Ta përjetosh çka do të thotë të jesh me të vërtet i/e dashur dhe i/e pranuar

Jul 22 • Meditimi i ditës

22 korrik 2019 – E hënë, Shën Maria Magdalena, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kk 3,1-4a (ose: 2Kor 5,14-17); Ps 63,2-6.8-9; Gjn 20,1-2.11-18)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,
në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,
a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?
A mund të më kujtohet kur e kam ndjerë afërsinë e Hyjit;
kur kemi ecur bashkë, duke i lejuar që të jem i përqafuar nga dashuria e Hyjit?

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falë – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i sinqertë në atë çfarë jam.

Si kaloi dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 20, 1-2.11-18

 

1 Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. 2 Atëherë erdhi me vrap te Simon‑Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.”

11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13 Ata i thanë:

“Pse po qan, moj burrneshë?”

Ajo u përgjigj:

“E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”

14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha:

“Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?”

Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha:

“Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”

16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi.

Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”

18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Një zemër që është e mbushur me trishtim dhe dhimbje s`mund gjithmonë të reagojë drejtë ndaj realitetit të jashtëm. Maria ishte e preokupuar vetëm me një pyetje: “Ku kishte humbur Zotëria?” Një reagim i tillë është rezultat i dashurisë së thellë të Marisë ndaj Zotërisë që ia kishte ndryshuar asaj jetën dhe ia kishte kthyer dinjitetin. Maria e kishte përjetuar çfarë do të thotë të jesh me të vërtetë e dashur dhe e pranuar.

Dhe përsëri, një fjalë ndryshoi gjithçka: “Mari!” Jezusi e thërret përsëri me emër… dhe përsëri gjithçka merr kuptimin e vet. Gjatë kohës që e lexon përsëri pjesën e ungjillit sille në mendje një moment ose ngjarje që ta ka ndryshuar jetën tënde. Lejo ta dëgjosh se si po të thërret Zoti me emër.

 

Bashkëbisedimi

Kjo skenë e mbushur me lot e meriton ta sodisim, ta meditojmë nga zemra e Mari Magdalenës. Pjetri dhe Gjoni e panë varrin dhe u kthyen në shtëpi. Maria qëndroi e shqetësuar, duke menduar vetëm në Jezusin pranë vdekjes të së cilit kishte qenë e pranishme dhe dëshironte së paku ta shihte trupin e tij. A ia pamundësojnë lotët e saja për ta dalluar Jezusin? Befas e dëgjon një zë të njohur që e shqipton emrin e saj. Bota e saj rrotullohet dhe ndryshon: “E pashë Zotërinë!” Tani sheh edhe përtej kufirit që ndanë jetën dhe vdekjen dhe e takon zotëruesin e tyre.

Paramendoje veten në vendin e saj, duke e kërkuar Jezusin, në qetësinë e mëngjesit të hershëm, duke e bërë veten të njihesh para tij, duke dëgjuar zërin e tij duke ta shqiptuar emrin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Në agimin e mëngjesit Maria s`e njohu kush ishte duke folur me të derisa nuk e dëgjoi se po thirrej me emrin e saj. Ajo mori jo vetëm ngushëllim, por edhe një mision që buron nga miqësia. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »