Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt

Jun 2 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

Ngjitja e Zotërisë në Qiell (C)

 

Leximi i parë   Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigji: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  47

 

Ref: Ngjitet Zoti me këngë të hareshme

————————————

Duartrokitni, o popuj të gjithë,

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,

Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

———————————–

Ngjitet Hyji me brohori,

Zoti me zë trumbete.

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

———————————–

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:

këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

———————————-

 

Leximi i dytë    Heb 9, 24-28; 10, 19-23

Ngjitja e Krishtit paraqitet si një akt i vërtetë meshtarak: i Kryqëzuari i ngjallur hyn në qiell në sajë të gjakut të Tij. Shenjtërorja e vërtetë është ajo e qiellit, ku Krishti hyn si kryeprifti, i vetmi dhe përfundimtari, duke çuar përpara Hyjit të gjithë besimtarët falë flisë së Tij. Jezusi është kryeprifti i vetëm dhe i amshuar, ndërmjetësues i pajtimit tonë me Hyjin. 

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; – përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetës. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.  Pra, o vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë, me shpirt të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.  Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 24, 46-53

Jezusi përgatit dishepujt e tij për mision. I Ngjalluri së pari u bën të kuptojnë në dritën e Shkrimeve vdekjen dhe ngjalljen e tij, dhe u dorëzon atyre detyrën për t’u shpallur “të gjithë popujve kthimin dhe faljen e mëkateve”. Apostujt do të jenë dëshmitarët e Tij pasi të kenë marrë Shpirtin Shenjt.  E gjithë jeta e tyre do të bëhet tempulli i ri, për të lëvduar Hyjin. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. Dhe, ja unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të vesheni me Fuqinë prej së larti.”  Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Të ngjiturit është vazhdimi i ngjalljes së Jezusit në realitetin e tij më të thellë. Jezusi me ngjalljen e tij nuk ka rifituar thjesht jetën e mëparshme, por ka hyrë në një gjendje jete krejtësisht të re, vetë jeta e Hyjit.

“Kështu thuhet në Shkrim Shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’”. Jezusi fton të njohë Shkrimet e Shenjta që ai ka plotësuar. “Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve”. Misioni i Kishës, fryt i Pashkëve, qëndron në “të predikosh” e “të dëshmosh” Krishtin e vdekur e të ngjallur, që njerëzit të kthehen e të marrin faljen e mëkateve.

“Për këto gjëra ju jeni dëshmitarë”. Dëshmitarët janë ata që njohin Shkrimet e Shenjta, zotërojnë një njohje të thellë të shpalljes së Pashkëve, e një marrëdhënie dashurie dhe besimi me të ngjallurin. “Unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim” (꞊ Shpirtin Shenjt). Shpirti Shenjt do të shtojë fuqinë e fjalës të predikuesit e do të hapë zgjuarsinë e dëgjuesve.

“E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell”. Bekimi tregon shpëtimin që Ai dhuron dhe është garanci e pranisë së tij: nuk i braktis të tijtë. Termi “qiell” është simbol i jetës hyjnore. Jezusi, duke u ngjallur nga të vdekurit, ka hyrë në botën e Hyjit. Të ngjiturit inaguron, kështu, kohën e Kishës, kohën e misionit të dëshmitarëve, kohën e Shpirtit që nxit dhe mbështet misionin e Kishës në histori.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, Jezusi i ngjallur ngjitet me lavdi tek Ati, por nuk na lë vetëm; Ai ecën me ne. T’i drejtohemi Atij, Zbuluesit të madh të Atit.  Të lutemi së bashku e të themi: 

Nëpërmjet Krishtit na dëgjo, o Atë.

 

L. Që Kisha e shenjtë të realizojë në botë praninë e Krishtit, ta dëshmojë me anë të jetës lavdinë që na pret. Të lutemi.

L. Që në mes të vështirësive të jetës të mbajmë gjithmonë të gjallë shpresën se do të shikojmë fytyrën e Zotit. Të lutemi.

L. Që mjetet e komunikimit shoqëror të vihen gjithmonë e më shumë në shërbim të së mirës, të së vërtetës e të drejtësisë. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë të mësojë të shikojë Qiellin duke u angazhuar konkretisht në ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore. Të lutemi.

M. O Hyj, dëgjoi zërat e këtij populli që njeh në Krishtin, të ngjallur nga të vdekurit, Meshtarin gjithmonë të gjallë para teje, për të ndërhyrë në dobi të vëllezërve. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »