Shugurimi i Kishës se re në Famullinë e Gllogjanit

Jul 30 • Kisha në Kosovë

Nga Elona Thaqi

 

Të shtunën, më 27 korrik 2019, në Famullinë e Gllogjanit u bë shugurimi i Kishës së re të Shën Ndout nga Ipeshkvi i Dioqezës Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me shumë meshtarë të dioqezës. Qe nga data 29.05.2016,  kur u bë bekimi i gurthemelit të kësaj kishe, famullia e Gllogjanit po e priste shugurimin e kishës me shpresë, besim  dhe gëzim të madh.

Kisha, që ka një kuptim dhe vlerë të madhe në jetën e bashkësisë, na ka nxitur për të rifilluar ndërtesën në të cilën bashkësia e krishterë mblidhet për ta dëgjuar fjalën e Zotit, ku lutemi bashkë, i marrim sakramentet dhe e kremtojmë eukaristinë e shenjtë.

Riri i shugurimit, sipas normave liturgjike, filloi me bekimin ujit në hyrje të Kishës, e pastaj ipeshkvi me meshtarë e bekoi me të njëjtin ujë Kishën dhe të pranishmit, që është shenja e parë e këtij riti të pasur liturgjik, që vazhdon me dëgjimin e Fjalës së Zotit, homelinë, lutjen e kushtimit, lyerjen me vaj të shenjtë të altarit dhe pjesëve të kishës, dhe pjesëve tjera përbërëse që e bëjnë të shenjtë kishën përkatëse.

Në homelinë e tij Imzot Dodë Gjergji, i gëzuar për këtë festë të madhe për bashkësinë e famullisë së Gllogjanit, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit, besimtarë, miq, donator, autoritete lokale dhe qendrore, tha: “Dëshiroj ta falënderoj Zotin për këtë dhuratë të madhe, për këtë kishë të bukur, për  këtë hir, e për këtë mundësi të mirë që na ka dhënë. Në mënyrë të veçantë e falënderoj Don Franën për iniciativën e përkushtimin që ta ndërtojë këtë kishe dhe donatoret kontributdhënës në Kosovë, në trevat shqiptare dhe ne diasporën tonë kudo në Evropë e botë. S’ka rëndësi se kush sa ka dhënë, por e rëndësishme është se e keni dhënë me gjithë zemër, e Zoti ua shpërbleftë me te mira. Gjithkush prej ju e ka vu një pikë ndjerë në këtë kishë. Prandaj faleminderit të gjithëve. E, përmes shugurimit dhe kushtimit te kësaj kishe, ju i kushtoni zemrat tuaja’’

Pastaj ipeshkvi, duke evokuar sakrificën e Abelit kushtuar Zitit, ndërlidhi atë me sakrificën e popullit shqiptar gjatë shekujve: “Duke shprehur falënderimin për të gjithë bamirësit e kësaj Kishe duke të them me plotë fe: se ne si popull kemi çka t’i kushtojmë Zotit. Ne si popull mund t’i kushtojmë Zotit 300 vjet gjak të martirëve, vuajtje e persekutime të Perandorisë Romake. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 500 vjet vuajtje, gjak, persekutim të Perandorisë Otomane. Ne kemi t’i kushtojmë Zotit 100 vjet vuajtje, sakrificë, martirizim të mbretërisë serbe, ose kroate e sllovende dhe të asaj jugosllave.”

Në festën e kushtimit të Kishës kishte shumë mysafirë, nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Kryeministrin e Republikës se Kosovës, zotërinë Ramush Haradinaj, ministrin Pal Lekaj, deputet dhe zëvendësministra, kryetarin e Komunës së Pejës, zotëri Gazmend Muhaxheri, më stafin e tij komunal, deri te përfaqësues të bashkësisë islame e Lugut të Baranit, besimtarë të fesë se krishterë, të besimit islam, mysafirë nga Shqipëria (Tirana, Lezha, Rrësheni dhe Shkodra ), nga Mali i zi dhe Maqedonia, bamirësit e Kishës sonë nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nga shumë shtete të tjera evropiane, sidomos nga Gjermania, Zvicra, Belgjika, Çekia, Austria, Kroacia e të tjera.

Në mbarim të meshës, me një fjalë rasti asamblesë iu drejtua Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e përgëzojë  Kishën e re duke u shprehur: “Para se të filloj në deklaratën zyrtare, kam dy fjalë emocionale. Kur kam qenë fëmijë, kam ardhur të dajtë e mi këtu në Jablanicë, e kur është sëmur ndokush, kam ardhur me gjyshen time, Nënën Azë dëshmore, deri këtu në Kishë, ka qenë një motër e cila ka ofruar shërbime shëndetësore. Pra, krejt populli i kësaj krahine, e ka pas një shpresë, se s’ka pas ku me u drejtu, e kanë ardhur këtu, pa dallim besimi. Një ngjarje tjetër që dua ta ndaj me ju, ka të bëjë me një dëshmor, është Nika. Nika u vra në luftë, në mbrojtje të familjes së vet, truallit të vet, të identitetit të vet dhe në varrimin e tij, nderimin e fundit ia ka bë meshtari i kësaj kishe (Don Kelmend Spaqi)”. Ai po ashtu u shpreh krenar me historinë e shqiptarëve, të cilët, siç tha ai, pa dallim feje e vendi, krenohen me Skënderbeun dhe Nënën Tërezëˮ, vazhdoi Haradinaj. “Është një listë e gjatë e jetës sonë të përbashkët, në besim, në vlera dhe në identitet. Por ndoshta më së miri këtë e shpjegon fakti, se shqiptari, prej cilës do krahinë të atdheut tonë autokton, apo në diasporë, sot mburret me Skënderbeun e me Nënën Terezë. Ky fakt na bën me besua, jo vetëm që kemi me ecën drejtë rrugës tonë, me ruajt vetën, ashtu siç kemi ditë qindra vjet, por edhe do ta nderojmë familjen e madhe evropiane, euroatlantike, si anëtar i familjes”, tha në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj.

Kurse krejt në mbarim, Don Pal Tuanj, famullitar i Gllogjanit, e ftoi ish famullitarin Don Franë Kolën, i cili e pati nisur dhe përfunduar këtë kishë, të bënë një historik të gjithë ndërtimit dhe të paraqet bamirësit, falë të cilëve kisha është përfunduar në kohë të shpejt.

Arkitekti i kësaj kishe është Ardian Dodaj, kurse piktura dhe dekorimi i altarit nga Eduard&Albana Sinaj.

Pas përfundimit të meshës se shenjtë të shugurimit, në oborrin e kishës patëm një dark të përbashkët vëllazërore me një program të pasur kulturor dhe artistik i animuar nga të rinjtë dhe të rejat e famullisë, po ashtu edhe miqtë e kishës sonë, qe uronin dhe përgëzonin për Kishën e  re të sapo shuguruar.

Historik i shkurtër për famullinë e Gllogjanit

Famullia e Gllogjanit deri në vitin 1921 ishte filiale e Famullisë së Pejës. Historia e kësaj famullie është e lashtë aq sa janë banoret e parë të këtyre fshatrave. Në fillim kjo pjesë është administruar nga famullia e Pejës, ku nga viti 1701 është shërbyer nga etërit françeskanë. Më Dekretin e datës 18. 10. 1921 të Argjipeshkvit Imzot Lazër Mjeda, Famullia e Gllogjanit dhe Zllakuqanit ndahen juridikisht nga Famullia e Pejës, dekreti ka këtë përmbajtje:

Prandaj nga autoriteti i Ordinariatit tonë kemi vendosur që famullia e Pejës, e cila ka pajtore Shën Katarinën, të përkufizohet me kufijtë e qytetit, kurse do të veçohet konaku i Zllakuqanit, i dedikuar Shën Gjon Pagëzuesit, i përfshirë edhe me katundet e afërta, të njohur me emrin Lugu i Drinit dhe Prekorupa; gjithashtu konaku stacionar i Gllogjanit, i cili ka pajtor Shën Ndoun e Padovës, do të përfshijë edhe ato vende, të cilat janë në përbërje të dy emërtimeve, që janë Lugu i Baranit dhe Lugu i Leshanit”.

Këto fjalë të dekretit të Argjipeshkvit Lazër Mjedës janë një rrugë e gjithë asaj se çka kemi arritur deri më sot. Kjo është data historike për Famullinë e Gllogjanit, sepse nga tash e tutje obligimet si ato të meshtarëve dhe ajo e besimtarëve. Këto obligime lidhën më përgjegjësit që i kanë të ndërsjella, e cila kërkon urti, mbrojtje, këmbëngulësi dhe vullnet për t’i qëndruar besnik fesë dhe Kishës famullitarë.

Natyrisht, se fillimi është çdo herë i vështirë, por dashuria ndaj Kishës i ka tejkaluar të gjitha pengesat e mundshme, duke u rritur dhe ushqyer çdo ditë më fjalën e Zotit dhe me sakramentet e ndara nga famullitarët. Famullia për çdo dekadë u përforcua edhe nga numri i besimtarëve që rritej vazhdimisht.

Vlen të theksojmë në këtë paraqitje të kronologjisë së Famullisë së Gllogjanit, që Ipeshkvi ordinar i Dioqezës Shkup-Prizren, me Dekretin e datës së 7 Nëntorit 1978, e themelon Famullinë e Lartësimit të Shën Kryqit, në Gllviçicë, duke e ndarë nga Gllogjani. Kjo famulli me qendër në Gllaviçicë, e shtrirë në Lugun e Leshanit, përfshinë këto fshatra: Gllaviçicë, Vragoc, Babiq, Millovanc, Pishtan, Resujë, Lozhan, Poterqi i Epërm, Poterqi i Ultë, Drenoc, Dugajevë, Grabanicë; ky Dekret hyn në fuqi më datën 1 janar 1979.

Po ashtu, në vitin 2002, me Dekretin e Ipeshkvit Imzot Mark Sopi, filiali i Shën Jakut në fshatin Bardhaniq kalon nga Famullia e Becit nën juridiksionin e Famullisë së Gllogjanit me fshatrat: Gregoc, Dashinoc, Ratish dhe Rakoc.

Nga famullia e Gllogjanit kemi një meshtar dhe 22 motra të nderit.

Duke u bazuar në Arkivin e Famullisë nxjerrim këto statistika:

Familje: 338; Familje në famulli: 206; Shtëpi të mbyllura: 132; Banor në famulli: 1.162; Banor jasht famullie: 2.428; Gjithësej banorë: 3.590 (këtu nuk janë përfshirë ato familjet që janë zhvendosur përbrenda territorit të Kosovës Klinë, Pejë, Gjakovë, Prishtinë)./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »