Ku shkon ti kur dëshiron ta takosh Zotin?

Aug 1 • Meditimi i ditës

1 gusht 2019 – E enjte, Shën Alfons Liguori, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 40,16-21.34-38; Ps 84,3-6.8a.11; Mt 13,47-53)

 

Prania e Hyjit

Me të filluar këtë kohë lutjejetë qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur meshpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

Bekoje, shpirti im, Zotin, që jetën ma dhuron – që më drejton në jetë.

Gjëja më e rëndësishme për mua që tani të bëj, ndërsa hyj në lutje, është që të lirohem një moment, t`i lëshoj shqetësimet e mia, brengat, frikën dhe ngurrimin tim, dhe t`i lejoj vetes të udhëhiqem nga Hyji duke besuar se Hyji, që më do, do të më çojë në jetë.

 

Ndërgjegjësimi

Gjatë kohës që je ulur këtu tani, ose je duke qëndruar, ose çfarëdo që je duke bërë, mund të ndodh që mos të mendosh mirë për veten tënde. Mund të ndihesh pak i shurdhër ose i lodhur. Por, ndërsa dëgjon, provo dhe përqendrohu në tre gjëra – dritën që është rreth teje …. pastaj dritën që Zoti sjell në jetën tënde … dhe pastaj dritën që ti mund ta reflektosh, ose ta reflektosh për njerëzit përreth teje, njerëzit në jetën tënde dhe për botën.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.


 

Dal 40,16-21.34-38

 

16 Moisiu i bëri të gjitha ato që i kishte urdhëruar Zoti: ashtu edhe bëri.

17 Kështu, pra, të parën ditë të muajit të parë të vitit të dytë u ngreh Banesa. 18 Moisiu e ngriti atë, vendosi bazat, dërrasat e shtagat dhe i ngriti shtyllakët. 19 Atëherë e shtriu tendën përmbi Banesë e mbi të vuri mbulesën e Tendës, po ashtu siç i kishte urdhëruar Zoti Moisiut. 20 Pastaj e mori Dëshminë dhe e futi në Arkë. Arkës i vuri shtagat e atëherë e vuri mbi Arkë Pajtimoren. 21 Pasi e futi Arkën në Banesë, e vari para saj koltrinën, ashtu si i kishte urdhëruar Zoti Moisiut.

34 Atëherë reja e mbuloi Tendën e takimit dhe Lavdia e Zotit e mbushi Banesën. 35 Moisiu nuk mundi të hyjë në Tendën e takimit, për shkak të resë që rrinte mbi të dhe të Lavdisë së Zotit që e kishte mbushur Banesën.

36 Gjatë krejt kohës së shtegtimit, kurdo që reja ngrihej prej Banesës, izraelitët çoheshin, 37 e nëse reja nuk çohej, izraelitët nuk merrnin udhëtim deri atë ditë kur ngrihej reja prej Banesës. 38 Gjatë krejt kohës së shtegtimit të tyre reja e Zotit ditën e mbulonte Banesën, kurse natën dukej në të zjarri që e shihte mbarë shtëpia e Izraelit.


 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Sot jemi kthyer në vitet kur banorët e Izraelit po bridhnin në shkretëtirë. Ata e kishin lëshuar Egjiptin, por ende nuk kishin arritur në tokën që Zoti u kishte premtuar atyre. Moisiu, udhëheqësi i tyre, krijon një lloj tempulli të lëvizshëm, diku ku njerëzit mund të shkonin për të takuar Perëndinë. Ku shkon ti kur dëshiron ta takosh Zotin?
  • Njerëzit në shkretëtirë udhëzohen nga prania e Hyjit. Ata e ndjekin një re gjatë ditës dhe një zjarr gjatë natës. Çka do t’i thoshe dikujt që të pyet se si Zoti të udhëzon në jetën tënde?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, përpiqu të paramendosh strukturën që po e ndreqte Moisiu, dhe fito një kuptim të asaj që mund të kishte ajo për njerëzit që e ndiqnin gjatë kohës që po e kalonin shkretëtirën.

 

Bashkëbisedimi

Kudo që të jesh tani, vetë ai vend ku ndodhesh është një mundësi që ta gjesh Zotin. Bisedo një a dy momente me Zotin që të ka gjetur këtu sot.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot Hyj, bëj që fjala jote të lëshojë rrënjë të thellë në zemrën time dhe të transformojë mënyrën time të të menduarit, të dalluarit si dhe të vepruarit. Bëj që të jem një studiues i zellshëm dhe një dishepull besnik i Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »