Kardinali Parolin: Papa Françesku është shpirtërisht afër me popullin e Kosovës!

Jun 11 • Kisha në Kosovë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Eminenca e Tij, Kardinal Pietro Parolin, ka vizituar Kosovën gjatë tri ditëve 8-10 qershor 2019. Gjatë kësaj vizite treditore, ka kremtuar dy meshë, në dy katedrale të Dioqezës Prizren-Prishtina, në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë dhe në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Të dielën, në festën e Rrëshajëve, më 9 qershor 2019, në ora 11:00, Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, në bashkëmeshim me Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtina, Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, Don Shan Zefi, vikar gjeneral i dioqezës, Don Lush Gjergji, vikar gjenerale emerit, Don Fatmir Koliqi, famullitar i Prishtinës, e meshtarë të dioqezës, ka kremtuar meshën dhe ka ndarë krezmimin 43 kandidatëve të Famullisë së Prishtinë, Ferizajit, Peshterit, Kravaserisë dhe Llapushnikut.

Në Katedralen e mbushur përplot me besimtarë katolikë dhe dashamirë të Kishës sonë, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, ministra, deputetë, të ambasadave në Prishtinë, zyrave ndërlidhëse, personalitete të kulturës dhe artit.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, në fillim të meshës, në emër të gjithë Kishës në Kosovë, e përshëndeti Hirësinë e Tij, Kard. Parolin, me fjalë falënderimi dhe gëzimi për praninë e tij nd;r ne: “Eminencë, mirë se vini në këtë Kishë. Këtë moment e ka prit Kisha jonë ndër shekuj, që ta kemi Selinë e Shenjtë ndër ne. Sepse në zemrat tona ka qenë Selia e Shenjtë gjithmonë. Ne kemi mbërri të kalojnë sfida të shumta në histori dhe e kemi rujtë besnikërinë ndaj Selisë Apostolike, e kemi rujtë fenë tonë në Jezu Krishtin, e kemi rujt besnikërinë ndaj popullit tonë, ndaj vendit, ndaj tokës ku jetojmë. Ne kur nuk kemi qenë ata që e kemi nxitë të keqen në këtë vend. Ndoshta nuk kemi mundur as ta luftojmë, por e kemi përballuar. Ja, sot, jemi këtu. Uroj dhe dëshiroj personalisht të ju falënderoj, që Selia e Shenjtë i ka dhënë Kishës tonë, dhe gjithë popujve të Ballkanit. Sidomos, më takon të Ju falënderoj për kontributin dhe mbështetjen që Selia e Shenjtë i jep popullit shqiptarë. Dëshiroj t’ju falënderoj edhe Juve personalisht për mbështetjen e organizimit të koncertit në Vatikan dhe mikpritjen që i keni ofru Kosovës dhe Kishës sonë atje, në rastin e shenjtërimit të Nënës Tereze (2016). Dëshiroj të falënderoj Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, Selinë e Shenjtë, për ngritjen e Kishës sonë në Dioqezën Prizren-Prishtinë. Ju falënderoj për shpalljen e kësaj kishe konkatedrale, sepse ne katedralen e Prizrenit e kemi qysh prej shekullit të katërt. Në këtë popull, Eminencë, ekziston një kishë, një kishë që dëshmon, jeton dhe i gëzohet të ardhmes së vet. Mirë se keni ardhur!” – ishin fjalët shumë të përzemërta të bariut të Kishës në Kosovë.

Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, në homelinë e rastit, shprehu gëzimin që gjendet në vizitë në Kosovë dhe që sjell bekimin dhe afërsinë e Papa Françeskut për popullin e Kosovës.

Më poshtë e sjellim homelinë e plotë të Kardinalit.

 

Shkëlqesi,

autoritete fetare dhe qytetare,

meshtarë, rregulltare dhe rregulltarë, seminaristë,

rini e dashur, kandidatë për krezmim, prindër, nunë e nunesha dhe katekistë,

motra dhe vëllezër në Krishtin!

 

Dua ta shpreh së pari gëzimin që jam në mesin tuaj në të kremten e Rrëshajëve, si dhe për mundësinë që kam për kremtim të Meshës në këtë Konkatedrale të Ipeshkvisë Prizren – Prishtinë, në zemrën e Prishtinës dinamike, qytet ky që përjeton periudhën e ndryshimeve të shpejta, dhe në modernitetin e saj paraqitet e ngjashme me standardet europiane.

Kam nderin dhe kënaqësinë që t’ia sjellë Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergjit, gjithë juve të pranishëm, përshëndetjen dhe bekimin e Papës Françeskut, i cili shpirtërisht është afër me popullin e Kosovës, dhe në mënyrë të veçantë, me bashkësinë katolike të kësaj toke, e cila, edhe në çastet më të vështira, ndonjë herë me historinë e saj të mundimshme, nuk e ka humbur kurrë vetëdijen që është pjesë, edhe pse e vogël, e Kishës së madhe të përgjithshme.

Çfarë rasti më i mirë për mua që të hyj në lidhje me këtë tokë dhe me Kishën në Kosovë se kjo e kremte në ditën e Rrëshajëve!

Është motiv i veçantë ngushëllues, gëzim i vazhdueshëm freskues, entuziazmi me të cilin jeton kjo bashkësi katolike fenë e saj në Krishtin, dhe është dëshmitare bindëse dhe e guximshme, e fortë edhe në traditën historike. Vërtet, në këto hapësira, krishterimi arriti dhe filloi të pranohej që nga shekulli i parë.

Është e dokumentuar që, në kohën e Perandorit  Hadrian (117 – 138), jo larg prej këtij vendi, në qytetin e Ulpianës, atëherë kryeqyteti e krahinës historike të Dardanisë, ishin martirët e parë të krishterë: Flori dhe Lauri, dy skulptorë, vëllezër binjakë, që e dëshmonin Krishtin, sidomos me dashuri ndaj të varfërve. Ata në një mënyrë ishin paraardhës të një shenjtëreshe tjetër të dashurisë, Terezës së Kalkutës, e lindur në Shkup, sot kryeqyteti i Maqedonisë Veriore, posaçërisht e nderuar në tërë këto hapësira gjeografike. Duam ta kërkojmë ndërmjetësimin e saj, në këtë Konkatedrale kushtuar Asaj, si dhe të martirëve të kësaj Kishe vendore, të njohur, apo të panjohur, fajtorë vetëm që kishin dëshmuar fenë e tyre të krishterë.

“Kur erdhi dita e Rrëshajëve” (Vap 2, 1), me këto fjalë fillon leximi i parë. Nuk është fjala për një njoftim kronologjik, që do të shërbente si hyrje në ngjarjen e Rrëshajëve; përkundrazi, Shën Luka dëshiron të na thotë që gjendemi para plotësimit të premtimeve që janë të pranishme në tërë Besëlidhjen e Vjetër.

Plotësim në kuptimin që nuk është më fjala për dhuratën e Ligjit, siç kishte ndodhur në Sinaj, por për dhuratën e Shpirtit Shenjt, me fuqinë e të cilit besimtarët janë të aftësuar ta jetojnë “ligjin e ri”, atë të Dashurisë, dhe që të jenë dëshmitarë të guximshëm dhe të gëzueshëm në botë.

Në përshkrimin e ngjarjes misterioze të zbritjes së Shpirtit Shenjt, Shën Luka e përmbledh dhe rishqyrton edhe risinë tjetër, që buron nga misteri i Rrëshajëve, themelohet nga populli  i pamasë i Zotit, i cili lind nga fuqia krijuese e Shpirtit, një popull i përbërë nga banorët e të gjithë tokës, përtej çdo pengese gjuhe dhe race: Partë, Medë, Elamitë etj.

Për këtë arsye Rrëshajët janë njohur si dita e lindjes së Kishës. Shpirti është Ai që e krijon bashkimin në dallime, që e trajton një popull të ri, të ndryshëm dhe të bashkuar: Kisha është e përgjithshme.

Papa Françesku, në Rrëshajët e vitit 2017, pyetej si ta përvetësojmë këtë mendim kaq të vështirë: bashkimin dhe dallimin!

Sipas Papës, gjëra e parë është t’i shmangemi kërkimit të dallimit pa bashkim: “Kjo ndodhë atëherë kur dëshirohet të shkatërrohet, kur krijohen grupimet, kur mbështetemi në qëndrime përjashtuese, kur mbyllemi në gjera të veçanta, ndoshta edhe duke menduar që jemi më të mirë se të tjerët. Ky është qëndrim i përkrahësit sportiv, që dëshiron të jetë i tillë, në vend që të jetë vëlla apo motër në Shpirt, apo që dëshiron të jetë një i krishterë i së djathtës apo së majtës, para që të jetë thjesht një i krishterë i Krishtit” (Rrëshajë, 4 qershor 2017).

Në të njëjtën mënyrë, po ashtu, duhet t’i shmangemi kërkimit të bashkimit pa dallime. “Kush e kërkon bashkimin pa dallime, vërtet, uniformizmin: të jetë çdo gjë bashkë dhe çdo gjë e njëjtë, të mendojmë të gjithë në të njëjtën mënyrë. Kështu, bashkimi përzihet me homologim, shkrirje, dhe atëherë s’ka më liri. Megjithatë Shën Pali thotë që ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria” (Po aty).

Ky bashkim që shprehet në dallim, dhe ky dallim që përkon në bashkim, shprehet edhe në mrekullinë e ditës së Rrëshajëve, komunikimi i përsosur mes Apostujve dhe dëgjuesve: “sepse secili i dëgjonte  duke folur në gjuhën e vet! (Vap 2, 6); njerëz të gjuhës, racës, kombeve të ndryshme takohen dhe kuptohen!

Po ia lejoj vetes ta citoj rishtas Papën Françesku, i cili në Audiencën e Përgjithshme më 9 tetor 2018 e quajti Kishën “Shtëpia e Harmonisë”, ku bashkimi dhe dallimi dinë të përputhën  së bashku për të qenë pasuri. Për ta shpjeguar këtë, ai përdor shembullin e orkestrës: “Të mendojmë në portretimin e sinfonisë, që do me thënë përputhje, harmoni, instrumente muzikore të ndryshme, që përplotësohen së bashku; secili e ruan tingullin e vet të pazëvendësueshëm, si dhe tiparet e zërit akordohen mbi diçka të përbashkët. Pastaj është udhëheqësi, drejtori, dhe në sinfoninë që ekzekutohet, të gjithë marrin pjesë së bashku “në harmoni”, mirëpo nuk shlyhet ngjyra e zërit tipik të çdo vegle muzikore; specifika e secilit, aq më tepër, vlerësohet më së shumti”.

Sa bukur do të ishte që Kisha katolike, kudo në botë, edhe këtu në Kosovë, të ishte “Shtëpia e Harmonisë”! Sa bukur do të ishte  që bota, dhe çdo pjesë e saj, përfshirë edhe Kosovën, të ishte vërtet “Shtëpia e Harmonisë”! Sot lutemi së bashku që kjo të ndodhë për hirin e Shpirtit Shenjt, i cili është vërtet Autori i këtij bashkimi në dallime, dhe i cili nuk e ka humbur fuqinë bashkuese që e kishte Kisha në zanafillë, dhe me bashkëpunim e secilit prej nesh, siç na përkujton Koncili i Dytë i Vatikanit, “Kisha është, në Krishtin, në një mënyrë sakrament, ose shenjë dhe vegël e bashkimit intim me Zotin dhe bashkësisë së mbarë gjinisë njerëzore” (LG 1).

Pas pak kohe do ta kam gëzimin për t’ia ndarë rinisë Sakramentin e Krezmimit, e cila ka kaluar një ecje të kujdesshme të përgatitjes.

Tash iu drejtohem juve,  e dashura rini, që jeni shenjë e jetës në rritje. Të një Kishe që rritet. Sot e merrni Sakramenti e Krezmimit. Kjo është  një periudhë e rëndësishme e jetës suaj të krishterë. Është përplotësimi i hirit të pagëzimit, në kuptim që përforcon dhe përtërin pagëzimin që e keni pranuar si fëmijë, duke i “liruar” të themi kështu, fuqitë e fshehura. Lejojani udhëheqjen e ëmbël të veprimit të Shpirtit Shenjt. Ai, si thotë Jezusi, “do t’jua mësojë të gjitha” (Gjn 14, 26), nëse do të dimë të pranojmë me gatishmëri të përvujtë planin e tij dhe frymëzimet e brendshme të tij.

Me krezmim e merrni një detyrim në dobi të rritjes së bashkësisë së krishterë, sipas mundësive tuaja, sipas prirjeve dhe thirrjes tuaj. Të ndihmuar nga barinjtë tuaj, për ta njohur planin e Zotit, prej Ipeshkvit, i cili e kryeson bashkësinë, si dhe meshtarëve, bënë jetën tuaj një dhuratë, “një dhuratë të gjallë” (khs. Rom 12, 1), duke qenë në shërbim të të tjerëve, në familje, në punë, në famulli, në punën vullnetare. Në dhurimin e jetës tuaj, për shërbim ndaj Zotit dhe njerëzve, do ta gjeni plotësinë e lumturisë.

Shikoni përreth jush, për të parë kush ka nevojë për ndihmë, dhe ndihmoni me gatishmëri, edhe jashtë kufijve të famullisë. Mendoni me synime të madha dhe shikoni në largësi. Zgjerojeni zemrën tuaj sipas dimensioneve të botës, aq me tepër, sipas dimensioneve të dashurisë së Jezusit për ne, që hiri i Shpirtit Shenjt, i vendos në ju në ditën e sotme të krezmimit tuaj. Këtë e përkujton Papa Françesku në një katekezë mbi Sakramentin e Krezmimit: “Askush nuk e pranon Krezmimin vetëm për vete. Por për të bashkëpunuar në rritjen shpirtërore të të tjerëve. Vetëm kështu, duke u hapur dhe duke dal prej vetvetes, për t’i takuar vëllezërit, vërtet mund të rritemi, e jo të mashtrohemi kinse po e bëjmë këtë. Atë që e marrim në dhuratë prej Zotit, duhet ta dhurojmë  –  dhurata është për t’u dhuruar – që të jetë e frytshme, e jo e fshehur në dhe për arsye të frikës egoiste…”(Audienca e Përgjithshme, e mërkurë, 8 qershor 2018).

Të përkrahur prej Shpirtit Shenjt, i cili banon në ju, mos të keni frikë që ta bashkëndani trashëgiminë tuaj të pasur shpirtërore edhe me ata që janë të besimeve tjera fetare, për t’u rritur së bashku në njohjen e ndërsjellët, dhe për të zbërthyer energji të reja të vëllazërisë dhe të paqes.

Angazhohuni që të jeni ndërtues të bashkimit në dallime! Edhe pse paqja në këtë Pjesë është tashmë e qëndrueshme, plagët e tragjedisë, e cila ka ndodhur kah mbarimi i shekullit 20, ende nuk janë shëruar plotësisht, dhe kanë nevojën e thellë të faljes dhe të pajtimit, që një shpirt i krishterë nuk mund mos ta përjetojë. Të jeni zejtarë të paqes, gjithmonë, me të gjithë.

Në ditën e sotme të Rrëshajëve, nuk mund mos të mendojmë me falënderim në Virgjërën Mari, Nënën e Kishës dhe ndihmën e të krishterëve. Ajo ishte  zëri i dëgjueshëm i Shpirtit Shenjt, për virtyt të të cilit lindi Shëlbuesin. Le të na mësojë që të hapemi me fe dhe gatishmëri veprimit të Shpirtit në ne, që të sjellë fryte të begatshme. Amen./drita.info

Fotografitë: Besim Ndau

Shpërndaje

Comments are closed.

« »