Marco Card. Quellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvi

– – –

Bula (nga lat. bulla, – vulë, dokument zyrtar, dekret) është dokument apo dekret zyrtar publik i lëshuar nga Kuria Romake dhe i firmosur nga Papa, me anë të të cilave merren vendime të rëndësishme për Kishën. Gjuha e tyre në origjinal është e shkruar në gjuhën latine, sipas traditës së lashtë të Selisë së Shenjtë. Përkthimin e bulës në gjuhën shqipe e ka bërë Mons. Lush Gjergji./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »