Shën Niketa i Remesianës ose Shenjtori dorëpërdore me harmoninë

Nga Prend BUZHALA

 

 

Të përlëvduom, o Ati Ynë,
Te Deum laudamus
me adhurimin e rruzullimit dhe të engjëjve:
Bekoje Ilirinë, bekoje Dardaninë,
bekoje këtë rruzullim!
shih si luftojnë ushtri me ushtri,
shih si vrasin me tërbim,
shih ç’armiq mizorë mësyjnë drejt nesh
për toka të pëlleshme,
vijnë ushtri të huaja nga deti e vijnë nga fusha,
vijnë nga mali e nga grykat e lumenjve,
nuk iu gëzohen të mirave
që na i dhuron madhështia e lavdisë sate.
Edhe te Shkrimet e Moçme thuhet:
ne s’jemi vetëm trup, po edhe shpirt,
e shpirti s’ka si të jetë i gjallë
nëpër thertore e gjakderdhje,
e shpirti i fjetur e i mbështjellë palë-palë palosur
theret, përplaset, vajton, ulërin, ha veten,
harxhohet i tëri,
parakalon si fantazmë apokalipsi pranë varreve,
Ylli i Mbrëmjes e Ylli i Mëngjesit
lotojnë me Korin e Engjëjve,
mbi varre pa emra e mbi emra kalorësish dardanë,

 

  1. KORI I APOSTUJVE DHE I PROFETËVE

 

Thirra Korin lavdimadh të Apostujve e Profetëve,
thirra dyzet dit e dyzet net,
duke u endur brigjeve të lumenjve dardanë
e të Dakisë.
Iu luta Ushtrisë së Bardhë të Martirëve
e shenjtërve dardanë të therur
që ranë fli për Lavdinë e Hyijit.
E më dëgjuan:
Ja, Kori vjen pranë meje!
Vjen lavdiplotë.
Atëherë zbriti Harmonia,
kjo perëndeshë dardane e fjalës dhe tingullit
e më dha frymëzim për ta shkruar Te Deum-in,
si një Orë e Mirë.
Aty, në heshtje, me mua këndonte Kori i Apostujve,
e Kori i profetëve shqiptonte Fjalët e Besojmës.
Dhe ligjërova përpara Polemit të Dheut Tim:
a nuk është kohë e gjithçkaje që shkon mbrapshtë,
a nuk është kohë
edhe e çudive të mëdha e të pabesueshme?
E zëri i kerubinëve shpall
mbi plojë e shplojë e mbulojë:
I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Hyji.
E iu lut Hyjit përmes Himnit tim:
”O Zot, shpëto popullin tënd
dhe beko pasardhësit e tu!”
Duam Çlirimin nga Pjella e Barku i Urrejtjes.

 

  1. SHTEGTIMET E NIKETËS NGA DARDANIA

 

Isha një eremit, kur u ngjita te Aeropagu i Athinës,
aty ku bekoi Shën Pali
e nëpër valët e Egjeut deri në Thesalonik,
e me Shtegtimin e Gjatë këmbë
deri te Filipi i Maqedonisë,
nëpër të Dy Epirat e nëpër Daki,
u ktheva në Scupi: aty rrugëve të pasigurta
më erdhi Engjëlli Mbrojtës,
e pashë të papashmen kohë, Të Pathënshmen Fjalë,
atë shikim që nuk e njeh Bota Jonë,
Të Tejetlartin e Pashqyrtueshëm.
Ndjeva Hirin e Dashurisë
që na çliron nga Barku i Urrejtjes
nëpërmes Barkut të Frytit të Zojës së Bekueme,
e nëpër sa e sa vende,
nëpër Lumin e Zi e nëpër Vardar,
nëpër Lihnidë e te faltoret e Florit e Laurit në Ulpianë
që i martirizoi perandori Hadrian,
nëpër Sirmium e Sardikë, nëpër Via Egnatia,
e deri te Naisusi ynë,
aty ku është Shën Gërguri ynë.
Deri aty ku vetë Shën Mateu përhapi Fjalën e Hyjit
te dardanët e bastarnët, te maqedhonët e trialët.
Unë e çova tutje Këtë Fjalë: te besët e çmendur
që u bënë qengja të perëndishëm.

Dy Herë u nisa te miku im Pal Noliani në Romë,
te Festimet e tij në Kremtet e luleve,
aty na priti Zonja e tij
që ndau me të fatin në Spanjë e nëpër botë,
e na solli ushqime frutash e ujë lulesh.
Aty lexova Dorëshkrimet e Tij:
Natalicia, poezitë Carmina varice
dhe Epistolat e Bekimit
për t’i dërguar njerëzit në Rrugë të Drejtë.

 

  1. SHENJTORI QË E ÇONTE KUDO ZOTIN ME KËNGË

 

Oh, si më lartësoi Miku Im i Shenjtëruar!
Ai e pa Renë e Lehtë që më përcillte në shtegtim
tek e bartte Misterin e Kryqit që e dërgoja në Nola
e pa dhe ajrin që e bartte Tingullin Hyjnor,
dhe valët që e shumëzonin bekimin e Fjalës së Hyjit
e shtegtimin tim e quante Fluturim të Fuqishëm
Quem potens rerum Dominus fugari.
Ai e dinte se kam etje, etje sfilitëse
dhe etje shpirti,
e dinte
se e thërrisja shiun, kur ai e quante femër e bukur,
e më priste si do t’ua sillja Zotin me Këngë
me Artin e Shndërrimit të tingullit në një tjetër zë.
E krejt këto Pal Nolani i këndoi te Carmina XVII.

 

  1. NYJAT E SHPIRTIT

 

E bëra timin Mësimin e Madh të Shën Palit:
Për Njeriun në Jetë,
Njeriun Qenie e Njeriun në Lëvizje,
E nga I Madhi Pal i Nolës
mësova për Njeriun e Brendshëm, Në Vetvete,
aty ku Lidhjen Fizike
e zëvendëson Nyja Shpirtërore,
ku Bijtë e Jezuit janë Një Trup e Një Shpirt
e Komunikimi Shpirtëror
i vë kikat midis hapësirave,
e me Dashurinë e Hyjit për t’u shkrirë në dritë,
e njeriu nuk qëndron i fshehur
as larg nga sytë e këtij shikimi të papashëm!
As nga shtëpia e vëllait fisnik
diku në Sardikë apo Kordovë
në Nike apo në Smirnë,
ku gjenden faltoret e zemrës,
apo deri te Katakombet e Shenjta martire
të Ursiusit, Stridonit, Panonisë, Dakisë e Dardanisë.
Dhe, si Njeri në Lëvizje,
pashë mahnitjen e natyrës,
po edhe mizoritë e thertoret e ushtrive të huaja,
e thashë: O Zot, a s’të ngjajmë Ty në Pamje,
dhe a s’e kundërshton këtë gjë Koha Jonë?
E Zëri më tha:
mirë, a mund të thuash se kjo nuk është e vërtetë?!
Unë tash i shoh qartë ato fytyra e ato pamje,
kudo që të gjendem.
O ju popuj, Një është Ai Zot,
me Atin e Të Birin e Shpirtin Shenjt
E luftërat e shenjta së fundmi
vetëm ua mbyllin sytë mbretërve të vdekur
për të cilët vriteni ju nëpër shekuj e mijëvjeçarë.
Oh, po! Por prapë atë formë që e morëm,
atë do ta shpërbëjmë në vdekje
ashtu si erdhëm në këtë botë,
ashtu i kthemi prapë Tokës Mëmë.

 

  1. DARDANIA OSE QENGJI I FLIJIMIT

 

E nga Hiçi erdhëm
e në Hiçin pluhur të Hyjit shkojmë,
e vetëm Qenia e Përbrendshme nuk humb,
askush nuk e di se kah vjen e kah shkon…
vetëm mund t’ju them
shpesh zbres nëpër vendet tuaja
për t’i bërë blata Hyjit,
për të mos e bërë Dardaninë Qengj të Flijimit.
Nuk e dija se Dardania
qenka Besëlidhje e shumë popujve,
atë e mëmë kombesh, si Abrahami dikur
ku miku bëhet armik e armiku mik.

E prapë thashë: O Zot, a s’të ngjajmë Ty në Pamje
si miku si armiku?
I prek me dorë aty fare pa qenë.
Dhe ekzistoj aty ku fare nuk do të jem.
Dhe jam aty ku Fjala e Tingulli
flasin e këndojnë për mua e për ju
për paqe e dashuri në botë
në shekuj të shekujve
e në mijëvjeçar të mijëvjeçarëve./drita.info

 

Fotografia në ballinë: Vitrazhi i Shën Niketë Dardani në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Shpëndaje: