5 gabimet qe mund t`i bëni në meshë pa dijeninë tuaj

Jul 29 • Këndvështrime

Mesha shenjte ka liturgjitë dhe ritet e përcaktuara shumë mirë. Ja pesë gabimet më të shpeshta që mund t`i bëni pa qenë të vetëdijshëm për to.

 

  1. Gjatë shugurimit, duhet të gjunjëzohemi apo të rijmë në këmbë?

Besimtarët “duhet të bien në gjunjë gjatë shugurimit, përveç në rast sëmundjeje, mungesës hapësinore, shumicës së të pranishmëve, ose të ndonjë arsyetimi tjetër të përligjshëm. Ata që nuk do të gjunjëzohen gjatë shugurimit, kanë për t’u përkulur thellë, përderisa prifti të jetë gjunjëzuar pas shugurimit”: është e shkruar me shumë saktësi në Rregulloren e Përgjithshme të Mesharit Romak (RRPMR), nr. 43. Kisha na këshillon që të rijmë në gjunjë gjatë krejt aktit të shugurimit dhe më pas të ngritëmi në këmbë pasi të jemi përgjigjur: “Kujtojmë vdekjen tënde, o Zot; shpallim ngjalljen tënde dhe presim ardhjen tënde me lumturi”.

 

  1. Shenja e paqes

Sa i përket shenjës së paqes që besimtarët ia japin njëri-tjetrit, Papa Benedikti XVI ka deklaruar në nxitjen e tij apostolike Sacramentum Caritas:

“Gjatë Sinodit të Ipeshkvijve është theksuar mundësia që ky gjest të moderohet, në mënyrë që të mos marr trajtë të tepruar, duke shkaktuar pështjellim në asamble pikërisht para Kungimit.” (SC, 49)

Në një letër tjetër, kardinali Canizares, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e konfirmon se ky gjest nuk është i obligueshëm, duke saktësuar:

“Është legjitime të thuhet se nuk bëhet fjalë për thirrje që në mënyrë automatike të  shkëmbehet shenja e paqes.  Nëse pritet se kjo nuk do të kryhet siç duhet.”

 

  1. “Por na liro nga i keqi”. Amen.

E dimë shumë mirë se rregullorja e përgjithshme thotë se për ta përmbyllur në mënyrë të drejt një lutje, në fund themi “Amen”.  Atëherë, pse nuk duhet ta themi në fund të Ati Ynë? Fjala hebraike “amen”, e përkthyer afërsisht si “ashtu qoftë”, thuhet në fund të një lutje; e nëse nuk thuhet pas Ati Ynë në ritin e kungimit ndodhë thjeshtë sepse lutja ende nuk ka përfunduar.

Pasi bashkësia e besimtarëve e ka përmbyllur lutjen duke thënë “por na liro nga i keqi”, në vend se të thuhet “amen” prifti e drejton një kërkesë të fundit Atit tonë, duke thënë:

Na liro, po të lutemi, O Zot, prej të gjitha të këqijave,

dhe për mirësinë tënde, na e jep paqen në ditët tona;

e, në saje të mëshirës sate,

do të lirohemi përgjithmonë prej mëkatit

e do të jemi të sigurt prej çdo turbullimi,

duke e pritur shpresën e lume:

ardhjen e Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit.

 

  1. “Nëpër Krishtin, e me Krishtin dhe në Krishtin…”

Ekzistojnë lutje për të cilat meshtarët kane ekskluzivitetin. Si për shembull, për doksologjinë “Nëpër Krishtin, e me Krishtin dhe në Krishtin...”, e cila thuhet në fund të lutjes eukaristike. Edhe pse kremtuesi i meshës thërret duke thënë “të gjithë së bashku”, besimtarët duhet të qëndrojnë në heshtje, pa lëvizur e duke u përgjigjur solemnisht “Amen” (RRPMR, 151).

Laikët nuk kanë nevojë ta recitojnë lutjen e paqes: “O Zot, Jezus Krisht, Ti u ke thënë apostujve të tu: Po ju lë paqen, po ju jap paqen time…”.Këtë lutje e thotë vetëm meshtari.

Duhet kuptuar rolet e ndara që kanë meshtari dhe laikët, gjatë meshës:

Duhet të evitohet rreziku i zbehjes së përplotësueshmërisë mes veprimeve të klerikëve dhe atyre të laikëve, siç mund të ndodh t`i jep laikut në njëfarë forme rol, si thuhet “priftëzues”, kurse në anën tjetër meshtarët të marrin në mënyrë jo të denjë detyra të cilat i takojnë besimtarëve laikë. (Redemptionis Sacramentum, 45)

 

  1. Agjërimi eukaristik

Kisha, si rregull i përgjithshëm, kërkon agjërim eukaristik një orë para kungimit, që nënkupton të privuarit nga ushqimi dhe lëngjet – por uji dhe ilaçet janë të lejuara (Kushtetuta apostolike Christus Dominus).

Agjërimi nënkupton edhe të ndaluarit e përtypjes së gomave përtypëse (chewing-gum) para dhe gjatë kremtimit të meshës. Ky rregull është obligues dhe të shkelurit e tij qëllimshëm konsiderohet prej Kishës një sakrilegj. Mos shkelja e këtij rregulli është shenjë e respektit të thellë e atij që Eukaristinë e sheh prani reale të Krishtit – si dhe njetit të mirë për t`u përgatitur siç duhet për ta pranuar Zotin./drita.info

 

Burimi: it.aleteia.org

Përkthimi për Dritën: V.B.

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »