Festa e Shën Ndout në Gjakovë

Jun 14 • Kisha në Kosovë

Nga Don Alfred Sokoli

 

Shën Pali VI, papë, kur fliste për shenjtërit e Kishës shkruante: “Bota nuk ka nevojë për mësues por për dëshmitarë. Dëshmitarë të së Vërtetës që na bën të lirë dhe që me jetën e tyre tregojnë si të jetojmë dashurinë”.

Me këtë mund ta përshkruajmë disi edhe figurën e Shën Ndout, shenjt i mrekullive, predikatar i shquar dhe sidomos dëshmitar i vërtetë i Ungjillit. Ky shenjt, aq i përhapur në mbarë botën dhe i dashur edhe për popullin tonë shqiptarë, festohet me 13 qershor në disa famulli të Dioqezës Prizren-Prishtinë: në Gjakovë, Prishtinë, Gllogjan dhe Binçë. Mijëra besimtarë ngarendin nëpër këto famulli, në mënyrë që t’i shprehin ndjenjat e tyre të besimit dhe devocionit ndaj këtij shenjti të madh.

Këtë vit, në famullinë e Gjakovës, meshën e kremtoi Ipeshkëvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në praninë e shumë meshtarëve, motrave të nderit e sidomos para një turme të madhe të popullit të ardhur nga të gjitha vendet e Kosovës.

Bariu i Kishës tonë, filloi duke i përshëndetur shtegtarët e ardhur në kishën e “Shna Ndout” në Gjakovë, duke u lutur bashkë me ta dhe duke kërkuar ndërmjetësinë e shenjtit. “Një ditë e veçantë në këtë kohë hiri për Kishën tonë” – tha Ipeshkvi ynë duke shtuar se ndihma e shenjtërve është gjithmonë e domosdoshme për ne pasi që ata janë paraardhësit tanë në zbulimin e së Vërtetës dhe në zbulimin e dashurisë së Hyjit për njerëzimin.

Gjatë predikimit Ipeshkëvi tha: “Duke u mbështetur në leximet që na ofron liturgjia e kësaj dite mund ta përshkruajmë jetën e Shën Ndout, e po ashtu ta kuptojmë qëllimin e vërtetë të jetës sonë dhe mënyrës se si Zoti vepron në ne. Në leximin e parë, prej librit të Urtisë na përshkruhet jeta ideale me Zotin, i cili nuk kërkon asnjë pasuri nga ne dhe na liron nga ajo që është e tepërt e që na ndan nga Ai. Psalmisti shton se mbështetjen e ka vetëm tek shkëmbi i vërtetë që është Zoti e ne si besimtarë, këtu në këtë vend të shenjtë, jemi të thirrur ta gjejmë mbështetjen, sigurinë dhe forcën tonë në këtë shkëmb qëështë Kisha e drejtuar nga Jezu Krishti, Zoti ynë…

Ungjilli tregon dërgimi e apostujve nga Jezusi që të predikojnë në mbarë botën, duke mos u ndalur para asgjëje, sepse Shpirti i Zotit do ti përcjellë gjithmonë, në çdo vepër që ata do të kryejnë. Mrekullitë dhe dëshmia e tyre do të përcillet me shenja të vazhdueshme… Këto shenja dhe këto mrekulli po i shohim sot ndër ne, sepse Shpirti i Zotit po vepron në këtë Kishë duke na dhënë një kohë hiri të cilën paraardhësit tanë e kanë pritur me shekuj… Ngritja e Kishës sonë si Dioqezë e re së bashku me vizitën e Delegatit Apostolik dhe Nuncit apostolik për Kosovë dhe vizita e madhe, historike e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, janë shenja të dukshme të asaj që Zoti po vepron ndër ne”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »