Dëshira konstante e Zotit që “të gjithë të jenë një”
2 qershor 2019 – E diela 7-të e Pashkëve (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 7,55-60; Ps 97,1.2b.6.7c.9; Zb 22,12-14.16-17.20; Gjn 17,20-26)
Prania e Hyjit
Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë siç jam.
Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.
Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Do të ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.
Liria
Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,
që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.
Ndërgjegjësimi
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – në lidhje me natyrën, me njerëzit, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që qarkullon nëpërmjet tyre.
Disa nga këto marrëdhënie janë deformuar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e mërzitur, i/e pikëlluar, i/e nervozuar, i/e zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ta dëgjoj në mënyrë që ta marrë vesh çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…
Gjn 17, 20-26
20 Në atë kohë, Jezusi iu lut Atit të vet: Nuk po të lutem vetëm për këta,
por edhe për të gjithë ata,
që, për shkak të fjalës së tyre,
do të besojnë në mua:
21 që të gjithë të jenë një.
Sikurse ti, Atë, që je në mua
dhe unë në ty,
ashtu edhe ata të jenë në ne,
që ta kuptojë bota se ti më dërgove.
22 Edhe unë ua dhashë lavdinë
që ti ma dhe
që të jenë një
sikurse ne jemi një
23 ‑ unë në ta e ti në mua,
që të jenë plotësisht një,
që bota ta dijë se ti më dërgove
dhe se i deshe ata siç më deshe mua.
24 Atë,
dua që ata, të cilët m’i dhe,
të jenë aty ku jam unë,
bashkë me mua,
që të kundrojnë lavdinë time,
lavdinë që ti ma dhe,
sepse më deshe
para se të krijohej bota.
25 Atë i drejtë!
Bota nuk të njohu
e unë të njoha.
Edhe këta e kuptuan
se ti më dërgove.
26 Këtyre ua dëftova Emrin tënd
dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj,
që dashuria me të cilën ti më deshe mua,
të jetë në ta
‑ dhe unë në ta.”
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
· Në dallimin që ekziston në mes njerëzve mbetetdëshira jote konstante që “të gjithë të jenë një”, që flija jote, e kushtuar për të shpëtuar njerëzit, gradualisht e transformon këtë botë. Qëpërsëri, kështu të shpërndarë, të mblidhemi si fëmijë të një Ati.
Bashkëbisedimi
A jam duke i vërejtur reagimet e mia kur lutem me Fjalën e Hyjit?
A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më dëbon?
Ndërsa e imagjinoj Jezusin sesi rri ulur apo qëndron pranë meje,
me mbështetje, me besim, si mikut më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.
« Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt Shpirti Shenjt, intim me ekzistencën tonë »