Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin: Kisha e Prizrenit, dëshmitarja e lashtë e krishterimit ndër shqiptarë!

Jun 12 • Kisha në Kosovë

Në festën e Rrëshajëve, më 9 qershor 2019, në ora 18:00, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Eminenca e Tij, Kardinali Pietro Parolin, ka kremtuar meshën e rishugurimit të Katedrales së rinovuar të Zojës Ndihmëtare në Prizren, në bashkëkremtim me Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, të gjithë klerin e rregulltarët e Dioqezës sonë, e në prani të murgeshave, popullit të Zotit, kryetarit të komunës së Prizrenit, ministrave dhe personaliteteve të larta vendore dhe ndërkombëtare. Në meshe ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e dy bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe Kishës Ortodokse Serbe, ipeshkvi i tyre Teodozije.

Në homelinë e rastit Kardinali theksojë fuqishëm rëndësinë dhe lashtësinë e Kishës së Prizrenit, që është shenja e gjallë e vazhdimësisë të krishterimit ndër ne, që ka dhuruar Kishës Universale shenjtër dhe dëshmitar të mëdhenj – nga Shën Flori e Lauri deri te Shën Nënë Tereza, që konsiderohet simboli i shenjtërisë së shek. XX.

Në mbarim të meshës të shenjtë, vikari gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Don Shan Zefi, e falënderoj kardinalin për praninë e tij duke e konsideruar si një dhuratë të Zotit dhe një dashni të Selisë së Shenjtë për kishën dhe popullin tonë. Pasi bëri një historik të shkurtër të kishës, rinovimit të saj dhe bamirësve që e kanë mundësuar atë, i dhurojë një kryq me shqiponjë të punuar nga filigranët katolikë shqiptar të Prizrenit.

Pastaj, kryetari i Prizrenit, Z. Oskuka, një fjalën përshëndetëse tha se Prizreni është i nderuar që ka sot në vizitë një mysafirë të kaq të nderuar dhe të lartë të Selisë së Shenjtë, dhe i dhuroj një pikturë të skalitur në dru ku paraqitet qyteti i Prizrenit.

Krejt në fund, Mons. Dodë Gjergji, e përmbylli këtë kremtim solemn me falënderim dhe gëzim që Sekretari i Shtetit ka pranuar të vijë e të rishugurojë këtë katedrale. Ai, në fjalën e tij theksojë se kisha në Kosovë është një kishë e gjallë, që kujdeset në ungjillëzimin e çdo njeriu, nuk ndalet të jetë misionare, kujdeset në fushën e drejtësisë sociale dhe i mbron të varfrit.        

Në vazhdim po e japim homelinë e plotë të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Eminencës së Tij, Kardinal Pietro Parolin.

 

Shkëlqesi,

autoritete fetare dhe qytetare,

meshtarë, regulltare dhe rregulltarë, seminaristë,

motra dhe vëllezër në Krishtin,

 

Fillimisht ia drejtoj përshëndetjen e falënderueshme Ipeshkvit tuaj Sh. T. Imzot Dode Gjergjit, i cili më ka ftuar në mënyrë miqësore për rihapjen dhe rishugurimin e kësaj Katedrale të Zojës Ndihmëtare, pas përfundimit të punimeve të rëndësishme të meremetimit. Ajo është dëshmitare e prejardhjes së lashtë të Ipeshkvisë së Prizrenit, sot Prizren – Prishtinë, që vërtet është ndërtuar mbi gërmadhat e kishave të mëparshme, të cilat, sipas të gjitha gjasave, janë nga shekulli V, kohë kjo kur është themeluar Ipeshkvia.

Pastaj përshëndes Autoritetet fatare, në veçanti përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe (ipeshkvin Teodozije të Rashko-Prizrenit), Bashkësinë Islame (Muftiun Naim Tërnava), që mirësisht marrin pjesë në këtë kremtim. Përshëndes Autoritetet qytetare, numrin e bukur të meshtarëve, rregulltareve dhe rregulltarëve, si dhe juve, besimtarë të dashur, duke u falënderuar për mikpritjen tuaj të përzemërt. Kam nder dhe kënaqësi që t’ua sjellë përshëndetjen dhe bekimin e Papës Françeskut, shenjë e kujdesit të Tij të përzemërt ndaj Kishës në Kosovë, si dhe të vëmendjes së Selisë së Shenjtë për bashkësinë tuaj të krishterë, e cila, edhe pse e vogël, është duke dhënë kontributin për rritjen morale dhe shpirtërore të popullit të Kosovës. Ajo është një bashkësi e gjallë, që me shekuj është e pranishme në kontekstin shumë-fetar dhe shumë-kulturor, në një vend udhëkryq i kulturave dhe popujve, që ka qenë e aftë për ruajtjen e gjallë të vlerave fetare dhe të jetës së krishterë, edhe në periudha tejet të vështira, atëherë kur mungonte liria fetare.

Këtë e dëshmojnë modelet e shenjtërisë që kjo Kishë i ka shprehur. Disa prej tyre janë pjesë mes 38 Martirëve të Shqipërisë, të lumnuem në Shkodër, më 5 nëntor 2016. Ky vend, pastaj, ka dhënë prindërit e Gonxhe – Anjeze Bojaxhiut, sot gjithkund e njohur si Shën Nëna Tereze e Kalkutës. Nga këtu lidhja e përzemërt e katolikëve, por edhe e mbarë popullit të Kosovës, që kanë për Nënën Tereze, njëra nga figurat simbol të shenjtërisë të shekullit XX.

Sot festojmë Rrëshajët, të kremten e Shpirtit Shenjt. Në ungjillin e sotshëm Jezusi u premton nxënësve që nuk do t’i lente të vetmuar, por do t’ua dërgonte Shpirtin Shenjt. Atë Shpirt që Ati do ta dërgojë në Emër të tij (Gjn 14, 16;  14, 26; 15, 26; 16, 7). Edhe më tepër, Ai e quan Shpirtin një “tjetër Shpirt” – “Edhe unë do t’i lutëm Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër” (Gjn 14, 16), që domethënë që Shpirti i parë është vetë Jezusi.

Shprehja “Paraklit” domethënë “ngushëllues”, që fillimisht përdorohej në gjykatore, për ta treguar “atë që ishte pranë atij që paditej” për ta mbrojtur, që latinisht i përshtatet ad-vocatus, dmth. avokatit, si “mbrojtës” apo “përkrahës”, në kuptim të zgjeruar “ngushëllues”.

Si duket, nevoja për ngushëllim është një ndër karakteristikat e njeriut të sotëm dhe të çdo kohe. Ngushëllimi është një përkëdhelje, që gjallëron shpresën, një shenjë ngrohtësie, që nuk na lejon të biem në humnerën e dëshpërimit.

Ne nuk e kërkojmë sa duhet këtë Burim të ngushëllimit, që është Shpirti Shenjt. Madje, shpesh, kërkojmë ngushëllim diku tjetër, në siguritë e rrejshme të pasurisë, në kënaqësi, duke e lejuar sundimin gjërave trupore, si shkruan Shën Pali në letrën Romakëve, që liturgjia e sotme e paraqet (khs. Rom 8, 9). Mirëpo, janë ngushëllime kalimtare, që zgjasin një ditë, dhe pastaj na kthejnë në zymti dhe në shpirtligësi. “Mendojnë ata që janë të robëruar nga paraja, pushteti, suksesi, gjërat e kota”, thotë Papa Françesku. “Të mjerët! Kanë ngushëllime të rrejshme, jo atë të vërtetin, që e premton Zotëria” (Angelus, 8 dhjetor 2014).  Sot jem të ftuar t’i kthehemi burimit të  ngushëllimit të vërtetë.

Njëkohësisht, jemi të ftuar që të jemi ngushëllues edhe për të tjerët. “Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të gjithë ata që gjenden në vështirësi, me atë ngushëllim me të cilin Hyji na ngushëllon ne” (2 Kor 1, 4).

Shpirti Shenjt ka nevojë për ne, që të jetë Ngushëllues. Ai dëshiron të  ngushëllojë, mbrojë, nxisë; por nuk ka gojë, duar, sy, që ta bëjë konkrete ngushëllimin, vepron nëpërmjet anëtarëve të trupit të “Tij”, që është Kisha, jemi ne; shërbehet me duar tona, me sy tanë, me gojën tonë, kur duhet lehtësuar ndonjë trishtim, përkrahur ndonjë shpirtligësi, mposhtur ndonjë frikë, plotësuar ndonjë vetmi.

Çdo i pagëzuar mund të bëjë dëshmi, nën ndikimin e Shpirtit, ndaj të afërmit në mënyra të ndryshme, për t’u vërtetuar atësia e Zotit, dashuria e pakrahasueshme dhe e paskajshme; mund të zbatohet në tërësi urdhri  i dashurisë, të përforcohet bujaria ndaj atyre që janë në vështirësi, duke u bërë për ata “ngushëllues”. Kjo domethënë hapja ndaj të tjerëve, pa dallime etnike, kulturore, shoqërore, sepse çdo njeri është një dhuratë dhe një pasuri.

Në Ungjill Jezusi na përkujton haptas që dashuria nuk përfundon thjesht në fjalë, por është zbatimi i urdhërimeve. “Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do, dhe atë që më do mua, do ta dojë edhe Ati im edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem” (Gjn 14, 21). Ai vetë na ka dhënë shembull: iu ka përgjigjur dashurisë së Atit duke e plotësuar vullnetin e Tij.

I krishteri nuk është ndonjë super-hero, që bënë gjëra të jashtëzakonshme apo të mrekullueshme, por njeri që e njeh dashurinë, dëgjimin e Fjalës së Zotit, dhurimin e dashurisë. Këtë e ka përkujtuar shumë mirë Papa Françesku në nxitjen Apostolike mbi Shenjtërinë. Pasi kishte thënë që “Shpirti Shenjt derdh shenjtërinë gjithkund në Popullin e Zotit” (nr. 6), ai vazhdon: “Për të qenë shenjtër nuk kemi nevojë që të jemi ipeshkvij, meshtarë, regulltare ose rregulltarë. Shpesh herë jemi në tundim të mendojmë që shenjtëria është e rezervuar për ata që kanë mundësi të jenë të lirë nga detyrat e ndryshme të përditshme, për t’iu kushtuar për shumë kohë uratës. Nuk është kështu. Të gjithë ne jemi të thirrur që të jemi të shenjtë, duke jetuar me dashuri dhe duke dhuruar secili prej nesh dëshminë në veprimet e përditshme, aty ku jemi”(nr. 14).

Para kësaj mundësie besimtari nuk mund mos ta shpreh ndjenjën e falënderimit dhe të lavdisë. Çka kanë bërë së pari apostujt pas pranimit të Shpirtit Shenjt? Shpallen “veprat e mëdha të Zotit” (Vap 2, 11), domethënë japin lavdi. Po ashtu edhe Maria, Nëna e Jezusit, pasi e ka pranuar Shpirtin Shenjt në mishërim, zbërthen në “Shpirti ime e madhëron Zotin” (khs. Lk 1, 46-55).  Shpirti që gërthet “Abba – o Atë” (Gal  4, 6), frymëzon në të krishterë një uratë drejtuar Zotit, si shprehje të bijësisë së plotë dhe të lavdisë; nëse e duam dhe i mbajmë Fjalën e tij, vetë Zoti, në plotësinë e misterit të trinisë, banon në ne: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia” (Gjn 14, 16).

Parafytyrimi që Jezusi këtu e parashtron është që ne, duke dashur dhe duke mbajtur Fjalën e Zotit, bëhemi shtëpia e Zotit, tempulli i Shenjutërueshmes Trini (khs.  1 Kor 3, 9). Kështu jemi të ndërlidhur me gjestin liturgjik të  bukurisë dhe domethënies së madhe që jemi duke krye: kushtimi i ri i kësaj Katedrale, pas punimeve rrënjësore të meremetimit, që këtu të mund të luteni, të kremtohet Eukaristia dhe sakramentet tjera, të adhurohet Jezusi në Sakrament, të nderohet Virgjëra Mari, së bashku me të gjithë Shenjtërit, të pajtoheni me Zotin dhe me njëri-tjetrin, t’ia paraqitni Atit qiellor vështirësitë, gëzimet dhe shpresat, si pjesë të jetës së çdo njeriu.

Ajo është simbol i tempullit të gjallë, që jemi ne, që është kisha e ndërtuar me gur të gjallë. Ajo na përkujton praninë e Zotit në secilin prej nesh, në mesin tonë, popullin e tij. Në këtë bashkësia e besimtarëve nxjerr hire të nevojshme, në takim me Jezusin, të pranishëm realisht me Fjalën e tij, me Trupin dhe Gjakin e tij, që të jetë vazhdimësia në kohë e misionit të amshuar të Shpirtit.

Përpos kësaj, Katedralja, është vendi ku Kisha vendore e shpreh bashkësinë e saj rreth Bariut – Ipeshkvit, në bashkim të fesë dhe të jetës me atë dhe me Kishën e përgjithshme, dhe njihet si Populli i Zotit, i bashkuar në forma të llojllojshme dhe të dalluara, që burojnë nga karizmat dhe detyrat përkatëse.

Riti i rëndësishëm, të cilin po e kryejmë, ri-shugurimi i kësaj kishe Katedrale, na kthen mbrapa në kohë, na ndihmon që të përkujtojmë fenë e trashëguar nga etërit tuaj, që thekson flijimin dhe lutjen e tyre në vazhdimësi. Njëkohësisht, na ngarkon me një detyrë të gjithëve për fatin e kësaj Kishe, që nuk është e padëmtuar nga ndërrimet dhe sfidat e kohës sonë, dhe ia beson brezit të tashëm dhe të ardhshëm detyrën e madhe të ndërtimit, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, të një bashkësie të besimtarëve gjithnjë më të gjallë dhe jetësore, duke u bërë kështu “tempulli i Shpirtit Shenjt” (2 Kor 6, 16).

T’ia drejtojmë, pra, Zotit, uratën njëzemre, që Kisha Prizren – Prishtinë, e përkrahur nga kujtesa e Rrëshajëve të para, e qëndrueshme dhe e bashkuar në fe, me Marinë, Nënën e Jezusit, mos të ndalet duke klithur: “le të zbresë Shpirti yt, o Zot, dhe përtërije fytyrën e tokës” (khs. Ps 103, 30), përtërije këtë bashkësi të besimtarëve dhe bërë gjithnjë më shumë model të dashurisë. “Eja, o Shpirti Shenjt: mbushi zemrat e besimtarëve dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate” (Kënga e Ungjillit). Amen./drita.info

Fotografitë: Besim Ndau

(Homelia e plotë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, në meshën e shenjtë të rishugurimit të Katedrales së restauruar Zoja Ndihmëtare Prizren, më 9 qershor 2019.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »