Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush në Kosovë

May 26 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

Nga Mons. Jean-Marie Speich, Delegati Apostolik për Kosovë

 

I dashuri vëlla Ipeshkëv,

Të dashur meshtarë dhe të kushtuar,

Autoritete politike dhe fetare të pranishme,

Vëllezër dhe motra në Krishtin!

 

Nga zemra ju përshëndes të gjithë dhe bashkëndaj gëzimin tim që jam këtu si Delegat Apostolik, i dërguar nga Shenjtëria e Tij Papa Françesku, si shprehje e kujdesit të tij për këtë bashkësi të krishterë. Jam i kënaqur që po e filloj shërbimin tim në Kosovë në festën e Zojës Ndihmëtare. Asaj e cila më shumë se të gjithë, është ishte e gatshme që të jetë vegël e Hirit; Maria ishte një kanal i veçantë dhe unik nëpërmjet të cilës dashuria e Zotit është bërë konkrete, është mishëruar në mesin e njerëzve. Është dëshira ime që ta shërbej Kishën e Kosovës me gatishmëri të njëjtë, duke i forcuar lidhjet me Bariun e saj, Ipeshkvin Tuaj. Kërkoj qysh tash ndërmjetësinë e Virgjërës Mari, ndihmës së të krishterëve, pajtores së kësaj Katedrale, për mua dhe për ju, që ta përkrahë punën tonë të përbashkët në vreshtin e Zotit, që të na ndihmojë në ndërtimin e urave, të cilat na udhëheqin deri te limani, që t’i kërkojë Birit të saj atë përvujtëri dhe urti të nevojshme për kryerjen e misionit tonë me besnikëri dhe parimësi ungjillore.

Rasti i veçantë për praninë time këtu me ju sot është edhe leximi i Bulës me të cilën Ati i Shenjtë ka themeluar këtë Dioqezë Prizren – Prishtinë dhe e ka emëruar Shkëlqesinë e Tij Imzot Dodë Gjergjin, Ipeshkvin e saj të parë.

Ky nuk është një akt i thjeshtë formal – juridik, edhe pse i nevojshëm; nuk jam këtu për ta krye një procedurë, por për të përkujtuar diçka më të rëndësishme. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e thellë mes kësaj Kishe vendore dhe Papës. Kjo Bulë na përkujton lidhjen e bashkimi të domosdoshëm, që i lidhë të gjithë ata që i përkasin Popullit të Zotit. Bashkimi është një dhuratë e çmueshme që duhet ta ruajmë me kujdes, sepse pa të ne nuk jemi asgjë. Këtë Jezusi e ka kërkuar në uratën para se ta flijonte jetën e vet për shëlbimin tonë.

Ky dokument tregon konkretisht që Papa Françesku ka në zemër të mirën e çdo njërit prej jush, si dhe rritjen tuaj shpirtërore; tregon kujdesin e Bariut të përgjithshëm, si dhe afërsinë e tij me gëzimet dhe vuajtjet tuaja. Në anën tjetër kjo Bulë nuk është një dhuratë falas, por ka në vete përgjegjësinë: na angazhon që të jemi ndërtuesit e bashkimit, me Papën dhe me njëri-tjetrin; na angazhon që të jemi të qartë në lidhjet tona, të shkathtë në jetësimin e Ungjillit dhe besnikë ndaj Jezusit, sidomos  në flakjen me vendosmëri çdo gjë që rrënon bashkimin dhe e bënë jetën tonë  si nxënës më pakbindëse: dyshimi, paragjykimi, mllefi, kritika e tjera. Jemi të ftuar që të lehtësojmë atë që na afron dhe bashkon me të tjerët, sepse bashkimi ushqehet me mirëkuptim dhe me falje, me mikpritje dhe mëshirë.

Për të qenë Kishë nuk mjafton një dokument, edhe nëse është i nënshkruar prej Papës. Për të qenë Kishë nevojitet që të gjithë ne të jemi ndërtues, me besnikërinë tonë ndaj Jezusit dhe me dëshminë e jetës tonë. Cilësia e një Kishe nuk shkruhet në një fletë, ose në gurë, por hetohet në fytyrat dhe në jetën e njerëzve që e përbëjnë atë. Jezusi kërkon prej nesh që të jemi “kripa e tokës dhe drita e botës”, na thotë që do t’iu njohin që jeni nxënësit e mi prej dashurisë që keni njëri për tjetrin, që me fjalë tjera domethënë nga bashkimi. Mu për këtë urimi im për ju është ky, që të jeni vërtet një Kishë cilësore; që bashkimi i juaj të jetë i gjallë, i dukshëm dhe jetësor; le të jetë kriter që i udhëheq veprimet tuaja të përditshme, që gjallëron marrëdhëniet tuaja me të gjithë përfaqësuesit e Kishës: Ipeshkvin, klerin dhe besimtarët, besimtarët me njëri-tjetrin, me çdo njeri që do takon gjatë rrugëtimit tuaj. Edhe ata që nuk janë të krishterë. Kjo dëshirë për bashkim është si ujitja për një pemë, duhet të rrjedhë në brendi, të na ushqejë, se përndryshe rrezikojmë të jemi njerëz të thatë dhe mos të arrijmë kurrë të sjellim frytet e Ungjillit.

Më lejoni që të bashkëndaj një përsiatje për Ungjillin që e kemi dëgjuar. “Nuk kanë më verë”, si ndodhi në Kanën e Galilesë, edhe në jetën tonë ka çaste kur festa duket se po mbaron. Lodhjet që na përcjellin, zhgënjimet për ligështitë tona, padrejtësitë që ndonjë herë shohim apo përjetojmë, shqetësojnë zemrën tonë; gjithë kjo e pikëllon zemrën tonë, e ngulfate shpresën, ndonjë herë bën që të lind edhe dyshimi që ndoshta edhe Zotëria nuk është aq i mirë dhe i kujdesshëm ndaj nesh. Sa njerëz sot humbin gëzimin dhe janë në mërzi. Këto zhgënjime janë rrezik që të na largojnë nga Jezusi dhe nga feja.

Sot Maria është shembull dhe nxitje. “Beni gjithçka t’iu thotë”; Maria nuk e dinte saktësisht atë çka Jezusi do të bënte, por e dinte që mund të mbështet në Të. Sot ajo na përsërit këtë në mënyrë të, fortë, që mos të hutohemi nga idealet e rrejshme, apo të jemi të zhgënjyer. “Kini besim në Të, lëshohuni në dorë të Tij: bëni gjithçka t’iu thotë”. Kjo është feja jonë e cila kërkon prej nesh që të jetojmë: jo ta kuptojmë gjithë atë që veprojmë, ose ta dimë përmendësh katekizmin, ose ta jetojmë një lloj morali, apo t’iu kushtohemi disa veprimeve liturgjike: feja jonë është para së të lëshohemi tërësisht në dorë të Jezusit, t’ia besojmë Atij jetën tonë, t’i vendosim në duart e Tija vështirësitë tona dhe të jetojmë me Të gëzimet tona, duke e ditur që Ai është afër nesh, kujdesohet për ne dhe nuk do të na mungojë asgjë që është e nevojshme.

“Bëni gjithçka t’iu thotë”, ta përsërisim këtë fjalë si litani, dhe në të jetë kjo përkrahje kur jemi të hutuar, të pavendosur, apo të tërhequr prej botës, apo kur jemi në tundim të mendojmë që Ungjilli nuk është mjaft i arsyeshëm për t’i besuar. “Bëni gjithçka t’iu thotë”: le të jetë pikësynim atëherë kur logjika e interesit, të kënaqësisë, mundohen ta dobësojnë besnikërinë tonë ndaj Jezusit.

Si në Kanë, ndonjë herë mund t’i dhurojmë Jezusit vetëm ujë, vërtet shumë pak: cilësitë tona na duken tejet të vogla për atë çka duam, apo për nevojat e ndryshme që kërkohen. Ndonjë herë do të donim të jemi të aftë t’i japim më shumë Zotit, por mos ta humbim besimin në Të: Zotëria nuk ka nevojë për përsosmërinë tonë, por vetëm për përvujtërinë dhe gatishmërinë tonë, për pak ujë tonë, për të bërë gjëra të mëdha, për mrekulli, për ta vendosur festën në zemrat tona dhe të atyre që janë afër nesh.

Të dashur vëllezër, ju ftoj që t’ia dhuroni Zotit çdo ditë jetën tuaj me të njëjtin besim, siç bëri Maria, sepse kurrë nuk është tepër pak ajo çka bëjmë me Zotërinë dhe për Zotërinë.

Po e përfundoj me një shqyrtim të vogël të Ungjillit. Maria është e vëmendshme për nevojat e tjerëve dhe shi për këtë edhe ndërhyri te Biri, me kujdes, urti dhe takt tipik të zemrës së nënës.

Ta pranojmë që në mënyrat tona ndonjë herë nuk është kështu: është më lehtë të merremi me vetveten dhe të shtiremi kinse nuk po i shohim nevojat e atyre që janë afër nesh. Ndonjë herë emocionohemi për vështirësitë e njerëzve larg nesh, por nuk e hetojmë të afërmin e shtëpisë i cili është i vetmuar, i braktisur, ose të ndonjë miku i cili është në ndonjë krizë dhe ka nevojë për ta dëgjuar dhe kuptuar.

Maria sot na mëson kujdesin që shndërrohet në dashuri, butësia që merr për sipër nevojën. Ta thërrasim  Marinë, Ndihmën e të Krishterëve, që të na ndihmojë dhe përkrahë në vështirësi, që të na dhurojë sy të vëmendshëm  për t’i njohur situatat e nevojave të atyre që janë afër nesh, një zemër bujare, që edhe ne ta kryejmë pjesën tonë, duke dhuruar pak ngushëllim, ndihmë nëpërmjet veprave të dashurisë dhe fesë të cilën e shpallim./drita.info

 

(Homelia e Delegatit Apostolik për Kosovë Mons. Jaen-Marie Speich, në festën e Zojës Ndihmëtare në Katedralen e Prizrenit, më 24 maj 2019, kur edhe e shpalli zyrtarisht Bulën Papnore për Dioqezën e re Prizren-Prishtinë. Përktheu nga italishtja: Don Lush Gjergji).

Shpërndaje

Comments are closed.

« »