Imzot Dodë Gjergji: Të bëhemi apostuj të Zemrës së Krishtit

Jun 28 • Kisha në Kosovë

Festa e Zemrës së Krishtit, sot në ditën liturgjike të saj më 28 qershor, që kremtohet në të premten e të dielës së dytë pas Rrëshajëve, është kremtuar në Dioqezën Prizren-Prishtinë në dy kisha: në kishën e Vitisë (famullia e Binçës) dhe në kishën e Jagodës (famullia e Budisalcit), që janë të kushtuar Zemrës së Krishtit.

Kjo festë është edhe një ditë mbarëkishtare e lutjes për shenjtërimin e meshtarëve, një dëshirë e Kishës Katolike dhe Papëve për t’ia kushtuar Zemrës Tejetshenjt të Jezu Krishtit çdo meshtarë katolik. Prandaj, edhe kisha jonë sot, ka pasur këtë njet në devocionin e saj, tu i pasë në lutje jetën e çdo meshtari të dioqezës, që të jetojnë me këtë zemër hyjnore, të veprojnë sipas saj e të duan me të.

Në kishën e Vitisë, meshën solemne të festës e ka kremtuar bariu i dioqezës sonë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me meshtarë të dioqezës, në prani të popullit të devotshëm të kësaj treve, që e ushqen përshpirtërinë e Zemrës së Krishtit që nga kohët e hershme.

Në homelinë e tij Imzot Doda theksojë rëndësinë e devocionit të krishterë, të besimtarëve tanë ndaj Zemrës së Krishtit: “Devocioni ndaj kësaj Zemre Hyjnore është një vepër e bukur e Kishës, që duhet të burojë nga thellësia e shpirtit tonë që i beson Atij. Ky devocion është akt i shpirtit tonë. Akt falënderimi, që Zoti na ka mësuar të kemi një zemër si të tijën. Prandaj, nuk pushojmë kurrë duke u lutur “O i lumi Jezu Krisht, zemër butë e i përbujt, bëj që zemra jeme t’i përngjajë Zemrës sate!” Kjo lutje e tregon synimin e çdo të krishteri, secilit prej nesh, por edhe si bashkësi, si Kisha e Krishtit, që me zemër t’i përngjajmë Zemrës së Krishtit. Kur ne e arrijmë këtë, ne bëhemi apostuj të kësaj Zemre dhe veprues të dashurisë që buron prej saj.”  

Devocioni i drejtë dhe i përvujtë për Zemrën e Krishtit e dhuron një vepër krishterore dhe një aktivitet – ishin fjalët e Ipeshkvit, duke e saktësuar që “dashuria e jonë për njeriun, kishën dhe botën, është një dashuri që dhuron, jep, vepron, merr përgjegjësi, si për çështjet e kësaj bote po ashtu edhe për gjërat e qiellit. Përmes kësaj ne shndërrohemi në një logjik të dashurisë së Zemrës së Krishtit.

Në fund të homelisë, ipeshkvi i ftojë të gjithë besimtarët që t’i kenë në lutjet e tyre meshtarët e ta kushtojnë jetën dhe veprimtarinë e tyre meshtarake Zemrës së Krishtit, për të qenë secili prej tyre një model dashurie e shërbimi i Jezusit për popullin e krishterë.

Festa e Zemrës së Krishtit për çdo vjet i mbledh shumë besimtarë përreth, të famullive të kësaj pjese, Binçë, Kabash, Stubëll, Letnicë, Ferizaj… si traditë e lashtë e katolikëve ndaj këtij devocioni./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

«