Imzot Dodë Gjergji në ditën e diasporës: Dashuria për vendin është e shenjtë!

Aug 2 • Këndvështrime, Kisha në Kosovë

Në Kishën e Shën Kollit në Novobërd, është mbajtur mesha solemne kushtuar diasporës, e cila për çdo vjet kremtohet me 1 gusht, nga Kisha Katolike në Kosovë. Gjatë meshës së shenjtë në kishën e Artanës, Imzot Dodë Gjergji ka mbajtur homelinë e rastit, të cilën po e japim të plotë.

 

Shkëlqesi e nderuar,

ju vëllezër në meshtari,

motra të nderit, vëllezër e motra,

të nderuar ju që merreni me të kaluarën tonë,

të dashur ju gur të moçëm që e keni mbajt mend shumë gjatë historinë tonë!

 

Sot, jemi këtu për të kremtuar ditën e diasporës, sepse ne një gushtin, për çdo vit, ia kushtojmë pikërisht diasporës dhe bashkë me ta dëshirojmë të lutemi për vendin tonë dhe për familjet e tyre.

Sot, ju ftoj që t’ia kushtojmë këtë meshë Zotit, i cili na fton të jemi ata që dimë të duam, jo vetëm Zotin, por çdo njeri, të afërm. Prandaj, këtë meshë duami ta kushtojmë edhe për ata njerëz, që kanë jetuar ndër shekuj në këto anë e në këtë Vend. Pa marrë parasysh se çfarë kanë besue, çfarë gjuhe kanë folur, a kanë ardhur për të marrë këtu ar, apo kanë jetuar këtu. Në mënyrë të veçantë, duami t’i kujtojmë ata priftërinj e ipeshkvij, që kanë shërbye në këtë kishë.

 

Pse jemi sot në Novobërd?

Kemi dashur të vijmë këtu, sepse është një vend i cili dëshmon se ne ishim para se të kishim fe, Zot; ne ishim këtu para lindjes së Krishtit, ne ishim këtu edhe para se të vinin otomanet me Muhametin e tyre, ne ishim këtu edhe para se të vinin sllavët.

Ne ishim këtu. Edhe pse memoria jonë ndoshta është fshi, i kemi këta gur që dëshmojnë se ne edhe besonim, besonim në atë që e kemi dëgjuar në Ungjill, i cili na thotë, “Ju urdhëroj, duani njëri-tjetrin” (Jezusi). Sepse është Zoti ynë. Ne, prandaj, në këtë kremtim, duami të falënderojmë Atë që na ka mundësuar të mbetemi besnik kësaj fjale të ungjillit. Sepse nuk ka qenë lehtë të mbetemi besnik.

“Nëse i mbani urdhërimet e mia, atëherë do të dëshmoni se më doni”, thotë sot ungjilli, e ne i kemi mbajt, e do t’i mbajmë përsëri, t’i mbajmë urdhërimet e dashurisë, që të jemi bartës të paqes dhe pajtues të së kaluarës me të ardhmen, sepse e sotmja nuk ka rol tjetër.

Edhe ne sot e kemi rolin që ta pajtojmë të kaluarën me të ardhmen; me të ardhmen e vendit, popullit dhe të gjithë njerëzve që jetojnë e që do të jetojnë këtu në shekuj.

Po ashtu kemi dashur t’iu japim një mesazh diasporës dhe migrantëve që nuk duhet ta harrojmë vendin tonë, por ta duami dhe të lutemi për të, sepse dashuria për vendin është e shenjtë./drita.info

 

(Teksti është marrë nga inxhizimi i meshës nga Radio Maria Kosovë. Transkribimi dhe titulli i homelisë është bërë nga revista Drita)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »