Çka paraqet për katolikët muaji Qershor dhe si duhet të nderohet ai!

Nga Annabelle Moseley

 

A e keni ditur se në Kishën Katolike, secili nga 12 muajt e vitit janë të kushtuar një devocioni të caktuar? Kjo traditë kishtare na jep një mundësi të mrekullueshme që të sjellim në jetën tonë shpirtërore dhe në shtëpitë tona, tradita, simbole, ngjyra dhe madje edhe ushqime të veçanta.

Qershori është muaj i bukur i kushtuar Zemrës së Krishtit. Duke vazhduar me shpalosjen mujore të mundësive se si të jetohet çdo muaj sipas jetës së krishterë, po paraqesim këtu 10 mënyrat se si mund të lidhim më ngushtë jetët tona me Zemrën e Krishtit. Ndoshta disa prej këtyre devocioneve të mrekullueshme do të vazhdojnë të kultivohen në familjet tuaja edhe pasi të ketë kaluar qershori.

 

1) Vendosni në shtëpi, mbi një tryezë apo objekt tjetër, figurën e Zemrës së Krishtit së bashku me një qiri ose buqetë lulesh, si shenjtë e dukshme përkujtimi apo devocioni.

2) Bëni me fëmijët tuaj ndonjë punim dore të Zemrës së Krishtit. Ja një shembull i lehtë: merrni një kurorë të rrushit që i ngjan kurorës së gjembave dhe vendoseni në qendër të kuzhinës tuaj ose tryezës së ngrënies. Nxitni fëmijët të bëjnë një zemër të madhe prej letrës dhe më pas vendosin në mes të kurorës. Mbi zemër, secili anëtar i familjes le të shënojë lutjen apo veprimin që do ndërmarr gjatë krejt muajit si shenjë devocioni ndaj Zemrës së Krishtit.

3) Për gjatë krejt muajit, kushtojani çdo mëngjes lutjen tuaj Zemrës së Krishtit. Këtë lutje lëreni pranë shtratit tuaj ose ngjiteni në pasqyrën e banjës, kështu që mund ta lutni atë si gjënë e parë që e bëni në mëngjes:

“O Jezus, nëpërmjet Zemrës së Papërlyer të Marisë, tʹi paraqes Ty lutjet e mija, punën, gëzimet dhe vuajtjet e kësaj dite për të gjitha qëllimet e Zemrës Tënde të Shenjtë, në bashkim me Sakrificën e Shenjtë të Meshës në krejt botën, për faljen e mëkateve të mija, për qëllimet e bashkësisë tonë, por mbi të gjitha për njetin e Atit të Shenjtë gjatë këtij muaji.”

4) Luteni njërën nga shumë lutjet e bukura kushtuar Zemrës së Krishtit si shenjë bekimi para ushqimit. Ja një nga to:

“O Zemra tejet e Shenjtë e Jezusit, burim i çdo bekimi. Të adhuroj, të dua, e me trishtim të thekshëm për mëkatet e mija të ofroj Ty zemrën time të varfër. Më bëj të përvujtur, të durueshëm, të pastër dhe tërësisht të bindur ndaj vullnetit Tënd. Bëj, o Jezus i mirë, që unë të jetoj në Ty dhe për Ty. Më mbro nga rreziqet. Më jep shëndetin e trupit, ndihmën Tënde në nevojat e përkohshme, bekimin Tënd për gjithçka që bëj, dhe hirin e një vdekje të shenjtë. Amen.”

5) Merrni pjesë në Adhurim e të Shenjtërueshmit Sakrament si mënyrë për të nderuar Zemrën e Krishtit të pranishme në Eukaristi.

6) Merrni pjesë në Meshën e të Premtes së Parë, në të cilën kremtojmë të Premten e Madhe. Sipas vegimeve të Shën Margaret Maria Alacoque, të pranuara nga Kisha, ka hire të veçanta për ata që praktikojnë përshpirtërinë e të Premtes së Parë:

ʺNë mëshirën  e pakufishme të  Zemrës sime, Unë ju premtoj se dashuria ime e fuqishme do t’u japë të gjithë atyre që do të marrin Kungimin në të Premtet e Para të muajit, për nëntë muaj rresht, hirin e pendimit përfundimtar: ata nuk do të vdesin në mosdashjen time, as pa marr sakramentet; dhe Zemra ime do të jetë strehimi i tyre i sigurt në orën e fundit.ʺ

7) Përgatitni ushqime në nder të Zemrës së Krishtit. Ja një mundësi: përgatitni ose bleni cupcakes (ëmbëlsirë) dhe vendosni mbi të dredhëza të prera në formë të zemrës. Që kjo recetë të jetë edhe më e përkushtuar ndaj Zemrës së Krishtit, përpiquni që ëmbëlsira të jetë në të kuqe kadife.

8) Zbukuroni kopshtin në nder të Zemrës së Krishtit. Ky do të ishte një aktivitet i mrekullueshëm për krejt familjen. Para derës mund ta vendosni shtatoren e Zemrës së Krishtit apo një skulpturë të zemrës në kopsht, ose një gurë te gdhendur vet me zemrën në qendër si dhe një dyzinë lulesh në nder të Zemrës së Shenjtë të Jezusit. Lulet në kopsht në nder të Zemrës së Krishtit mund të përfshijnë të gjitha llojet që marrin ngjyrë të kuqe dhe portokalli. Dicentra, lule e njohur edhe si ʺZemra që gjakosʺ ka një varg lulesh në formë të zemrës që paraqesin simbolikisht një imazh të dashurisë që sakrifikohet. Lulet simbolizojnë dashurinë dhe kurorën e fronit, kështu që do të ishin zgjedhje shumë e mirë në këtë rast. Zgjedhje tjetër për të nderuar Jezusin mund të jenë edhe ʺYlli i Betlehemitʺ dhe Caladium-i, e njohur edhe si ʺZemra e Jezusit.ʺ

9) Shqyrtojeni mundësinë që të bleni ndonjë pikturë, shtatore, qiri apo figurë të Zemrës së Krishtit për shtëpinë tuaj. Nëse e keni një, mendojeni që ta bleni një tjetër për dikë nga njerëzit tuaj.

10) Planifikojeni një vend apo hapësirë në shtëpinë tënde të cilën do tʹia kushtoni Zemrës së Krishtit. Ftojeni priftin të vij tek ju në shtëpi dhe tʹju jap bekimin e veçantë për vendin që keni zgjedhur./drita.info

 

Burimi: Aleteia.org

Përkthimi: V.B.

Shpëndaje: