Pusho… Gjej qetësi… Me Zotin!

Jul 21 • Meditimi i ditës

21 korrik 2019 – E diela 16-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 23, 1-6; Ps 22; Ef 2, 13-18; Mk 6, 30-34)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.

Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,

Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.

Lus për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala

Ta meditosh Fjalën e Zotit, kjo do të thotë që të sillesh rreth një pjese të tekstit të lexuar apo të dëgjuar, atë ta përvetësosh, ta zbërthesh (deshifrosh) dhe t`i zbulosh bashkëlidhjet. Bibla është një tërësi që plotësohet dhe interpretohet. Në fillim të Biblës thuhet: “Fryma e Zotit endej përmbi ujëra” – pastaj: “bota u krijua”. Pikërisht ashtu si te leximi apo dëgjimi i Biblës ndodh diçka e re, për Ty, për mjedisin Tënd, për botën.

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit, dhe i lejoj vëmendjes të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 10, 38-42

38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij. 40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha:

“Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”

41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Në këtë episod, Jezusi përsëri vepron në kundërshtim me praktikat e pranueshme hebraike. Ndodhet në shtëpinë e dy grave që ndoshta nuk bëjnë pjesë në farefisin e tij, nuk janë të afërmit e tij. Për më tepër, ai i mëson ato. Jezusi përdor çdo mundësi, pa marrë para sysh se a ndodhet përballë masave publike a njerëzve të shtëpisë, për të folur për Mbretërinë e Hyjit – Mbretërinë  “e drejtësisë dhe paqes, gëzimit në Shpirtin Shenjt.” (Rom 14,17)

Të dy dimensionet e jetës së krishterë, ai aktiv dhe soditës/kundrues, janë të rëndësishme. Por kjo ngjarje tregon se dëgjimi i Jezusit ka rëndësi primare. Si një dishepulle e vërtetë, Maria e dallon që Jezusi mund t`i ofrojë asaj shumë më tepër në aspektin e ushqimit shpirtëror sesa ajo apo Marta mund t`i ofrojnë atij.

O Zot Jezus, më ndihmo që të mos jem “i/e brengosur dhe i/e shqetësuar për shumë gjëra”, por që të harxhoj më shumë kohë duke dëgjuar fjalën tënde. Bëj që të jem besnik/e ndaj “Momentit të Shenjtë”, lutjes së përditshme, që është një zgjidhje “e pjesës më të mirë”.

Kur i lejoj Fjalës së Hyjit që të endet përmbi preokupimet e mia, atëherë mund të ndodhë gjithçka, sepse ai është Hyj që befason. Me rëndësi është që mos ta fshehë kaosin tim të brendshëm nga Fjala e Hyjit dhe nga vetvetja.

E lexoj tekstin; e imagjinoj vendin ku kryhet ngjarja e pjesës së zgjedhur;

e imagjinoj tërë ngjarjen, gjithë skenën.

Jo si të shikoja ndonjë film, por si të isha i pranishëm vetë unë në atë ngjarje.

E gjithë ajo më përket edhe mua.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i gatshëm edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hap zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »