SHËN NDOU NË PRISHTINË: Shenjtërit, kujdestarët e dashurisë së Zotit për njerëzit

Jun 14 • Kisha në Kosovë

Nga Mrika Ibraj

 

Pas mjeteve e lutjeve të 13 të martave të Shën Nout, me 13 qershor në te gjitha famullitë e Dioqezës Prizren-Prishtinë, është kremtuar dita e këtij Shenjti, e në veçanti në famullinë  e Gjakovës, Binçës, Gllogjanit e Prishtinës, që e kanë për pajtor këtë të shenjtë mrekullibërës e universal të botes, të cilit i luten jo vetëm të krishterët, por edhe njerëzit e besimeve tjera. Në veçanti shqiptarët dëshmojnë se e nderojnë dhe e lusin me shpirt Shën Ndue.

Ne famullinë e Prishtinës, në kishën e Shën Ndout në Ulpianë, janë kremtuar dy meshë. E para në gjuhën kroate, të cilës i ka pri Don Mate Paliq, famullitar i Janjevës, kurse meshln solemne të të kremtes e ka celebruar Don Ndue Ballabani, famullitar i Budisalcit, në bashkëmeshim me meshtarë të tjerë, në praninë e  motrave, seminaristeve e shume besimtarëve jo vetëm të Prishtinës, por edhe nga famullitë tjera te Dioqezës Prizren-Prishtinë. Dhe mesha e tretë për këtë festë është kremtuar në mbrëmje në praninë e shumë besimtarëve në Katedralen Shën Nënë Tereza, e prirë po ashtu nga Don Ndue Ballabani.

“Sot jemi bashkuar në ketë kishë për t’i dhënë nderim dhe lavd Shën Ndout, i cili gjatë gjithë jetës së vet e ka kultivuar dashurinë e Zotit dhe ka ditë që jetës t’ia jep kuptimin e plotë, sepse jeta jonë është vërtetë dhurate e Zotit! 

“Zoti, gjatë tërë historisë ka dërguar njerëz për të na pri në udhën e drejtë të shenjtërisë. Këta njerëz i gjejmë në Besëlidhjen e Vjetër, profetë, njerëz të drejtë e shenjtër, që e kanë kushtuar jetën e tyre Zotit. Edhe në historinë e Kishës gjejmë këso njerëzish që dallojnë për nga shenjtëria e na udhëheqin në rrugën e Zotit. Njëri ndër këta ishte edhe Shën Ndou, i cili lejoj që dashuria e Zotit të jetë e pranishme në jetën e tij e të reflektohet në jetët e të tjerëve. Për këtë arsye edhe ka bërë mrekulli” – tha ndër tjera Don Ndou.

“Megjithatë, neve sot, shpesh po na ndodh që t’i harrojmë mrekullitë e shenjtëve, virtytet, e porosite e tyre. Ndoshta, për këtë edhe ndjehet zbehja e respektit, e nderimit, e dashurisë ndaj njeri tjetrit, e më shumë del në sipërfaqe egoja, lakmia… Kjo ndodhur ne nuk lejojmë të banojë në ne dashuria e Zotit, e kështu bëhemi të paaftë të kuptojmë dashurinë e Zotit, bëhemi të paaftë të peshojmë dashurinë e etërve të kishës dhe mësimet që na i japin çdo dite, për të mundësuar që të kemi një jetë me të lumtur, me të bujshme, me një fjale, një jetë të lidhur me Zotin” – tha Don Ndue Ballabani. Ai me pas u përqendrua edhe tek fenomenet e këqija që e tregojnë mungesën e dashurisë së Zotit.

Me pas, famullitari i Prishtinës, Don Fatmir Koliqi, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit tha : “Me këtë rast, dua ta falënderoj Zotin e Shën Ndoun për këtë ditë të mirë dhe për këtë kremtim eukaristik, që jemi bashkuar nga shumë vende në këtë kishë të shenjtit. I përshëndes besimtarët dhe të devotshmit e Shën Ndout, që kane ardhur nga famullitë tjera të Kosovës, Jajneva, Pershteri, Ferizaji, Stublla,  por edhe nga Shkupi, një tradite kjo e vjetër, ku shqiptarët dhe kroatët nga Shkupi vijnë për ta bashkëndarë gëzimin e kësaj feste bashkë me ne. E falënderoj Don Ndue Ballabanin, famullitar i Budisalcit, që sot e udhëhoqi këtë meshe të shenjtë të festës sonë dhe na nxiti me fjalë të bukura ta ndjekim Shën Ndoun më afër, me fjalë dhe jetë. Pasi Don Ndou e mban emrin e Shenjtit, atëherë ky e ka sot ditën e emrit. Më lejoni të që emër të të gjithë juve ta uroj për këtë ditë e t’i dëshirojmë që Shën Ndou të ndërmjetësojë për të dhe të nxjerr hire e bekime prej Zotit për shërbimin e tij meshtarak”, ishin fjalët e përgëzimit të Don Fatmir Koliqi.

Në mbarim të meshës u ba bekimi i fëmijëve dhe të sëmurëve të rritur nga kremtuesi. Meshët në Prishtinë ishin transmetuar drejtpërdrejt nga Radio Maria e Kosovës, përmes të cilës është mundësuar pjesëmarrja radiofonike e shumë besimtarëve të sëmurë dhe pleq, që nuk kanë mundur të marrin pjesë në këtë ditë të bukur feste./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »