A e vëren se të tërheq ideja për t’u lutur?

Jul 28 • Meditimi i ditës

28 korrik 2019 – E diela 17-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zan 18,20-32; Ps 138,1-3.6-8; Kol 2,12-14; Lk 11,1-13)

 

Prania e Hyjit
O Zot, ki mëshirë; O Krisht, ki mëshirë. Këto fjalë lutëse, që janë kënduar për shekuj, janë një kujtesë për mëshirën e pashtershme të Hyjit, për dhembshurinë dhe faljen e pandërprerë të Hyjit. Ndërsa dëgjoj, mund të mendoj për një çast për nevojën time për atë falje dhe për nevojën që unë të tregoj të njëjtën falje për të tjerët.

 

Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi
Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,
më përkujto, o Zot,
se je gjithmonë pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.
Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çka po të flet ky tekst i sotshëm.
Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çka po ndodhë në zemrën tënde.

– – – 

Lk 11, 1-13

 1 Një ditë Jezusi po lutej diku në një vend. Kur e kreu lutjen, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, siç i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.”
2 “Kur të luteni u tha Jezusi thoni:
O Atë!
U shenjtëroftë Emri yt!
Ardhtë Mbretëria jote!
3 Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme!
4 Na i fal mëkatet tona,
sepse edhe ne i falim fajtorët tanë.
E mos lejo të biem në tundim!”
5 Dhe u tha:
“Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë 6 se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë, ’ 7 e ai prej brenda i përgjigjet: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ 8 Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. 9 Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet. 10 Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që troket, i hapet dera.
11 Dhe, cili prej jush që është babë, po i lypi djali peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? 12 Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? 13 Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!”

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

Ishte e zakonshme që Jezusi të gjendej në lutje. Shpesh dëgjojmë se ai tërhiqej në një vend të qetë, nganjëherë vetë, ndonjëherë me vetëm nxënësit e tij më të ngushtë. Duke e parë atë se si shkonte në lutje, duke e parë atë se si kërkonte vende të pabanuara për t’u lutur, duhet të ketë ndikuar shumë te ta. Në tregimin e Ungjillit për këtë të diel, ka një moment të mrekullueshëm kur disa prej tyre e kuptojnë se lutja ka një hijeshi që i tërhiqte dhe ata nxiten t’i kërkojnë Jezusit t’i mësojë ata të luten.
• A e vëren se të tërheq ideja për t`u lutur – për të thënë uratë? A e ndjen këtë tërheqje tani? Ndërsa lëviz në lutjen e kësaj fundjave, kërkoji Jezusit të Ngjallur, të pranishëm tani, të të mësojë sesi të lutesh, siç i mësoi dishepujt e tij të parë.
• Vetëm pak çaste më vonë, Jezusi vazhdoi t`u tregonte atyre një histori që ishte një shembull i një lloj lutjeje, lutjeje e lypjes së vazhdueshme. Ka shumë të ngjarë që ajo ishte një anekdotë lokale e njohur, lidhur me njeriun që e zgjonte të afërmin e tij në pikë të natës, sepse kishte nevojë për një copë bukë për t`ia qit përpara një mysafir të papritur. Mund të ketë qenë edhe si një histori qesharake, e thënë përsëri dhe përsëri mes miqve! Paramendoje Jezusin duke e treguar këtë histori, duke buzëqeshur kur e tregon … imagjinoji dishepujt duke buzëqeshur gjithashtu kur e dallojnë këtë tregim të njohur … dhe vë re se si fillon të shfaqet kuptimi më i thellë, që Jezusi dëshiron që ata dhe ne ta shohim …
• Ndërsa e dëgjon përsëri tregimin e Ungjillit, lejoji vetes të nxitesh për të folur drejtpërdrejt me Jezusin, sikurse një mik që i flet një miku tjetër, për çfarëdo dëshire që ndien brenda teje për një lutje më të thellë dhe më të pasur.

 

Bashkëbisedimi
Ky paragraf i ungjillit është një thirrje që të këmbëngulim në lutje.
Bazohet në besimin se Ati i Jezusit është bujar, i mirë dhe gjithmonë i vëmendshëm për nevojat e atyre që i drejtohen Atij me lutje.
Në këto çaste përmbyllëse të meditimit, kërkoji Jezusit atë që dëshiron, në pjesën më të thellë të vetes tënde… lejo që ai të përgjigjet, në një mënyrë që të befason dhe të gëzon ….

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Nxënësit shohin se si lutja për Jezusin kishte rëndësi jetike. Ata duan të luten si ai. Ajo që ne e quajmë urata ‘Ati ynë’ është një model për të gjitha lutjet sepse përmban gjithçka që u nevojitet të krishterëve për një lutje të vërtetë. Do ta lus këtë uratë sot si të ishte hera e parë që po e lus. O Zot Jezus, po të falënderoj që na mëson se si duhet të lutemi. Na ndihmo që të këmbëngulim në lutje dhe kurrë mos ta humbim shpresën. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Comments are closed.

« »