Shtegtimi i Dioqezës Prizren-Prishtinë në Shenjtëroren e Letnicës

May 27 • Kisha në Kosovë

Të shtunën, më 25 maj 2019, Dioqeza Prizren-Prishtinë, ka shtegtuar në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, në të shtunën e fundit të muajit maj kushtuar Virgjër Mari. Një shtegtim tradicional i Dioqezës së sonë, ku marrin pjesë të gjitha famullitë me një përshpirtëri marinae popullore, në këtë shenjtërore nacionale të Kosovës.

Sivjet, shtegtimit tonë u është bashkëngjitë edhe Delegati Apostolik për Kosovë Mons. Jean Marie Speich, i cili ka zhvilluar një vizitë treditore në Dioqezën tonë, me rastin e sjelljes së Bulës Papnore për shpalljen e dioqezës së re. Meshës i priu Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me delegatin apostolik, sekretarin e tij që e ka shoqëruar gjatë kësaj vizite në Kosovë dhe meshtarëve të dioqezës sonë. 

 “Shumë i nderuar shkëlqesi, të dashur vëllezër meshtarë, murgesha, diakon, seminaristë, kandidate, ju vëllezër e motra në Krishtin” – ishin fjalët e para të Imzot Dodës në homelinë e këtij shtegtimi, dhe vazhdoi, “Falënderoj Zotin dhe ndërmjetësinë e Zojës Bekume, që na ka shpërblye me hire e të mira në kohët e fundit. Sepse në të kaluarën ne ishim nën trysnin e fatit tonë të keq, por me dëshminë dhe qëndresën e të parëve tanë kemi arritur të jemi këta që jemi, gjymtyrë të gjalla të Trupit të Krishtit në vendin tonë, familje të ndershme dhe të devotshme, në fshatra e qytete të famullive tona, dëshmitarë të mirë të Krishtit. Gjatë këtij muaji maj, kushtuar Virgjërës Mari ju, bashkë me meshtarë dhe motra të nderit, e keni ngritë lutjen tuaj kah qielli, te Nëna e Jezusit, Nëna jonë e Nëna e Kishës. Dhe sot jemi këtu për t’i bashkuar ato lutje me gjithë Dioqezën në Shenjtëroren e Zojës në Letnicë, siç e bëjmë për çdo vjet.”

Duke marr shkak nga ungjilli i ditës, vizita e Zojës së Bekume te kushërira e saj Elizabeta, Imzot Dodë Gjergji, nxiti shtegtarët që t’i ngjajmë Marisë, e cila me gëzim shkoj për ta ndarë lajmin e gëzueshëm me tjerët. Ne, sot në Kosovë  – theksoi ipeshkvi – jemi të thirrur që gëzimin tonë të krishterë ta dërgojmë edhe te ata që nuk besojnë, te ata që besojnë keq, ose te ata besojnë ndryshe. Ne duhet të jemi kishë që ungjillëzon, një kishë misionare. Një Kishë që nuk ungjillëzon, nuk është misionare, ajo është gjysmë e vdekur.”

Kurse Delegati Apostolik për Kosovë Mons. Jean Marie Speich, në fund të meshës në fjalën e tij shprehu gëzimin e pjesëmarrjes në shtegtim në këtë Shenjtërore të Dioqezës spn. Ju sjell të falat dhe bekimin e Papa Françeskut për të gjithë ju, – tha Delegati, duke e sjellë në mendje martirizimin dhe qëndresën e Kishës sonë gjatë shekujve, besnikërinë ndaj Selisë së Shenjtë dhe Papës. “Ju falënderoj për dëshminë e juaj që e keni treguar për Kishën dhe durimin që e keni pasur në kohët e fundit dhe keni besuar në shpërblimin që Zoti do të sjell te ju. Krishterimin tuaj e ka treguar më së forti bija e kësaj Kishe e cila e ka marr thirrjen në këtë Shenjtërore dhe e ka përhapë në tërë botën, Shën Nënë Tereza” – tha mes tjerash Delegati Mons. Speich.

Mesha u animua nga një pjesë e Korit të Prishtinës dhe Studentëve, të udhëhequr nga Don Shtjefën Dodes. Kjo meshë u transmetua drejtpërdrejt edhe nëpërmjet valëve të Radio Marisë Kosovë, për të gjithë ata që nuk kanë mundur të marrin pjesë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »