Kush është i afërmi im?

Jul 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela XV gjatë vitit (C)

 

Leximi i parë   Lp 30, 10-14

Moisiu i mëson popullit të zgjedhur që vullnetin e Hyjit mund ta njohë dhe mund ta realizojë, nga momenti që Hyji i ka folur duke i zbuluar vullnetin e tij. Hyji i flet gjithmonë njeriut me qëllim që të depërtojë në zemrën e tij.  Dhe Fjala e Hyjit realizohet vetëm kur pranohet me bindje.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli popullit dhe i tha: “Zoti do të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tëpër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’ Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!” Fjala e Zotit.

 

Psalmi   19

 

Ref: Ligji i Zotit është i përsosur

——————————-

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

——————————-

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

——————————-

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

——————————-

 

Leximi i dytë   Kol 1, 15-20

Pali pohon se Jezu Krishti nuk mund të hyjë në një koncept njerëzor të ndërtuar nga njerëzit. Ai nuk mund të përdoret për të justifikuar zgjedhjet tona njerëzore. Ai gjendet në një nivel tjetër: është i parëlinduri i njerëzimit dhe ndriçon të ardhmen e njeriut, sepse është i vetmi që ka fituar mbi vdekjen. Me Të lind një njerëzim i ri, një ecje e pakthyeshme në historinë njerëzore.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.  Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari.  Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell.  Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve.

Aleluja

 

Ungjilli   Lk 10, 25-37

Kush është i afërmi? Në një farë kuptimi jemi ne vetë. I afërmi është ai që u afrohet  më të largëve, atyre që kanë më shumë nevojë për ndihmë. Njerëzimi është në anët e rrugës, i shtypur dhe i përbuzur me gjithë shoqatat e bamirësisë dhe nismat për ndihmë. Por Krishti kalon akoma sot, dhe për të qëndruar afër njerëzve sillet si samaritani, i cili ishte i përbuzur nga shoqëria dhe nga feja zyrtare. Dashuria fiton mbi të gjitha vështirësitë dhe nuk ka ndarje mes miqve dhe armiqve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbë për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Shpesh njerëzit lënë në harresë atë që është thelbësore në sytë e Hyjit: jetën e amshuar. Ekziston një sekret për “të trashëguar jetën e amshuar”, për të arritur lumturinë e përsosur: “Duaje Zotin Hyjin tënd me gjithë zemrën tënde … e të afërmin tënd porsi vetveten”.

Çdo gjest që kryej është i vërtetë nëse është gjithmonë një gjest dashurie për Hyjin e në të njëjtën kohë për të afërmin. “Po kush është i afërmi im?”. I afërmi është ai që provon mëshirë për njeriun e sulmuar që po vdes e reagon me dashuri, është një armik, një samaritan, që Jezusi ofron si shembull për ta imituar. Ai “e pa e pati mëshirë”. Mëshira e shtyn samaritanin “të bëhet i afërmi” i të plagosurit, duke i ofruar kujdesin dhe ndihmën konkrete.

Gjesti i tij tregon: a) një dashuri universale, që nuk diskriminon, nuk përjashton asnjë njeri; b) një dashuri e guximshme, që nuk trembet të paguajë personalisht; c) një dashuri bujare, që nuk kënaqet nga një ndihmë e çastit, por shqetësohet edhe për të ardhmen e këtij njeriu.

Shembulli i Samaritanit tregon lidhjen e ngushtë mes dashurisë së Hyjit e atë të të afërmit: kulti ndaj Hyjit, i ndarë nga dashuria, është i rremë. Meshtari dhe leviti nuk kanë kuptuar vullnetin e Hyjit që në atë çast u kërkon-te atyre të linin mënjanë aktet e kultit për t’i ofruar njeriut të sulmuar kultin e vërtetë të dashurisë. Jezusi tregon se si dashuria e vërtetë nuk vendos më unin në qendër të vëmendjes, por tjetrin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, “Në fund të jetës – thotë shën Gjoni i Kryqit, – do të gjykohemi mbi veprat e dashurisë”.  Të lutemi që gjatë jetës tokësore të dimë të jemi “Samaritanë të mirë” në marrëdhënie me të gjithë, pa dallime. Të lutemi së bashku e të themi:

Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën: në çdo pjesë të tokës që të mos lodhet kurrë për të qenë shenjë e dashurisë së mëshirshme të Hyjit Atë. Të lutemi.

L. Për viktimat e padrejtësisë dhe të dhunës: që të gjejnë solidaritet, drejtësi dhe mbështetje nga bashkësia dhe nga secili qytetar. Të lutemi

L. Për ata që punojnë në spitale, në shtëpitë e kujdesit për fëmijë dhe në shtëpive të pleqve: që të dinë ta shpallin me veprime bamirësie dashurinë e Hyjit Atë. Të lutemi

L. Për ne, që marrim pjesë në këtë Eukaristi: që të dimë të pranojmë ftesën e Jezusit drejtuar dijetarit të ligjit: “Shko edhe ti e bëj të njëjtën gjë”. Të lutemi

M. O Hyj, Ati ynë, që dëgjon lutjet e bijve të tu, bëj që, me ndihmën tënde dhe angazhimin tonë, të dimë të jetojmë në botë si bij të vërtetë të Hyjit dhe dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit Birit tënd, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »