Në zemrën e Jezusit ka vend për mua

Jun 28 • Meditimi i ditës

28 qershor 2019 – E premte, ZEMRA E SHENJTË E JEZUSIT (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 34,11-16; Ps 23,1-6; Rom 5,5-11; Lk 15,3-7)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për dashurinë dhe hirin të cilin Hyji e ndikon mbi mua,

se si më krijon në shëmbëllesën dhe përngjasimin e tij, se si më bën tempull të tij…

 

Liria

Eja, o Zot, bano në zemrën time dhe shëroje atë që të mund t`iu ndihmoj të tjerëve dhe botës rreth meje.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem që jam në praninë e Hyjit.

Kërkoj strehim në zemrën e tij që më do.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e pikëllimit.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zoti me vëmendje,

dhe vërej çka po më flet Zoti.


Ez 34,11-16

 

11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë vetë do ti kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to. 12 Sikurse bariu që kujdeset për grigjën e vet kur gjendet mes deleve të veta të shpërndara, po ashtu edhe unë do të përkujdesem për delet e mia. Unë do t’i bashkoj nga çdo vend ku kanë qenë shpërndarë ditën e thellimit e të territ. 13 Do t’i nxjerr nga popujt e do t’i bashkoj nga vendet e huaja, do t’i sjell në tokën e tyre, do t’i kullot në bjeshkë të Izraelit, në fushë dhe në të gjitha vendet e banuara. 14 Do t’i kullot në kullota të pasura: kullotat e tyre do të jenë në bjeshkët e larta të Izraelit. Do të mrizojnë në bar të gjelbër, do të kullotin në kullota të shijshme nëpër male të Izraelit! 15 Unë vetë do t’i mballoj delet e mia, unë vetë do t’i mrizoj ‑ thotë Zoti Hyj. 16 Të humburën do ta kërkoj, të ndarën do ta kthej, të thyerën do ta lidh me kshtalla, të ligshtuarën do ta kërthndez, të majmen e të fortën do ta ruaj: do t’i ruaj me drejtësi.


Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sikurse bariu e kërkon grigjën e vet ashtu edhe Zoti më kërkon mua.

I vetëdijesoj momentet kur e kam ndjerë veten të humbur dhe do ta falënderoj Zotin që më ka ruajtur të sigurt deri në ditën e sotshme.

  • Lutem për ata që janë të humbur dhe do të mendoj sesi mund t`u ndihmoj duke u ofruar drejtim në bazë të jetës sime personale.

Dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Shpirtin nuk e nginë dija e madhe, por shijimi i gjërave.

 

Bashkëbisedimi

E di mirë se si ndihet njeriu kur të jetë i humbur në shkretëtirë dhe gjehet përsëri! A besoj se kthimi im është me të vërtetë përbërës i rëndësishëm i gëzimit hyjnor? Në Zemrën e Jezusit ka vend përmua!

Cilat janë ato rrugë që më kanë çuar në shkretëtirë dhe si më ka shpëtuar Hyji? Do të mendoj për këtë, dhe pastaj do ta falënderoj Shpëtimtarin tim.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Mesazhi i të kremtes së sotme dhe leximit të sotëm është e vërteta themelore: Zoti na do. Hyji e dërgoi Birin e vet që na deshi deri në fund, duke derdhur gjakun e tij për ne. Ashtu si gjitha dashuritë, në të gjitha format dhe variacionet e saj të ndryshme, kjo është diçka që nuk mund të bluajmë me mend kurrë sa duhet, pasi shkon përtej kuptimit tonë. O i lumi Jezu Krisht, bëj që zemra ime t`i përngjaj zemrës sate: të jetë e lirë dhe e mëshirshme.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »