Zoti nuk e braktis grigjën e vet, pjesë e cilës jemi edhe ne, të pandashëm!

May 28 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

Delegati Apostolik për Kosovë, SH. T. Mons. Jean-Marie Speich, gjatë vizitës së tij treditore në Kosovë, ka kremtuar meshën e së dieles VI të Pashkëve në Katedralen e Prishtinës, në bashkëkremtim me ipeshkvin tonë Imzot Dodë Gjergji, klerin që shërben në Prishtinë. Një ditë e bekuar e delegatit të Papës me besimtarët e kryeqytetit. Me atë rast u shpall solemnisht se Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin do të vizitojë Kosovën në qershor të këtij viti. Në vazhdim po e japim homelinë e plotë që është mbajtur nga Delegati, një reflektim dhe meditim mbi mesazhin e të dieles përkatëse dhe një porosi për bashkësinë tonë, pjesë e Kishës universale të themeluar prejt Jezu Krishtit.

 

Nga Jean-Marie Speich, delegat apostolik për Kosovë

 

Të dashur motra e vëllezër,

periudha e shenjtë e Pashkëve, vala e Pashkëve siç quhet ndryshe, vazhdon edhe këto dy të diele dhe ditëve gjatë javës. Secilën prej këtyre ditëve neve na kujtohet se “Krishti u ngjall nga të vdekurit”. Kjo është bindja dhe arsyeja pse duhet të gëzohemi. Por, a do të thotë kjo se ne katolikët duhet të mendojmë dhe të flasim mbi Ringjalljen e Krishtit vetëm në këtë kohë të vitit? Kjo do të ishte diçka e mirë, por ne jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe për këtë arsye kemi nevojë të na kujtohet vazhdimisht se jemi të shëlbuar përmes Jezu Krishtit.

Marrja pjesë në meshë rregullisht dhe meditimi i Fjalës së Zotit, si bashkësi dhe në mënyrë personale, është një ndihmë e madhe për jetën tonë e cila është fatmirësisht, edhe pse e ngadalshme dhe graduale, e ngulur thellë në dashurinë e Zotit. Kjo është dëshira jonë dhe ajo çka shpresojmë si besimtarë të Krishtit.

Ungjilli i kësaj të diele përshkruan fjalët e Jezusit gjatë Darkës së Fundit dhe tregon kthimin e Jezusit tek Ati i tij në qiell. Krishti erdhi nga Ati si ambasador i Zotit me misionin që të na zbulojë dashurinë dhe kujdesin e Tij për njerëzimin. Është dëshira e Zotit që të gjithë të shëlbohen nga gjaku i Qengjit të Zotit, që është Krishti, vehtja e dytë e Trinisë Shenjte.

Kthimi i Jezusit tek Ati paraqet për besimtarët e tij një ndarje. Një ndarje, që i vendos ata në një marrëdhënie të veçantë me Zotin dhe i nxit të vazhdojnë misionin e Jezusit në botë. Ne sot jemi trashëgimtarë të të njëjtit mision me jetën të cilën e jetojmë, me fjalët që i flasim. “Shpallni Ungjillin me jetën tuaj”, kështu u është thënë ndjekësve të Krishtit në kohët e kaluara e deri më sot. Siç thotë një shprehje tjetër, që i përket Shën Françeskut të Asizit: “Gjithmonë shpallni Ungjillin, dhe nëse është e nevojshme edhe me fjalë”. Me fjalë të tjera, veprat flasin më shumë se sa fjalët.

Edhe pse Jezusi kthehet tek Ati në ditën e Ngjitjes së tij në qiell, ndjekësit e Krishtit nuk duhen të shqetësohen për faktin se po ndahen nga Mësuesi. Krishti, në fakt, është i pranishëm në një mënyrë të re e që është mënyra e cila dërgon tek shtëpia e Atit. Ajo që është më e rëndësishme është feja në Krishtin i cili erdhi nga Ati, u kthye tek Ati dhe ai i cili nuk e lë grigjën e vet vetëm. Zoti është gjithmonë një Bari i Mirë, ashtu siç kemi medituar të dielën e kaluar.

Ashtu siç ishte për nxënësit e parë, ashtu edhe për ne, feja në Krishtin e ngjallur, të ngjitur në qiell e përsëri i pranishëm, është një garancion për ne i një bashkimi me Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt.

Dashuria jonë për Trininë Shenjte duhet të tregohet në mënyrë të veçantë me besnikërinë në misionin e Jezusit të cilin na e ka lënë, ta duam njëri tjetrin ashtu sikurse Jezusi na deshi ne!

Në lidhje me këtë detyrë të madhe ne e kemi premtimin e pranisë së Shpirtit Shenjt, të padukshëm por vazhdimisht aktiv dhe veprues në jetën tonë.

A nënkupton kjo, motra e vëllezër, ndonjë punë të mundimshme apo përpjekje shqetësuese nga ana jonë? Jo, por kërkohet që të jemi besnikë ndaj thirrjes sonë, çfarëdo qoftë ajo, si prind, si person, si i ri apo jo, që në çdo mundësi të jetës sonë të shfaqim dashuri, kujdes, mëshirë, interesim dhe zell për ata që hyjnë në jetën tonë.

Kjo ishte mjaft e theksuar në jetën e Nënë Terezes, bijës së popullit tonë, e cila shprehej shumë herë në lidhje me këtë: mos u brengos për faktin se a duhet të shkosh në Indi apo jo për tu kujdesur për të sëmurët dhe të varfërit (edhe pse disa janë të thirrur të bëjnë ashtu), por bëj atë që je i thirrur të bësh aty ku je, me përvujtërinë e zemrës dhe me gëzim, sepse është vetë Zoti ai i cili i përcjell përpjekjet tona për të bërë mirë dhe të cilit i shërbejmë me veprat tona të mira.

Shpirti Shenjt ka qenë gjithmonë i kuptuar në traditën tonë katolike si mësues dhe udhëheqës, jo vetëm në çështjet doktrinale të cilat janë përcjellur nga Krishti dhe Kisha, por gjithashtu në situatat me të cilat ndjekësit e Krishtit do të takohen në jetën e tyre e në të cilat do të kenë nevojë për dritë dhe forcë. Shpirti Shenjt na është premtuar nga Krishti që të na ndihmojë në punën e madhe dhe të ndryshme të apostullatit tonë, që ta shpallim Lajmin e Mirë, e që është Ungjilli i Shëlbimit në Jezu Krishtin, deri në skajet e tokës.

Për fat të mirë, ne gjejmë në fjalët e Jezusit në Darkën e Fundit më shumë gjëra për të menduar dhe guxim për jetën tonë më pak se të përsosur. Po, kjo është diçka e vërtetë edhe për ne!

Jezusi na e shfaq këtë kur thotë: “Mos t’ju shqetësohet zemra”. Në vazhdim, Jezusi thotë, “Paqja me ju. Shalom”. Sa është e lehtë që ta harrojmë këtë premtim dhe të zhytemi në përditshmërinë e jetës sonë. Zotëria është afër nesh që të na ngritë dhe atë shumë lart, që të bashkëndajmë ngrohtësinë e Zotit dhe përqafimin e tij të amshueshëm.

Sa herë që kalojmë kohëra të vështira, dhe me çdo gjasë secili prej nesh kalon në një kohë apo në tjetër, kujdesi ynë dhe ndërgjegjësimi në lidhje me premtimin e Krishtit mbi praninë e përhershme të Shpirtit Shenjt duhet ta ketë një rëndësi të madhe për jetën tonë. Ti përkasim Krishtit nuk do të thotë se do të mungojnë problemet, sfidat, tragjeditë apo vdekja, por ta kemi sigurinë dhe ngushëllimin e Krishtit brenda nesh dhe në ne në çkado që të ndërmarrim.

Më ka pëlqyer gjithmonë e famshja “Lutja e Parzmores”, që i atribuohet Shën Patrikut, e që përfundon me këto fjalë: “Krishti me mua, Krishti para meje, Krishti pas meje, Krishti në mua, Krishti nën mua, Krishti mbi mua, Krishti në të djathtën time, Krishti në të majtën time, Krishti kur shtrihem, Krishti kur ulem, Krishti kur ngritem, Krishti në zemrën e secilit që mendon për mua, Krishti në gojën e secilit që flet për mua, Krishti në secilin sy që më shikon, Krishti në secilin vesh që më dëgjon”.

Ashtu si në historinë e Kishës, po ashtu në jetën tonë, vëllezër e motra, është e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm dhe të kujtojmë misionin dhe veprën që Shpirti Shenjt ka pasur qysh në kohët e lashta e deri më sot në ditët tona. Zoti nuk e braktis grigjën e vet, pjesë e cilës jemi edhe ne, të pandashëm! Për këtë, mos të pushojmë kurrë së falenderuari Zotin. Ju uroj një të diele të bekuar dhe në ditët që po vijnë. Amen./drita.info

 (Homelia e Delegatit Apostolik për Kosovë më 26 maj 2019, në të dielën VI të Pashkëve në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Përktheu prej anglishtes: Don Alfred Sokoli)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »