Kur mungojnë rezultatet evidente dhe inkurajuese

Jul 24 • Meditimi i ditës

24 korrik 2019 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 16,1-5.9-15; Ps 78,18-19.23-28; Mt 13,1-9)

 

Prania e Hyjit

Ta fillojmë këtë meditim me fjalët:

“O pranverë në shkretëtirë, o strehim për t`u mbrojtur nga vapa.”

Si po ndihesh kur po e fillon këtë lutje sot?

A je duke u ndier sikur je në një shkretëtirë të thatë, të rëndë, apo si në një tokë të harlisur, jeshile, pjellore dhe jetëdhënëse?

Apo ndoshta diku në mes?

Hyr tani në praninë e Hyjit dhe shijoje atë prani, praninë e krijuesit tënd të dashur, burimin e të gjithë jetës.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Mt 13, 1-9

 

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.

3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.

Kështu u tha:

4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

Llojet e ndryshme të tokës mbi të cilën bie kokrra përfaqësojnë mënyrat e ndryshme me të cilat pranohet fjala e Zotit. Shkalla e ndjeshmërisë dhe pranimit varet nga çdo person veç e veç dhe nga rrethanat e veçanta të jetës së tij o të saj. Parabola (shembulli) jep shpresë dhe inkurajim për shkak të tokës së mirë dhe të korrat që vijojnë.

U mblodhën aq shumë njerëz për të parë e dëgjuar sa që Jezusit iu desh të hynte në barkë dhe të predikonte nga ajo. Njerëzit ishin të uritur për ushqim shpirtëror dhe për udhëheqje.

O Zot Jezus, po lus për Kishën dhe të gjithë besimtarët sot. Na bëjë një bashkësi dishepujsh me shikim të përqendruar në ty.

 

Bashkëbisedimi

Të gjitha fjalët e Jezusit nuk kanë sjellë fryte. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar që edhe më tutje të vazhdojë së shpalluri Lajmin e gëzueshëm, të vërtetën dhe jetën të gjithëve që dëshironin ta dëgjonin.

Lutem që Zoti të më japë fuqi që të vazhdoj së foluri dhe vepruari, madje edhe atëherë nëse mungojnë rezultatet evidente dhe inkurajuese.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Të vërtetën nuk e përcakton shumica, ajo është e shpërndarë përreth, e pranon dhe vlerëson pakica. O Zot, më ndihmo që të mund t`i dëgjoj fjalët e Jezusit për mua dhe t`i marr me zemër. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »