Epifani për shenjtorët Ilirë

Jul 1 • Kulturë, Letërsi

Nga Prend Buzhala

 

E cili shtegtim shenjtërues paska qenë pa martirizim?
Shenjtorët ilirë thanë: 
prej nesh do të ndërtohet një epokë,
Evropa e bota do të nis prej emrave tanë.
Ata kishin shpirtra të bukur, ndoshta jo të përsosur,
ata kishin shpirtra dashurie,
ecin sypatrembur për ta takuar të vërtetën
nëpër vorbulla stuhie, rreziku e ligësie.
Kur e takonin Të Vërtetën, ata thoshin:
nuk duam ta mbajmë të fshehur, 
e veten përse ta mbajmë të fshehur?
Margaritarët shkëlqejnë kur duken,
ashtu si shkëlqejnë edhe margaritarët e shpirtit.
E përse Vetveten e Vërtetë ta mbajmë të fshehur?

Koha e Sprovës zgjat pambarimisht
për t i kuptuar e përhapur Dhjetë Urdhërimet,
mu atëherë kur lindi edhe E Keqja,
duke ndërruar fytyrë, duke ndërruar gjuhë, 
duke u zhvendosur nga njëri vend në tjetrin,
duke përsosur armët për vrasje,
duke veshur Rrobat e Së Mirës,
duke ndryshuar vende, kombe dhe njerëz, 
e askush më nuk e njeh cila është ajo
kur para saj gjunjëzohen 
turmat pa Perëndi e pa kombësi.

 

  1. DËSHMITARI I HISTORISË, 1

Këto janë epifanitë e Dëshmitarit nëpër Histori.
Ja Dëshmitari që mbijetoi për të rrëfyer
për zemrën e ferrit që kishte zbritur në tokë,
Ja, Dëshmitari ende dëgjon zëra, britma 
dhe sheh tronditjet nëpër histori, 
sheh sytë e mbyllur të shenjtores 
që bie pa frymë te këmbët e tij.
Në vend të rrezeve të diellit lëviznin rrezet e gjakut.
E gjaku klithte: kot vini ta merrni në duar shenjtoren,
ajo shenjtore është vrarë me sëpatë,
dyzet shenjtorë janë ngulur në hunj, 
janë prerë me shpatë, 
janë varur në litar. 
Dëshmitari kishte mbuluar sytë me duar: 
nuk pa rrezet me ngjyrë të zezë diellore,
por dëgjoi britmat dhe fjalët e të ardhurve: 
janë vrarë, janë vrarë, janë vrarë.
Demonët qëndrojnë këtu, në tokë
për ta treguar vazhdimisht Tehun e Thikës
Bërtasin Dëshmitarit symbyllur: 
trego ku i ke të tutë, ku i ke miqtë, 
merre thikën edhe ti,
qëlloje vëllanë tënd, vrite nënën tënde dhe motrën,
vrite mikun, vrite fqinjin, vrite shpirtin, 
vrit gjithçka.

 

  1. LAUDATO, PËR SHENJTORËT ILIRË

Erdhën Lajmëtarët e Sakrificës 
dhe të Shqetësimeve të Mëdha
që u vranë me gur. Që u dogjën a u varën në litar,
Para nesh qëndron vetëm emri,
emri i Njeriut të Shenjtë,
e pak fjalë për ta dimë: 
se si u nderuan sa ishin gjallë,
se si u shenjtëruan pas vdekjes në tortura, 
se si i kanë përsëritur Fjalët e Hyjit 
për të rënë për Besimin dhe Veprën e Tij,
se si mbetën veja shumë gra e shumë motra,
si kanë jetuar të vetmuar 
dhe vetmisë ia dhanë emrin e vet,
ia dhanë vulën e pastërtisë së pafajësisë 
në kohën e mbretërve të ligj e të Kohës së Ligësisë, 
se si vjen një apostull 
në Kohën e Grindjeve të Mëdha,
se si bëhen shenjtorë mbrojtës të të rinjve, 
të nënave dhe familjes,
të pajtimit, të mbrojtjes nga rreziqet 
apo nga syri i lig,
se si bënë gjatë jetës së tyre 
shtegtime pelegrinazhi në Romë
apo në Jerusalem te Varri i Jezuit,
se si kanë bërë mrekulli mbi mrekulli në kohë urie,
në kohë luftërash apo në kohë të liga, 
se si Ditën e Vdekjes a të martirizimit të tyre 
e shndërruan në Festë Bekimi e kushtimi.
E manastiret e varret e tyre 
ruajnë ndonjë Kryq Antik,
çelësin e Dyerve të Lashta:
si të jemi pjesë e Familjes së Perëndisë,
ciklën pjesë t’ia lëmë historisë 
e cilën misterit të të tyre të shenjtërisë:
për Mbretërinë e Hyjit që tani është me njeriun.

Para nesh Dëshmitari zbulon 
Librin e Kalendarit të vet:
Laudato, 
për Shën Eleuterin papë, Rojta i Fjalës së hyjit,
(me të engjëjt këndojnë,
e pastaj këmbanat do të bien),
Laudato, 
për Shën Jeornimin a Emërshenjtin e Ilirisë
Doctor maximus që ia dha Evropës Fjalën e Librit të Shenjt,
Laudato,
për Shën Martinin, ushtar ilir
që u bë Mrekullibërësi i Francës
(Perëndia është ai që do t’i fshijë 
të gjithë lotët e skllevërve nëpër botë).

Shtatë Të Përndjekurit e Romës 
i thurën lavde Shën Astit nga Durrësi:
Laudato, 
për Shën Astin e Durrësit, 
të rrahur me kamxhik lëkure,
të kryqëzuar mbi dru e të lyer trupin me mjaltë
për ta dhënë shpirtin nën pickimin e grerëzave e insekteve.
Dhe të shtatët i mbytën në det
(për të mos pasur më errësirë e mbretëri të gënjeshtrës).
Laudato, 
për Ipeshkvin Venance të Salonës së Dalmacisë
që u martirizua në Delmium 
nga perandori Antonin
(Jezusi është në fron, këtu, në Tokë),
Laudato, 
për Ipeshkëv Kuirinin që u martirizua në Panoni,
Laudato,
për Filipin, Severin e Hermetin
që i futën në dhé deri në gju, e i dogjën të gjallë
(Falënderim Hyjit për humbjet që pëson e keqja
Falënderim për rilindjen e bukur të shpirtit),
Laudato, 
për Irineun e Sirmit 
që u dënua për vdekje nga një gjyq 
që zgjati shumë kohë
(Falënderim që një ditë 
të zhduken gjyqet e tokës kundër të drejtëve)
Laudato, 
për Agatonin me motrat Agape, Irenë e Hjone,
dhe për tri gra të krishtera
që nuk hëngrën mishin për zotat paganë,
dhe u hodhën të gjalla në zjarr
(ato na mësojnë si ta shijojmë Kopshtin e Dashurisë
si ta ndiejmë ngrohtësinë e luleve, 
si të jemi pjesë e fuqisë hyjnore), 
Laudato, 
për Shën Lulin, princeps officci,
veteran i ushtrisë iliro-romake,
që ndau me bashkëvëllezër të mirën e të keqen,
e mbas shumë vuajtjesh e hodhën në lumin Anisus
(Kurora e Jetës iu takon të gjithëve
Të pasurit e të varfrit, të bardhit e të ziut,
sepse asnjë njeriu nuk është i ngjashëm me tjetrin
e secili prej tyre është ikonë e Hajit),
Laudato, 
për Florin e Laurin, për Prokulin e Maksimin,
këta ndërtimtarë e inxhinierë shtëpish e shpirtrash
që e dëshmuan besimin në rezusin në Ulpianë
(dëshmuan se jeta është shenjtëri,
se vrasja e jetës së pafajshme
nuk duhet të jetë kënaqësi cezarësh e augustësh),
Laudato,
për Shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastes,
që nuk iu fal as nësnshtrua 
më të fuqishmit të kohës 
Perandorit si zot mbi tokë,
ushtarët e arrestojnë në një shpellë asketike,
e lidhin për një shtyllë dhe ia prenë kokën
(janë tridhjetë kisha për t’ia përkujtuar emrin
Kur Kanistrën e Flijimeve të jetës 
ia vuri përpara Hyjit,
e kjo ndodh vetëm njëherë në jetë: 
fytyra nuk i’u zverdh, kokën e mbante lart:
sikur të kishte ecur nëpër blozën e eshtrave,
nëpër hirin e kryqeve, ikonave, djepave dhe tapive.
E panë qëndrimin e tij të drejtë:
tërë jetën ishte përgatitur 
për këtë Mikpritje të Hyjit,
aty për t’ia sjellë të gjitha dhuratat 
Mysafirit të Rrallë:
Enën e Pikave të Gjakut në ditët e shërbimeve).

Laudato, 
për 588 të martirizuarit e Dardanisë e të Ilirisë
që e shndërruan polemin e tyre në komb shenjtorësh.
Laudato, që e shndërruan Tokën Ilire në Tokë të Shenjtë,
Laudato, 
për shenjtorët që zërin e tyre të lutjes 
nuk e bënë të heshtur, e bënë zë mrekullie, 
dhe e dërguan për ta dëgjuar Mbretëria e Hyjit,
për ta shpërndarë t’i zbusin anembanë fiset e egra.

Dhe engjëjt erdhën të ecin së bashku me njerëz,
të flasin me këtë Tokë.
Laudato, 
për zemrat e tyre të hapura 
që shpalosën mrekullinë e jetës e të guximit 
dhe thesaret e fshehura të shpirtit, 
Laudato, 
për ata që e shndërruan emrin e tyre 
në Kujtim të Historisë, pa skllavëri, 
për një botë më të mirë.
Laudato, 
për ta: që u hap Dera e Hyjit 
në këtë shtegtim maratonik që zgjat qe dy mileniume
për të qenë të gjithë fitues.

Shenjtorët meditojnë ende 
në Maje të Malit të Vetmisë,
me borën e durimit në zemër, me sytë përdhé,
si na është i qetë e i ngrirë Fati e Tejfati: një akull në fytyrë,
një botë e pangjyrë, një skulpturë 
që qëndron amshueshëm në shesh 
dhe në vetminë e vet,i përshëndet kalimtarët; 
një statujë apostulli në altar 
që i shoqëron njerëzit në lutjet 
për jetën e kësobotshme dhe për Shpëtimin e Shpirtit.

Vetmia na bëri të harruar, 
Të harruar nga të gjallët dhe nga vdekja.
Pra, qenkam i detyruar të jetoj: 
si një kukudh që del nga përrallat 
për ta shqetësuar e kërcënuar jetën e të tjerëve; 
si Njeri Kryengritës që bota e shndërrojnë në gogol 
për ta trembur ëndrrën për Shenjtërinë dhe Lirinë
për ta lëkundur besimin e njerëzve 
e shpresën e tyre,
se do t’i heqin prangat dhe litarin nga qafa, 
prangat dhe litarin e botëskllavërimit, 
litarin dhe prangat e botëshkokëzimit. 
Nuk erdhi ende te unë Dora shpëtimtare:
Me Shpatën e Thyer të fatit më detyron të jetoj,
nëpër honet e shpirtit 
e nëpër shpellat jetëterratisura, 
nëpër sprovat e zjarrit e të flakës, 
si një shtegtar i ngrirë nëpër heshtjet e kohës. 
Tek tash po e kuptoj Formulën e Fjalës së Pathënë 
që i shpjegon ngjarjet e pakuptueshme e memece 
të Jetës. 
Pas shumë vjetësh e pata lëshuar një klithmë: 
ishte përgjigjja e parë ndaj Botës dhe Njerëzve: 
cili na qenka kuptimi i vërtetë i jetës?

 

  1. DËSHMITARI I HISTORISË, 2

Mirëkuptim, o Hyji Im, 
të kesh ndjenjë të thellë dhembshurie 
për dashuritë tragjike,
është një vajzë që po matet: 
a të ikë nga shtëpia apo ta vrasë veten.
Askund strehim as ngushëllim nuk gjen. 
Dashurinë ia kanë vrarë duke e fejuar përdhunshëm. 
Të kesh mirëkuptim për gruan e vetmuar 
që ka mbetë në Rrugën e madhe të Botës 
me katër carrokë, e burri ia ktheu krahët, 
u dha pas aventurash, 
pas pijes e pas grave të përdala. 
Mirëkuptim edhe për të tillët, 
me cipën e plasur të jetës. 
Mirëkuptim dhe për gratë e përdala.
Fati i shkretë i shtrëngon 
t’i mashtrojnë plagët dhe ëndrrat.
Mirëkuptim, për krizat familjare, 
për gverret bashkëshortore, për vajzat e çnderuara 
mirëkuptim, për mosmarrëveshjet e rragatat, 
mirëkuptim,për mëkatet e reja e të vjetra,
mirëkuptim, për gabimet e rënda, për dashurivrasësit, 
mirëkuptim, për tregtarët e femrave- 
sidomos këtyre t’ua dhurosh atë prirjen njerëzore 
që te secila grua të shohin Nënën dhe Motrën e vet. 
Mirëkuptim, 
për vajzën e rebeluar ndaj tutorizmit prindor 
që e gjakon lirinë e të ecurit vetë në jetë. 
Mirëkuptim, oh mirëkuptim, për atë vashë 
që është zënë në shkandull dhe lind fëmijë, 
e braktis dhe e lë në park Fëmijën e Paemër. 
Mirëkuptim, për nënën që foshnja i pëlcet nga vaji, 
i vdes e paushqyer dhe e lë varr e përmendore 
diku në Rrugën e Bardhë të eksodit, 
në bjeshkët me borë të Botës së Bardhë 
e Parajsore.

 

  1. LEGJIONI I DYZET SHENJTORËVE

Dëshmitari na e rrëfen Ritualin e Torturave për dyzet shenjtorë:
Ja, atje në Jug të Ilirisë, Ndjekësi i Madh Agrikola
nxori nga radhët e ushtrisë së Likinos dyzet ushtarë
i mbyti në ujërat të Liqenit, 
pse nuk mohuan Besimin në Jezusin e Kryqëzuar.
“Nuk e dëmtojmë Shtetin Tonë, Atdheut i sjellim dobi,
e përse na gjykoni për besimin që kemi,
përse na gjykoni për Ungjillin që e ndjekim? 
Përse na gjykoni për veprat e e mira që bëjmë?”
Gradat, paratë, premtimet e ofiqet ranë në ujë,
ranë në ujë premtimet për lavdi dhe pasuri.
Iu ofrua edhe njëherë Falja e Jetës në mohim të lavdisë së Hyjit.

Ushtari dëshmitar pa dritë
rreth kokës së të munduarve në Liqen,
e zëvendësoi të stërmunduarin dhe nëna e bekoi:
ju nuk jeni të vdekur, por të martirizuar.
I martirizuari nuk është i vdekur. 
Dyzet ushtarë u bënë dyzet shenjtorë të Sebastisë,
të mbytur nëpër vaskat me ujë në dyzet qeli.
Trupat u ngrinë. 
Drita u përhap në Qiell e në dyzet qelitë. 
Shenjtorët e martirizuar thanë: 
shndërrojeni këtë burg në Tempull drite,
me shtatë apsida, bëjeni një sallë me shumë harqe triumfi,
le të ketë shumë dritare, 
me Hyrjet er Mëdha nga Lindja e nga Perëndimi.
Aty le të shihet panorama e detit, 
të marrë frymë qyteti i Onhezmit, Skelës, Sarandës,
ndërtoni shkallaret për pelegrinët 
që sjellin dafina, rozmarinë e borzilok,
le ta ndiejnë veten si në parajsë,
le të spastrohen në shpirtrat e tyre 
nëpër ato dhomëza nën dhe, ku ne e dhamë shpirtin tonë.

Legjioni i Dymbëdhjetë me emrin “Rrufeja” 
u bë Legjioni i Shenjtorëve.
Mallkimi i nënave u dëgjua në qiell. 
Qielli i dha vegim Konstantinit të Madh ilir
që e mundi Likinin gjakpirës.
Këta dyzet ushtarë të Legjionit Rrufeja
nuk e humbën betejën, nuk janë ushtarë të humbur,
ata nuk kishin frikë as kur kalonin Vijën e Armikut
me shigjeta e shpata,
por shpatë nuk ngritën 
ndaj Mbretit të tyre as ndaj Vendit të tyre,
as kur kaluan Vijën e Kërcënimit për vdekje 
të imperator Likinit:
me kënaqësi e përqafojmë varrin tonë, 
le të jetë një karrige e zbrazët në shtëpi, 
le të na kujtojnë etërit tanë 
pranë tryezave ku uleshim ne,
një lot le të jetë një premtim 
për vëllazërim e vëllazëri,
ky është shpagimi i dhimbjes e i vuajtjes.
Lutuni e ndizni një qiri në Pagëzimoren e Sarandës
a në Katedralet e Scupit e Naisusit
Ulpianës, Tivarit e Perzerendit. 
Ndryshe, 
si të mbahemi në mend për Zemrën e Pastër?
Mbajeni këtë zemër të pastër kujtimi e dashurie 
për ne,
sikur të ishim gjallë, si më të dashurit tuaj.

 

  1. DËSHMITARI I HISTORISË, 3

Eh, ende nuk e kam kuptuar 
përse nuk u dashka 
të sigurohet lumturia në tempull e jo në shtëpi,
përse Njeriu nuk qenka ai 
që të bën të lumtur, por Hyji,
a u dashka të përgatitemi për vdekje 
apo të kemi lumturi për të gjallët?
Ende nuk e kam kuptuar: 
përse njerëzit e Zotit 
mbajnë rroba të mëndafshit e të kushtueshme,
përse i varfri u dashka t’ia japë metelikun e vet 
për këto kushtime?
Përse u dashka të bie në gjunjë: nga frika e adhurimit,
e frytet e punës sime të mos i gëzoj? 
Mësimi për Jetë u bë Mësim për Lutje e jeta u harrua:
ti, Njeri i Zotit, 
si e zbaton vetëm Mësimin e Braktisjes së Robit?
I lutemi Hyjit në të keq e në të mirë 
dhe falënderohemi për gjithçka:
ata ranë që ti japin gëzim një fëmije për jetë,
Ti Njeri je shenjtor kur e ke kuptuar 
Mësimin e Madh të Gëzimit të jetës, 
Mësimin e Kushtueshëm 
të dhurimit të lumturisë, kaq të thjeshtë.

Të gjitha ato që i ëndërron Njeriu,
të gjitha ato që i krijon mendja njerëzore, 
të gjitha i arrin në Ditën e Zotit e në Ditën e Njeriut.

E kuptova: të vdekurit na dhuruan vetëm kujtime.
I Gjalli e ka për detyrë të jetë Hero 
kur dhuron Më të mirën,
kur di ta mbrojë Nderin dhe drejtësinë.
Nuk dua më të jem Dëshmitar. 
Nuk dua të jem i lavdishëm.
Lavdi le të jetë Vepra e Njeriut mbi Dhé.
Atëherë çohet në vend edhe Lavdia e Hyjit.
Nuk dua të dini se si flas në Orën E Fundit.
Hyji është dëshmitari im në dyshime e në vuajtje,
në dashuri e në urrejtje, në të mirë e në të keq.

Qenkam i dënuari i Perëndisë 
të jem Dyshues i Madh 
për ta kuptuar Besimin e Vërtetë./drita.info

(29 qershor 2019)

 

Fotografia në ballinë: Shën Flori e Lauri në vitrazhin e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë. 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

«