Mbetet premtimi i Zotit se Shpirti i tij do të na udhëheqë, ngushëllojë dhe ruajë

May 30 • Meditimi i ditës

30 maj 2019 – E enjte, NGRITJA E KRISHTIT NË QIELL (Të Shëlbuemit), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 1,1-11; Ps 47,2-3.6-9; Ef 1,17-23 (ose: Heb 9,24-28; 10,19-23); Lk 24,46-53)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e kuptoj dhe e pranoj këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie,

në lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I lejoj vetes t`i ndiej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpërmjet tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë këputur:
për këtë arsye ndoshta ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën të mund të pranoj dhe të fal.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Shpirti Shenjt le të ma ndriçojë mendjen dhe zemrën që të përgjigjem në porosinë e ungjillit:

Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.


Lk 24, 46-53

 

46 Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

49 Dhe, ja, unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet derisa të visheni me Fuqinë prej së Larti.”

50 Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. 51 E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit në qiell. 52 Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem 53 dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e lidh profecinë e Besëlidhjes së Vjetër me atë që i kishte ndodhur atij. Pas qindra e qindra vjetëve u përmbush premtimi i Hyjit. Koha jonë tani është kohë e Zotit.
  • Nxënësit ndjenë “gëzim të madh” kur Jezusi i bekoi dhe kaloi tërësisht në dimensionin e realitetit hyjnor – në qiell. Momente të tilla njohjeje dhe gëzimi të brendshëm janë të rralla, por të çmueshmepër ne. Edhe pse me kohë zbehet në ne kujtimi i tyre, ato na mbartin në kohë të vështira. A mund të dalloj një moment të tillë “gëzimi të madh”?
  • Mirë është të qëndrojë njeriu me ty, o Zot. Mirëpo duhet ta jetojmë të përditshmen që është plot me të papritura dhe nuk është e lehtë. Si ngushëllim mbetet premtimi yt se Shpirti yt do të na udhëheqë, ngushëllojë dhe ruajë.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ndërsa ke ecur nëpër këtë tokë

fëmijët e vegjël gjithmonë i ke pasur për zemër.

Më mëso që të kem besim fëmijëror në ty;

që të jetoj në dijeni se nuk do të më lëshosh kurrë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »