Festa e Shën Prenës në Dunavin e Malësisë së Shkupit

Jul 28 • Kisha në Kosovë

Nga Anton Gjergji

 

Ditëfesta e Shna Prenes, virgjër dhe martire (26 korrik), e shekujve të parë të krishterimit, u kremtua me shumë devotshmëri në fshatin Dunavin e Malësisë së Shkupit, filiale e Fmaullisë së Stubllës, që gjendet në pjesën malore të Komunës së Gjilanit, krejt afër kufirit me Maqedoninë.

Fshati Dunav, i bukur dhe piktoresk, dikur gjallëronte me besimtarë që me xhelozi e ruanin fenë në Jezusin, por tani për shkaqe të ndryshme objektive e subjektive të banorëve, është vend i braktisur që jeton në mendjen dhe në zemrat e atyre që kanë prejardhjen nga ai vend.

Në kishën në Dunav, e ndërtuar në vitin 1938, në shkrimin në hyrje të kishës, lexojmë se i kushtohet Shën Anës, nënës së Zojës së Bekuar, por në fakt në këtë vend, që është filiale e Famullisë së Stubllës, festohet festa e Shën Prenës, virgjër dhe martire.

Mesha solemne e festës u kremtua në oborrin përskaj kishës, të cilës i priu Don Albert Demaj, misionar në Zvicërr, në bashkëkremtim me Don Kristë Gjergjin, misionar në Zagreb,  Don Agim Qerkinin, misionar në Luzern (CH), Don Nikson Shabanin, misionar në Vjenë, Don Marjan Lorencin, rektorin dhe famullitarin e Letnicës, Don Meriton Dedaj, famullitarin e Binçës dhe Don Jeton Thaqin – famullitar i Stubllës.

Besimtarët, shtegtarë nga famullitë e kësaj treve, që janë të devotshmit e shenjtës, gjithnjë bëjnë njet të shtegtojnë këmbë, një traditë tashmë shumëvjeçare. Sivjet ishin rreth 80 prej tyre që kishin shtegtuar këmbë nga Stublla deri në Dunav, t’u i kalua malet e kodrat me lutje e uratë, të prirë nga dy meshtarët, Don Agim Qerkini dhe Don Nikson Shabani.

Në pretkun e rastit prijësi i meshës, u përqendrua në jetën dhe veprën e Shna Prenës duke nxitur besimtarët që të jetojnë sipas shembullit të saj, që .

Meshën  e shenjtë e animuan me këngë liturgjike kori i famullisë së Stubllës, që me zërin e tyre gjithmonë e bëjnë më të bukur çdo festë të kësaj famullie. Ndërmjetësia e Shna Prenes, na e shtoftë fenë e na dhuroftë bekime./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »