Trinia e Shenjtë: Dashnia bashkëndarëse dhe dhuruese!

Jun 15 • LEXIMET E SË DIELËS

Trinia e Shenjtë  (C)

 

 Leximi i parë   Fu 8, 22-31

Qysh në Besëlidhjen e Vjetër flitet në mënyrë të mistershme për Trininë e Shenjtë. Dituria e Hyjit është paraqitur si një person që vepron në momentin e krijimit dhe në ngjarjet e historisë njerëzore. Ajo i jep një kuptim botës sipas planit të Hyjit.  Kur Biri i Hyjit bëhet njeri dija merr një emër: Jezu Krisht.

 

Lexim prej Librit të Fjalëve të urta

Urtia e Zotit flet: “Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta, qysh në fillim, para se të krijonte ndonjë send. Kam qenë shuguruar prej amshimit, qysh në kohet më të lashta, para se të krijohej toka. Ende nuk ishin humnerat e unë isha e ngjizur, ende nuk ishin burimet e ujërave të shumta, para se të viheshin themelet e maleve, para se të ishin kordrat, unë linda. Ende nuk e kishte krijuar tokën as fushat, as elementet e para të pluhurit të tokës. Kur i ujdisi qiejt, unë isha pranë, kur e kufizoi me ligje të sigurta rrethin e humnerës, kur në lartësi i dendi retë, kur i bëri të fuqishme burimet e humnerës kur ia vuri kufirin rrethues detit dhe ujërave që të mos i kalojnë kufijtë e vet, kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor: kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve. Fjala e Zotit.

 

 Psalmi   8

Ref: O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është Emri yt!

————————————–

Kur e sodis qiellin, veprën e gishtave të tu,

hënën e yjet që ti u dhe qendër,

çka është atëherë njeriu që ta kujtosh,

biri i Adamit që të përkujdesesh për të?

————————————–

E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt,

e kurorëzove me lavdi e shkëlqim,

i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua.

————————————-

Gjithçka vure nën këmbët e tija:

delet e kafshët të gjitha,

për më tepër edhe egërsirat e fushës,

shpendët e ajrit dhe peshqit e detit,

të gjitha që përshkojnë udhët e detit.

————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 5, 1-5

Jeta jonë është e gjithëpërfshirë në misterin e Trinisë së Shenjtë. Gjithçka na dhurohet nga Ati nëpërmjet Birit në Shpirtin Shenjt; por gjithçka ngjitet përsëri te Ati me anë të Shpirtit Shenjt nëpërmjet Birit. Themeli i shpresës së krishterë është dashuria e Hyjit derdhur në zemrat tona nga Krishti mbi kryq dhe nga Shpirti Shenjt i cili vepron në ne.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për vuajtje, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar, e besnikëria e sprovuar sjell shpresën. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.

Aleluja.

 

Ungjilli   Gjn 16, 12-15

Jezusi na zbulon se Ati i ka komunikuar jetën dhe të vërtetën e vet Birit.  Biri na e komunikon neve nëpërmjet Shpirtit Shenjt.  Fjala e Hyjit vazhdon akoma t’u flasë zemrave të njerëzve edhe pas largimit të Jezusit.  Akoma sot, nëpërmjet profetëve, gra dhe burra të ndriçuar nga Shpirti, Ungjilli nuk mbetet një libër i së shkuarës, por një forcë jetësore që shndërron historinë. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

“Besoj në një Hyj të vetëm”: është besojma e hebrenjve, e të krishterëve dhe e muslimanëve. Por ne besimtarët në Krishtin vazhdojmë duke thënë besoj në “Atin… Birin… e Shpirtin Shenjt”. Hyji ynë nuk është një Hyj i vetmuar e i padepërtueshëm, por është një familje personash të bashkuar në dashuri, është Trinia e dashurisë. Vepra e Trinisë është krijimi, por sidomos shpëtimi. Ati na ka dashur i pari e na ka dërguar Birin e vet. Biri ka bashkëndarë krejtësisht situatën tonë njerëzore deri në atë pikë sa vdes për dashuri e ringjallet, për të na dhuruar shpëtimin.

“E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën”. Ati dhe Biri na dhurojnë Shpirtin Shenjt, që na zbulon jetën personale të Hyjit dhe çon besimtarët drejt takimit me Hyjin. Kështu Hyji na fton të jetojmë një marrëdhënie dashurie me Të që tani, për të marrë pjesë në amshim në lumturinë e tij të amshuar. Shpirti i së vërtetës na udhëheq të njohim Jezusin – të vërtetën, që na ka zbuluar plotësisht Hyjin Atë e dashurinë e tij për njerëzit.

“Dashuria e Hyjit u derdh në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt”. Prania e Shpirtit në besimtarët na siguron se Hyji na do. Falë Shpirtit, që bashkon Atin dhe Birin, në besimtarin banon e gjithë Trinia, që është shtëpia ku ne banojmë, kraharori i ngrohtë në të cilin zhvillohet jeta jonë. Ekzistenca e krishterë është një marrëdhënie dashurie me Atin e Birin e Shpirtin Shenjt.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’i lutemi me besim Zotit Atë, që çdo ditë na ofron besëlidhjen e tij në Birin Jezus e na përtërin me Shpirtin Shenjt: Të lutemi së bashku e të themi.

Na dëgjo, o Atë.

L. O Atë, ke bërë që Biri yt Jezusi, të lindë në mes nesh; na ndihmo me Shpirtin tënd të jetojmë Fjalën e tij. Të lutemi.

L. O Atë, na e ke dhënë Jezusin si model dashurie e mëshire: na ndihmo me Shpirtin tënd që të bëhemi të afërm të vëllezërve që takojmë. Të lutemi.

L. O Atë, në Jezusin je bërë i pranishëm nëpër rrugët tona: na ndihmo me Shpirtin tënd për të qenë dëshmitarë besnikë të dashurisë sate. Te lutemi.

L. O Atë, na ke urdhëruar të pagëzojmë të gjithë popujt në emrin tënd: na ndihmo me Shpirtin Shenjt që të shpallim me jetën tonë, atë që kremtojmë në këto mistere. Të lutemi.

L. O Atë, bëj që kjo asamble e së Dielës të shfaqë nëpërmjet fjalës dhe Eukaristisë një himn lavdërimi për Trininë e Shenjtë. Të lutemi.

M.O Hyj, nëpërmjet Birin tënd të vetëm, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, bekoji ata që të thërrasin Atë, që të kërkojnë me besnikëri, të njohin në të vërtetën e të duan me sinqeritetin e zemrës. ëpër Krishtin Zotin tonëAmen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

«