FESTA E ZEMRËS SË KRISHTIT: Ditë kushtuar lutjes për shenjtërimin e meshtarëve

Jun 27 • Këndvështrime

Nesër, e premte, më 28 qershor 2019, është festa e Zemrës së Krishtit, e cila tash disa vite është caktuar të jetë ditë e kushtuar lutjes për shenjtërimin e meshtarëve.

Si viteve tjera, meshtarët e Kosovës edhe sivjet do të shtegtojnë në Kishën e Zemrës së Krishtit në Viti për të kremtuar meshën e shenjtë në ora 11:00, të cilës do i prijë Ipeshkvi i ynë, Imzot Dodë Gjergji, me qëllim që ta ripërtërijnë kushtimin e tyre për dhuratën e paçmueshme të meshtarisë që e kanë marrë nga kjo Zemër Hyjnore.

 

PAK HISTORI

Festa e Zemrës Tejetshenjtë të Krishtit, që me shumë devotshmëri kremtohet edhe në popullin tonë shqiptar, është relativisht e kohës së vonshme, edhe pse devocioni ndaj Saj është i njohur edhe para se të shpallej kjo festë nga Kisha dhe para se t’i dëftohej Jezu Krishti Shën Margaritës.

Kjo festë për shumë vite ka bashkuar besimtarët tanë në Katedralen e Shkupit, që i kushtohet Zemrës së Krishtit, por pas vitit 2000, falë Zotit edhe në Kosovë i janë kushtuar Zemrës së Krishtit dy kisha të reja, ajo në Jagodë dhe në Viti. Besojmë se gjithnjë e më tepër do të shtohet devocioni ndaj kësaj Zemre, e cila shpreh dashurinë e madhe të Zotit të shfaqur ndaj nesh. Mbi të gjitha, përpos këtyre tempujve të shenjtë kushtuar Zemrës së Krishtit, dëshira e zjarrtë e jona duhet të jetë kushtimi i zemrave tona Zemrës së Tij.

Devocioni ndaj Zemrës së Krishtit ka filluar të jetë një devocion që në shek. XII, me Shën Bernardin. Por, mund të thuhet se shenjat e para të kësaj përshpirtërie i hasim në shkrimet e etërve të Kishës, si për shembull në shrimet e Shën Gjon Gojartit apo te Shën Augustinit. Ata shkruajnë mbi gjoksin e shporuar të Shëlbuesit prej të cilit rrodhi gjak e ujë e që njëkohësisht janë burimi i lindjes së Kishës dhe lulëzimit të sakramenteve.

Ky devocion do të vazhdojë të përhapet gjatë mesjetës edhe përmes dëftimeve që i bëhen shenjtës Lutgardë (1246). Kjo shenjtëreshë mistike e bashkësisë së Helftës, një ditë ftohet nga Shën Gjoni që bashkë me të të pushojnë mbi parzmën e Krishtit, dhe kjo e pyet Shën Gjonin: “Përse nuk i’a ke zbuluar botës kënaqësinë që ke përjetuar i mbështetur në parzmën e tij në Darkën e mbrame”, dhe ai i përgjigjet: “Misioni im i vetëm ishte që t’ua zbuloj njerëzve natyrën hyjnore të Fjalës së Mishëruar”.

Shën Gertruda dhe Shën Matilda me shkrimet e tyre do të bëhen instrumente në përhapjen e këtij dëftimi që do të pranohet mirë sidomos në Gjermani.

Kur flasim për festën e Zemrës së Krishtit, nuk mund të mos e përmendim edhe Shën Margheriten Maria Alacoque, e cila ditën e festës së Shën Gjonit Ungjilltar, më 1673 përjeton një vizion. Derisa ishte duke adhuruar para të Shenjtërueshmit Sakrament asaj i duket, i shfaqet Jezu Krishti i gjallë. Ajo vëren se zemrën e Tij ia rrethonte një flakë, therrat e kurorëzonin atë ndërsa mbi zemër kishte një kryq. Kjo dukje do të ndodhë për dy vjet rresht, çdo të parën të premte të muajit, ndërsa më 1675, ditën e festës së Korpit të Krishtit, Krishti i dëftohet me gjoksin e hapur, dhe duke ja treguar zemrën i thotë: “Qe kjo zemër që aq shumë i ka dashur njerëzit… Kam një etje të madhe të jem i dashur prej njerëzve sidomos në Sakramentin e Tejetshenjtë, por nuk po e gjej askënd, që sipas dëshirës sime do ta shuaj këtë etje”.

Krishti kërkon prej saj që të themelojë devotshmërinë e nëntë të premteve të muajit, dhe i premton se ata që do ta nderojnë Zemrën e tij dhe kungohen gjatë këtyre të premteve, do të shpërblehen me dashurinë dhe bekimet e tija.

Më 1856, Papa Piu IX e shpall të kremte këtë festë për mbarë Kishën, ndërsa më 1899, Luani XIII publikon enciklikën “Annum sacrum” më 25 maj 1889 dhe ia kushton botën ja kushton Zemrës së Krishtit. Që nga ajo kohë deri në ditët e sotme, devocioni i bukur ndaj Zemrës së Krishtit vazhdon të përhapet në popullin e krishterë të të gjitha vendet e botës me shumë përzemërsi.

Zemra fizike është simbol i dashurisë. Edhe sipas ligjeve të natyrës njerëzore, të cilët feja dhe liturgjia jo vetëm se nuk i kanë kundërshtuar, por i kanë përdorur në simbolikën e tyre duke shprehur në mënyrë më të kuptueshme dashurinë e Krishtit ndaj njerëzve. Shën Tomë Akuini thotë: “Të imagjinosh se objektet nuk janë të nevojshme për të na afruar te Zoti, është e barabartë me faktin: të harrojmë se jemi njerëz”.

Edhe teologët thonë se Papa Piu XII, në “Haurietis aquas” e shpjegon mirë motivin e devocionit ndaj Zemrës së Krishtit duke e identifikuar me dashurinë e Tij ndaj njerëzve. Prandaj, kur e adhurojmë Zemrën e Krishtit, ne e çmojmë pa masë dashurinë e tij ndaj nesh. Mos të harrojmë se ajo Zemër edhe në aspektin fizik ka vuajtur për ne, me qëllim që të na shfajësojë prej mëkateve. Ai kërkon tani prej nesh që t’i kushtohemi me gjithë vetveten, sepse Zemra e tij pret përgjigjen tonë – dashurinë – zemrën tonë.

O i lumi Jezu Krisht, zemër butë e i përvujtë. Bëj që zemra ime t’i përngjaj Zemrës sate!

 

LUTJE

Lutja për meshtarët

O Zot Jezu, i pranishëm në Shenjtërueshmin Sakrament,

që ke dashur të jesh Prani e përhershme ndër ne

nëpërmjet meshtarëve të tu,

bëj që fjalët e tyre të jenë përherë të tuat,

gjestet e tyre të jenë gjestet e tua,

jeta e tyre të jetë reflektim besnik i jetës tënde.

 

Le të jenë ata që i flasin Zotit për njerëzit,

e njerëzve për Zotin.

Që mos të kenë frikë që duhet shërbyer,

duke i shërbyer Kishës në botë,

në të cilën ajo ka nevoje të shërbehet.

 

Le të jenë njerëz dëshmitar të amshimit në kohën tonë,

duke ecur me hapat e tu nëpër rrugët e historisë

e duke ju bërë mirë të gjithëve.

Le të jenë njerëz besnik ndaj veprimtarisë të tyre,

të pakursyer në thirrjen dhe në dhurimin e tyre,

pasqyrë e ndritur e identitetit meshtarak

e të jetojnë në gëzimin e dhuratës së pranuar.

 

Këtë po ta kërkojmë nëpërmjet Marisë Virgjër, Nënës tënde:

Ajo që ka qenë e pranishme në jetën tënde,

le të jetë përherë e pranishme në jetën e meshtarëve të tu. Amen.  

 

Lutja e meshtarit

O Zot, Ti më kë thirrur në shërbesën meshtarake

në një moment konkret të historisë, në të cilën,

si në kohët e hershme apostolike,

kërkon që të gjithë të krishterët,

e në mënyrë të veçantë meshtarët,

të jenë dëshmitarët e mrekullive të Hyjit

e të fuqisë së Shpirtit tënd.

 

Bëj që unë të jem dëshmitar i dinjitetit të jetës njerëzore,

madhërisë së dashurisë e të fuqisë së shërbesës që kam pranuar:

gjithçka e jetës sime, tërësisht është e dorëzuar Ty,

nga dashuria dhe vetëm nga dashuria, për një dashuri më të madhe.

Bëj që jeta ime në celibat të jetë një “po” e hareshme dhe e gëzueshme,

që lind nga kushtimi im për Ty

e për të tjerët, në shërbim të Kishës.

Më jep forcë në ligshtit e mia

e bëj të të falënderoj për fitoret e mia.

 

O Nënë, ti që e ke shqiptuar “po”-në më të madhe

dhe të mrekullueshme të të gjitha kohëve,

bëj të dijë ta shndërroj jetën time për çdo ditë

në një burim zemërgjerësie e kushtimi,

dhe afër teje, pranë kryqeve të mëdha të kësaj bote,

të bashkohem me vuajtjet shëlbimprurëse të vdekjes së Birit tënd,

që të mund të gëzoj me Të në fitoren e ngjalljes së tij

për jetën e pasosur. Amen.

 

T’i kujtojmë në lutjet tona meshtarët tanë, me njetin e shenjtë që t’i përngjajnë Zemrës Tejetshenjtë të Krishtit, e t’i falënderojmë për shërbimin e tyre ndaj nesh, si etër shpirtëror./drita.info

Përgatiti për Dritën: Don Agim Qerkini

Shpërndaje

Comments are closed.

« »