Zoti kurrë nuk është i komplikuar dhe dinak

Jun 15 • Meditimi i ditës

15 qershor 2019 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 19, 19-21; Ps 15; Mt 5, 33-37)

 

Prania e Hyjit

I dashur Zot, më ndihmo që të jem i/e hapur ndaj teje,
gjatë kësaj kohe po i vë mënjanë shqetësimet e kësaj bote.
Mbushe mendjen time me paqen tënde, me Dashurinë Tënde.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke e përjetuar/ndier veten sot?

Si jam duke u sjellë me Zotin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
Diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të kërkoj falje.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm

dhe që ai mund të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo, dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 


Mt 5, 33-37


Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet:

33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 34 E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë37 Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”


Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi kërkon prej nesh që tëjemi të thjeshtë dhe të ndershëm. Pasi të jetë thënë njëherë e vërteta, do të mjaftojë një po ose një jo.A mund të besojnë njerëzit se jam dashamir i së vërtetës?
  • Vendet e shërbesës hyjnore, si edhe vetë Hyji, janë të shenjta dhe ne i nderojmë në mënyrën se si flasim për to apo i përmbushim premtimet apo kushtet/besën që ia kemi dhënë. Hyji na ka krijuar dhe ai na do. Jezusi na tregon se thirrja e emrit të Hyjit si dëshmitar ka rëndësi të madhe. Ekzistojnë momente kur i përkulemi lavdisë së Hyjit në lutje dhe jetë duke e ditur se i takojmë dikujt i cili është shumë më i lartë se ne, Atij i cili e krijoi qiellin e tokën.I lejoj Zotit që t`i “lexojë” dëshirat e thella të zemrës sime që shkojnë përtej fjalëve të mia.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe njëherë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot, besimi i thjeshtë le të komunikojë gjithçka që do të them sot. Ti kurrë nuk ke qenë i komplikuar dhe i pandershëm, dinak. Ti thjeshtë i ke dashur Atin dhe njerëzit nga thellësia e zemrës sate. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »