Krerët e bashkësive fetare të Kosovës në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë
Sot, më 1 korrik 2019, është mbajtur konferenca “Të gjithë së bashku me një zë” në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, gjatë së cilës është nënshkruar deklaratë e krerëve fetarë të Kosovë, përmes të cilës shprehin përkrahjen dhe kërkojnë që kjo kategori e prekur e bijave të popullit tonë të mbrohet në mënyrë të veçantë. Bashkësitë fetare që e kanë nënshkruar këtë deklaratë janë Bashkësia Islame, Ipeshkvia e Kosovës, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës dhe Bashkësia Hebrakie e Kosovës. Më poshtë po e japim deklaratën e plotë:
– – –
D E K L A R A T Ë
Ne, prijësit e bashkësive fetare të Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate, shprehim dhimbjen tonë për trishtimin dhe përbuzjen që kanë përjetuar të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të mbështetur në doktrinën dhe mësimet tona fetare, e ndiejmë të nevojshme që gjithë së bashku të sqarojmë edhe një herë, të mbijetuarit, familjet e tyre, dhe tërë shoqërinë, se: viktimat e dhunës seksuale, nuk bartin asnjë lloj përgjegjësie para Perëndisë që na ka krijuar dhe na ka dhanë jetën. Këndej, ato nuk duhet të ndiejnë asnjë lloj faji apo përgjegjësie për atë që u ka ndodhur dhe askush nga ne nuk ka të drejtë të shprehë kurrfarë dyshime ose gjykimi për ta.
Ne të gjithë, si pjesë e kësaj shoqërie dhe qytetarë të këtij vendi, sidomos ata që këto viktima i përcjellin në përditshmërinë e jetës së tyre si familje, si bashkëshortë, si prindër, si bij e bija, kemi përgjegjësi që t’i ngushëllojmë me dhuntitë tona shpirtërore, t’i mbështesim me mundësitë tona njerëzore, po edhe t’iu sigurojmë përkrahje institucionale dhe profesionale. Në mënyrë që, viktimat të arrijnë të shërojnë plagët e tyre, të mos bartin peshën e një faji që nuk u përket, por të ndiejnë dashurinë e secilit prej nesh.
Ne, prijësit e bashkësive fetare në Kosovë, nëpërmjet kësaj deklarate, përveç se shprehim qëndrimin tonë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit në vendin tonë, njëkohësisht shprehim mbështetjen për të gjitha ata që individualisht, nëpërmjet organizatave të tyre, apo përfaqësimeve ligjvënëse angazhohen që këtyre viktimave t’iu njohin të drejtën që të kenë përkrahjen institucionale dhe ligjore. Po edhe ne, prijësit fetarë të të gjitha besimeve, zotohemi se nëpërmjet institucioneve tona dhe besimtarëve tanë, do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të ndihmuar këto viktima. Sidomos do jemi gjithnjë pranë nevojave të tyre shpirtërore.
Secili në mënyrën e vet, i lutemi Zotit, Krijuesit të përbashkët, i cili nuk kërkon asnjë lloj llogarie nga viktimat, por fal e shfajëson ato, që t’i bekojë, t’i ngushëllojë dhe t’iu rrikthejë paqen e shpirtit dhe gëzimin e jetës. Po ashtu i lutemi Zotit edhe për gjithë neve, që të mos na le të biem më tundim për t’i përbuzur, por të na shndritë të gjithëve që me dashurinë e zemrave tona t’i kurojmë plagët e tyre.
Prishtinë, 1 korrik 2019
Vijojnë nënshkrimet:
Bashkiëaia Islame e Kosovës (Naim Tërnava)
Ipeshkvia e Kosovës ( Don Lush Gjergji)
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (Pastor Fehmi Cakolli)
Bashkësia Hebraike e Kosovës ( Votim Demiri)
« Epifani për shenjtorët Ilirë Jezusi ka fuqi t’i qetësojë stuhitë e jetës sime »