A lutem para ngjarjeve të rëndësishme?

Jun 23 • Meditimi i ditës

23 qershor 2019 – E diela 12-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zak 12,10-11; 13,1; Ps 63,2-6.8-9; Gal 3,26-29; Lk 9,18-24)

 

Prania e Hyjit
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodh“.
Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria
Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet se çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të rritjes sime.
Lutem për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.
Më mëso se si të njoh në të tjerët.
Mbushe zemrën time me falënderim për shkak të dashurisë sate
të cilën ma ke treguar nëpërmjet njerëzve tjerë.

 

Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.
Lexoj ngadalë
dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Lk 9,18-24

 

18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ishin me të vetëm nxënësit e tij ai u bëri këtë pyetje:
“Kush thonë njerëzit se jam unë?”
19 Ata iu përgjigjën:
“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”
20 “Po ju i pyeti atëherë ata kush mendoni se jam unë?”
U përgjigj Pjetri:
“Ti je Mesia i Hyjit!”
21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.
22 E vazhdoi:
“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”
23 Pastaj iu drejtua të gjithëve:
“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. 24 Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

• Kur qe pyetur Pjetri dha përgjigje të mirëfilltë: “Mesia – Krishti – i shuguruari i Hyjit!” Por kjo megjithatë ishte dije e arsyes/mendjes. Ai më vonë do ta mohojë që e njeh Jezusin. Por te liqeni do të tregojë se zemra e tij ishte plotësisht e përfshirë: “Ti e di se unë të dua!”
• Vë re se kjo ngjarje del nga lutja e Jezusit. Luka na jep kështu një aluzion se ajo çfarë është duke thënë Jezusi ka një domethënie kyçe. A lutem para ngjarjeve të rëndësishme duke kërkuar të jem në përputhje me vullnesën e Zotit?

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Qëndro aty, në atë fjalë që të lë mbresa – dhe shijoje atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi
Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?
A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?
E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,
i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja
Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »