I/e shpëtuar nga preokupimet dhe planet vetjake
31 korrik 2019 – E mërkurë, Shën Injaci i Lojolës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Dal 34,29-35; Ps 99,5-7.9; Mt 13,44-46)
Prania e Hyjit
Ndalem një moment dhe e marr me mend praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që ato të ekzistojnë;
në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që ato të ndiejnë;
dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, edhe më shumë,
më bën tempull, vendbanim të Shpirtit të Shenjtë.
Liria
Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerr gjithë atë që mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci).
Lus për hirin shenjtë që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.
Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.
Fjala
Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
– – –
Mt 13, 44-46
44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.
45 Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.
– – –
Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Thesari i fshehur duket sikur dallon nga shpallja e lajmit të gëzueshëm. Ekziston koha kur fjalën e Zotit duhet ta pranoj në heshtje, direkt në zemrën time, ta vlerësoj atë dhe në dritën e saj ta vështroj jetën time. Shpalljen mund ta lë për një kohë tjetër.
- Krahasimi apo shëmbëlltyra tregon rëndësinë që të di të çlirohem apo ta lë të shkojë një gjë. Do ta lus Zotin që të ma japë lirinë që më duhet që t`i lë anash preokupimet e mia, planet – madje edhe shpresat – kështu që të bëj vend për Zotin dhe planet e tij.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Shugurimi i Kishës se re në Famullinë e Gllogjanit Ku shkon ti kur dëshiron ta takosh Zotin? »