A e ndiej gëzimin kur bëj mirë?

Jul 7 • Meditimi i ditës

7 korrik 2019 – E diela 14 gj. v. (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 66,10-14c; Ps 66,1-3a.4-7a.16.20; Gal 6,14-18; Lk 10,1-12.17-20)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që tërësisht të gjallërohem në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime u bëftë një me tënden.

 

Liria

Hyji nuk është mish i huaj në trupin tim.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxituar butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin e shenjtë që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë.

 

Ndërgjegjësimi

E di se Hyji më do pa kusht.

Për këtë arsye sinqerisht e vështroj ditën e kaluar, ndodhitë dhe përjetimet.

A ekziston diçka për se do të duhej të isha mirënjohës/e? Atëherë do të shpreh mirënjohje.

Diçka për se ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet të dëgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 10,1-12.17-20

 

1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte:

“Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd! 5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!

8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thuajini popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’

10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”

17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë:

“Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!”

18 Jezusi u tha:

“Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Jezusi i përgatit dishepujt e vet për mision. Ai nuk i lë ata në asnjë dyshim lidhur me sfidat që do t`i hasin, pengesat dhe rreziqet që i presin në rrugë. Por ata do të kenë sukses, natyrisht, për shkak se fuqia e Hyjit ka për të vepruar me ta. Prandaj, “Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim.” A e përjetoj këtë gëzim kur bëj atë që Zoti do prej meje?

Mesazhi që Jezusi ua beson dishepujve të tij janë paqja dhe afërsia e Mbretërisë së Hyjit. I njëjti ky mesazh i paqes dhe drejtësisë, faljes dhe shërimit, si dhe lajmit të mirë të Mbretërisë së Hyjit, i është besuar Kishës gjatë shekujve. Tani është radha ime që të dëshmoj për një gjë të tillë.

Jezusi i dërgon nxënësit e vet pa mjete: njëherë do të shkojnë te njerëzit që janë më së afërmi. Misioni im i parë ndërlidhet me ata që janë rreth meje, që t`u ndihmoj që ta kuptojnë që Mbretëria e Hyjit është afër.

Asgjë nuk më kushton nëse të tjerëve ua dëshiroj të mirën. Gjatë kohës që e dëgjoj përsëri Ungjillit lutem për paqe, mirësi dhe bekim për të gjithë njerëzit që mund t`i kujtoj.

 

Bashkëbisedimi

Jam i dërguar si qengj midis ujqërish. Nganjëherë më shumë më përshtatet që të akomodohem dhe të ndihem rehat. Lutem që të mësohem të vlerësoj dhe të dalloj që me atë rast të mbetem i gjallë!

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »