Shtëpia Botuese “Drita” me 85 tituj në Panairin e Librit – Prishtina 2019

Jun 8 • Kulturë

Nga Mrika Ibraj

 

“Bibla”, “Çeta e Profetëve ”, Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve”, “Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve”, “Nëna e Dashurisë” etj, janë këta tituj në mesin e 85 të tjerëve të cilë SH.B. “DRITA “ e Dioqezës Prizren-Prishtinë, i ka prezantuar dashamirëve të librit, në kuadër të Panairit “Prishtina 2019”, i cili është hapur më 5 qershor dhe, siç u tha, janë prezente 100 shtëpi botuese nga mbarë trevat shqiptare, me mbi 1500 tituj dhe është i hapur deri me 9 qershor.

Në stendën e SH.B. “Drita”, në panair, takuam edhe drejtorin e Dritës dhe përgjegjësin e botimeve të saja, Don Fatmir Koliqin, i cili është edhe famullitar i Prishtinës. Ai na tha se sikurse viteve të kaluara edhe sivjet lexuesit i ofrojmë libra të zhanreve të ndryshme apo kolonave të ndryshe nga botimet e Dritës, si: botime biblike, nga lëmi i liturgjisë, libra katekistikë, përshpirtëri, monografi, histori, shkencë, muzikë, zëri i kishës dhe online me Zotin, që është seri e hapur vitin e kaluar .

“Vit pas viti është shtuar interesimi për botimet e “Dritës”. Si botues e kemi marr parasysh standardin ekonomik të popullatës dhe ketë vit çmimet tona i kemi ulur prej 50 – 70 %, e ka raste që disa libra i japim edhe falas, vetëm e vetëm që lexuesi i pasionuar në mungesë të parasë, të merr librin e preferuar. Me së shumti është e kërkuar Bibla, pastaj librat për Nënë Terezën etj. Ndërsa, në të ardhmen do të bëjmë përpjekje që në panair të sjellim edhe botimet katolike te Shqipërisë, në veçanti të Tiranës e Shkodrës”, tha Don Fatmiri.

Aty pranë stendës ishte edhe Don Anton Ukaj, i cili në përgjithësi kishte përshtypje të mira nga panairi, por edhe për një profil  që vazhdojnë të lexojnë e studjojnë,  megjithatë  ai shprehu shqetësimin për rënien e interesimit për të lexuar, sidomos nga gjenerata e re, e cila siç tha është dhënë shume pas rrjeteve sociale e komunikimeve të kohës.

“Unë si autor në ketë panair marr pjesë me botimet “Udhëheqja shpirtërore, sfide e nevojë e ditëve tona”, “Sakramentet, kuptimi e domethënia e tyre” etj, por  dua te përmend botimin e përkthimit nga italishtja të librit: “Shndërrimi i zemrës” i ish kardinalit te Milanos, Karlo Maria Martini”, tha dom Antoni, i cili për lexuesin dha ketë porosi: kërkohet që të thellohemi në lexim, sepse në mjetet e sotme të komunikimit ndalemi me tepër tek titujt dhe lexojmë sipërfaqësisht, prandaj mos të kalojmë prej titulli në titull, por të lexojmë, të studiojmë e meditojmë, sepse leximi i librit duhet të bëhet ushqim i mendjes dhe shpirtit njerëzor.   

Në fund u interesuam për botimet në vazhdim. Don Fatmiri bëri të ditur se Sh.B. “Drita” është konstante dhe nuk boton vetëm për panair. Ai tha se planifikojnë  botimin e disa librave tjerë, siç është libri memorie, ditari i jetës së Imzot Zef Gashit, që do të përkojë me 50-vjetorin e meshtarisë se tij, vit jubilar ky, që do të kremtohet në javën e fundit të muajit korrik. Një libër studim mbi veprimtarinë  e Át Shtjefën Gjeçovit, një materiali që është gjetur në arkivin e Shqipërisë. Ndërsa, në dhjetorin e ardhshëm, pikërisht në 6 dhjetor, gjithnjë sipas Don Fatmirit, do të organizohet një simpozium mbi figurën markante të Imzot Pjetër Bogdanit. E, ato studime me pas do të përmblidhen në një botim të veçantë, që do t’i botojë Shtëpia Botuese “Drita”, e Dioqezës Prizren – Prishtinë./drita.info 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »