Jezusi ka fuqi t’i qetësojë stuhitë e jetës sime

Jul 2 • Meditimi i ditës, Teologji

2 korrik 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 19,15-29; Ps 26,2-3.9-12; Mt 8,23-27)

 

Prania e Hyjit

Pavarësisht aktiviteteve, zhurmës e shpërqendrimeve që ekzistojnë rreth meje, brengave dhe shqetësimeve që po ma largojnë vëmendjen, e filloj këtë lutje sot duke e gjetur qendrën e qetësisë brenda meje, duke u vendosur në një moment paqeje, duke kërkuar paqen që vetëm Zoti mund të japë.

 

Liria

Kujtoje një vend ku ndihesh në paqe … imagjinoje nëse mundesh … ose në një farë mënyre paramendoje ndjenjën e tij … çka po të bie në sy – çka po vëren… lejoji Shpirtit Shenjt të jetë me ty atje … në flladin apo ajrin që e thith …

 

Ndërgjegjësimi

Merre një objekt – një gjësend, dhe mbaje në dorë: një gur, gjethe, kryq, çdo gjë që të pëlqen. Peshoje, ndjeje atë, shikoje atë.

Është pjesë e krijimit dhe e dashur nga Zoti.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

————————————————

Mt 8, 23-27
23 [Jezusi] si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:

“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”

26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”

 ————————————————-

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Vë re disa kontradikta në këtë raport. Nga njëra anë, nxënësit e tmerruar, dhe në anën tjetër Jezusi që është në gjumë. Në njërën anë kaos stuhie, nga ana tjetër, “qetësi e madhe”, pas ndërhyrjes së Jezusit. Jezusi tregon se ka besim të plotë në mbrojtjen e Hyjit, kurse nxënësit kanë “pak besim”. Si qëndron puna me mua?
  • Vetëm Hyji ka fuqi mbi fuqinë natyrore të ujit. Jezusi tregon publikisht se edhe ai ka atë fuqi, që i referohet hyjnisë së tij. A ka pas ndonjë ngjarje në jetën time kur e kam thirrur ndihmën e Hyjit, e ai e ka ripërtërirë qetësinë dhe paqen e madhe në ujërat e mia të stuhishme?
  • A e ndjen ndonjëherë se Zoti është në gjumë gjatë rreziqeve dhe vështirësive në jetën tënde?
  • Çfarë do të kishe dashur më së shumti ta kishte zgjuar deri më tani? A e kupton se Zoti është gjithmonë me ty? Se nuk ka asgjë përse të kesh frikë?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, ji i/e vetëdijshëm për erën dhe valët. Por gjithashtu ji i/e vetëdijshëm për praninë e Jezusit.

 

Bashkëbisedimi

Bisedo me Zotin tani. Kërkoji atij që të ndihmojë “besimin tënd të vogël” të rritet e të bëhet i fortë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Stuhitë e jetës godasin papritur dhe më hedhin në një det të kaosit, dyshimit dhe ankthit. Zot, kur valët kërcënojnë të ma fundosin anijen time të vogël, më bëj të vetëdijshëm se unë të kam ty – ti je me mua. Bëj që ta dëgjoj zërin tënd duke thënë: “Hesht! Qetësohu!”

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »