Marrëdhënie (mbi)natyrore
17 korrik 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Dal 3,1-6.9-12; Ps 103,1-4.6-7; Mt 11,25-27)
Prania e Hyjit
O Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht ndaj teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.
Liria
Lutem për hirin e fesë,
të besoj në gjithë atë çfarë do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.
Ndërgjegjësimi
Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë, o Zot,
jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.
Fjala
Fjalët fillestare të Biblës – Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra – e përshkruan gjendjen e tanishme të gjërave, jo njëfarë ngjarje të kaluar. Kur lutem mbi Shkrimin Shenjt, i lejoj Shpirtit të Hyjit që të endet përmbi kaosin dhe errësirën e qenies sime.
E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit, dhe vërej çka po ndodh në zemrën time.
Mt 11, 25-27
25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:
“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,
që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,
e ua zbulove të vegjëlve.
26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!
27 Ati më dorëzoi mua gjithçka
dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,
dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit
e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Këtu është hequr një perde për të treguar marrëdhënien e veçantë midis Jezusit dhe Atit të tij. Emri i veçantë dhe intim “Abba, Atë” shfaqet pesë herë në këtë pasazh. Ky është një emër i zakonshëm familjar nëgjuhën aramaike (gjuhën amtare të Jezusit), me të cilin fëmija do ta thërriste të atin e vet natyror. Për shkak të supozimit (nënkuptimit) të kësaj marrëdhënie unike dhe intime, farisenjtë dhe skribët do ta dënojnë Jezusin me vdekje në kryq.
- Biri ka qasje të privilegjuar tek Ati. Kjo nuk është marrëdhënie ekskluzive apo e mbyllur, në të vërtetë, Jezusi i fton edhe të tjerët të marrin pjesë në të. Ne në “Momentin e shenjtë” jemi në mesin e atyre “të cilëve Biri dëshiron të na zbulojë Atin”.
- O Zot Jezus, na ndihmo të përjetojmë se edhe ne jemi bij dhe bija të dashur të Atit tonë Qiellor.
Kur i lejoj Fjalës së Hyjit që të endet përmbi preokupimet e mia, atëherë mund të ndodhë gjithçka, sepse ai është Hyj që befason. Me rëndësi është që mos ta fshehë kaosin tim të brendshëm nga Fjala e Hyjit dhe nga vetvetja.
E lexoj, e dëgjoj pjesën e Ungjillit edhe një herë, nëse duhet disa herë. Ndalem në pjesë të tekstit që më lënë më shumë përshtypje. I lëshohem fuqisë së fjalëve.
Bashkëbisedimi
Nganjëherë e pyes veten çfarë do të të thosha, o Zot, për të takuar personalisht.
Ndoshta do të mund të thosha: “Faleminderit, o Zot”, që je gjithmonë pranë meje.
E di, sigurisht, se ka pasur momente kur më ke mbartur dhe je kujdesur për mua.
Kur me fuqinë tënde i kam mbijetuar momentet e errëta të jetës sime.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.