Mbahet Tribunë shkencore në Budisalc për At Engjëll Sopaj- Palaj prijësin e Çetës së Lugut të Drinit

Jul 28 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Kanë kaluar 110 vjet kur At Engjëll Sopaj – Palaj kishte mbledhë burrat e Lugut të Dritën dhe kishte krijuar Çetën për të mbrojtur tokat shqiptare nga pushtimi osmanë.

Për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm historik kombëtar, në kuadër të manifestimit tradicional “Kushtrimi i Gjeçovit, për Atme e Fe”, me datën 25.07.2019 është mbajtur për herë të parë në sallën e Famullisë së Shën Gjergjit në Budisalc tribuna shkencore me titull: “Atë Engjëll Palaj dhe Budisalci, shpalime historike”, për ta risjellë në memorien tonë këtë ngjarje të rëndësishme.

Hapjen e kësaj tribune e bëri Famullitari i Budisalcit Don Ndue Ballabani, i cili paraqiti edhe nekrologun e fretërve për At’ Engjëll Sopaj-Palaj. Në këtë nekrolog thuhej për të: “Me datën 14 mars ka vdekur në Zotin: † në vitin 1956, në Laç, fra Engjëll Sopaj (Paliq) nga Janjeva, meshtar. Shërbeu për gati 20 vjet në Pejë dhe Zllokuqan. Për dy vjet qe në Stambollë si kapelan i ushtarëve katolikë shqiptarë. Pastaj qe guardian në Kuvendin e Shën Françeskut-Gjuhadol dhe në Troshan. Këtu zhvilloi detyrën e mësuesit të novicëve. Nxënës i vërtetë i Shën Franceskut, u mësoi fretërve shpirtin e lutjes. Jetoi 87 vjet. U vorros në Kishën e Shën Mëhillit në Laç”.

Pas fjalës hyrëse të Don Ndout, fjalën e kishin ligjëruesit e ftuar, që ishin: Gjon Berisha, bashkëpunëtor i lartë shkencor për historinë mesjetare në Institutin e Historisë-Prishtinë, me kumtesën “Rrethanat kishtare në Kosovë 1912-1914: fenomeni i konvertimit të shqiptarëve në ortodoksi”;  Pal Canaj “Át Engjëll Palaj dhe çeta prej 400 luftëtarësh shqiptarë të besimit katolik, të cilët u radhitën në komandën e Isa Boletinit, më 1909 për çlirimin nga Perandoria Osmane“; Prend Buzhala “Budisalci, shpalime nga trashëgimia kulturore, fetare, onomastike dhe historike“.

Tribunën e përshëndeti me një fjalë rasti edhe Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, i cili përgëzoi të gjithë organizatorët dhe ligjëruesit duke theksuar rëndësinë e këtyre eventeve, pasi kujtojmë burrat e mëdhenj që kanë ditur të sakrifikojnë për vendin tonë e mbrojtjen e tij. Për këtë arsye – shtoi Ipeshkvi – ne duhet të jemi të lumtur për këtë vend, që sot e gëzojmë, si dhuratë e atyre të cilët ishin të gatshëm ta mbronin me dashuri e guxim.

Me një pikë muzikore (me lahutë), u paraqit Prend Palushaj nga Klina. Merrnin pjesë qytetarë të fshatrave përreth, intelektualë, mërgimtarë dhe përfaqësues të pushtetit lokal. 

Me këtë rast, në oborrin e Kishës u zbulua Pllaka Memoriale që i kushtohet kësaj ngjarjeje dhe këtij prifti të devotshëm kombëtar, e cila u zbulua nga Mons. Gjergji, Don Ndue Ballabani, Pal Canaj, Gjevalin Kolaj.

Pllaka Memoriale mban këtë përshkrim: “Këtu në Budisalc Át Engjëll Palaj në vitin 1909 i bashkoi 400 luftëtarë shqiptarë të besimit katolik, të cilët u radhitën në komandën e Isa Boletinit, për çlirimin e vendit nga Perandoria Osmane”./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »