Shpirti i Shenjtë ngushëllues

Jun 9 • Meditimi i ditës

9 qershor 2019 – RRËSHAJËT, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 2,1-11; Ps 104,1ab.24ac.29b-31.34; Rom 8,8-17; Gjn 14,15-16.23b-26)

 

Prania e Hyjit

Po ja kujtoj vetvetes, o Zot, se jam në praninë tënde.

Do të gjej strehim te zemra jote të butë.

Ti je fuqia ime në momentet e dobësisë.

Në momentet e pikëllimit Ti je ngushëlluesi im.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të lirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke bërë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Fjalët fillestare të Biblës – Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra – e përshkruan gjendjen e tanishme të sendeve, jo njëfarë ngjarje të kaluar. Kur lus mbi Shkrimin Shenjt, i lejoj Shpirtit të Hyjit që të endet përmbi kaosin dhe errësirën e qenies sime.

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Gjn 14,15-16.23-26

 

Në  atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

15 “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia.

16 Edhe unë do t’i lutem Atit

dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër,

që të jetë me ju përgjithmonë.

Nëse ndokush më do,

ai do të ma mbajë fjalën,

Ati im do ta dojë,

tek ai do të vijmë

dhe tek ai do të banojmë.

24 Kush nuk më do,

nuk i mban fjalët e mia.

E fjala që po dëgjoni, nuk është imja,

por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.

25 Këto fjalë jua thashë

ndërsa banova me ju.

26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës,

të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim,

Ai do t’jua mësojë të gjitha

dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.”


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • I sjell ndër mend fjalët e Jezusit dhe kujtoj se Shpirti Shenjt është në veprim. Lutem që të jem më i/e vetëdijshëm/e për veprimin e pazhurmë, të qetë të Shpirtit të Zotit në jetën time.

Lutem që mendimet e mia, frymëzimet dhe dëshirat e mia të jenë të hapura për nxitjet e Mbrojtësit – Ngushëlluesit.

  • Veten mund ta mendoj si tempullin e Shpirtit Shenjt apo mund ta paramendoj imazhin e Jezusit kur thotë që Zoti “banon” në mua. Qëndroj në këto mendime: Zoti e ndjen veten mirë në mua dhe që vazhdimisht qëndron në dispozicion për mua.
  • Dishepujt pagëzohen me Shpirtin e Shenjtë. Është një lindje dhe pagëzim i ri. Fuqia ripërtëritëse e Shpirtit na mundëson që të bëhemi bij të Hyjit. Gjatë kohës që e dëgjoj edhe një herë paragrafin e Shkrimit Shenjt meditoj mbi lindjen e re me të cilën ne bëhemi krijesa të reja të formuara nga i njëjti Shpirt i Hyjit që endej mbi botën (siç lexojmë në rreshtat e parë Librit të Zanafillës) kur “toka ishte e shkretë dhe e zbrazët terri e mbulonte humnerën“.

 

Bashkëbisedimi

Çfarë më bën të verbër ndaj realitetit të Rrëshajëve për të cilin po dëgjoj? Çfarë më pengon ta pranoj që Shpirti i Zotit të mund të më ndryshojë? Që në qenien time të padenjë të ekzistojë një tempull ku banon Shpirti Shenjt?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që më dhurove dhe që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. O Zot, a është e vështirë për mua ta pranoj ndikimin e Shpirtit Shenjt për shkak të frikës që nëse unë e pranoj madhështinë tënde në qendër të qenies sime, kjo do të kërkojë gjëra të mëdha prej meje? A është e mundur që në dëshirën për të shmangur dhimbjen, e refuzojë ta përjetoj gëzimin? Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »