Imzot Zef Gashi kremton 50-vjetorin e meshtarisë me përurim libri dhe meshë të shenjtë në Katedralen e Prishtinës

Aug 2 • Kisha ndër Shqiptarë, Kisha në Kosovë

Në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë, ish famullitari i Prishtinës, tani argjipeshkv i Tivarit në pension, Imzot Zef Gashi, biri i Dioqezës Prizren-Prishtinë, ka kremtuar 50-vjetorin e meshtariës, 80-vjetorin e jetës dhe 20 vjetorin e shugurimit ipeshkvor. 

 

Paraqitja e librit

Në mesin e familjarëve, miqve e bashkëpunëtoreve të shumtë, kremtimi filloi me paraqitjen e librit Imzot Zef Gashit “Kujtimet e mia. Rrjedha jetësore, ngjarje, ditar, kronika”, Drita, Prishtinë 2019, f. 398, i cili u prezantua në Qendrën “BogdaniPolis”, të shtunë, më 27 korrik 2019, i udhëhequr nga Don Fatmir Koliqi, drejtor i Sh.B. Drita dhe famullitar i Prishtinës.

Pasi përshëndeti të pranishmit në sallë: Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv nikoqir i Dioqezës Prizren-Prishtinë,  Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në prension, Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, Imzot Hil Kabashi, administrator apostolik i Shqipërisës ë Jugut në pension, Imzot Stanislav Hoçevar, argjipeshkëv i Beogradit, salezian slloven, ish provincial i salezianëve në Lubjanë, kur ishte meshtarë mons. Gashi, M. Lidia Kçira, provincialja e motrave françeskane, meshtarë, e familjarë të kremtuesit, dhe të gjithë miqve, Don Fatmiri tha se “sot, në shënimin e 50-vjetorit të meshtarisë së Imzot Zef Gashit, 80-vjetorit të lindjes dhe 20-vjetorit të shugurimit ipeshkëv, Sh. B. “Drita” ka nderin të prezantoj si botuese librin e kremtuesit me titullKujtimet e mia. Rrjedha jetësore – Ngjarje – Ditar –Kronika.”, Drita, Prishtinë 2019, f. 398, e cila është njëra nga librar e parë të kësaj natyre. Prandaj, më lejoni të bëjë prezantimin e saj në pika të shkurtëra”.

 Libri është i botuar në kolonën e botimeve monografike, i 26 me radhë – theksoi drejtori i Dirës – i cili është i ndarë në 5 kapituj: 1) Në fillimet e jetës sime: në të cilin paraqitet jeta fëmijërore, familja, studimet filozofike-teologjike, noviciati në familjen rregulltare saleziane, shugurimi meshtarak dhe mesha e parë. 2) Famullitar në Prishtinë: jeta dhe veprimtaria e tij në Famullinë e Prishtinës, në fillim si zv/famullitar dhe pastaj famullitar i parë shqiptar pas luftës së dytë botërore, i cili ka shërbyer për 22 vjet, nga viti 1971-1991; 3) Qëndrimi në Shqipëri:  themelimi i bashkësisë së parë saleziane në Shqipëri (Shkodër), themelimi i Institutit Katekistik Kombëtar dhe drejtori i parë në këtë institucion, jeta pastorale në vitet e para të kohës së pas rënies së komunizmit; 4) Kryeipeshkëv i Tivarit: shugurimi ipeshkvor dhe veprimtaria e bujshme në Argjipeshkvinë e lashtë të Tivarit, një kronikë e pasur e jetës baritore; 5) Si i njoha…: 10 personalitete që autori ka pasur një raport të veçantë gjatë jetës së tij, në periudha të ndryshme: 2 shenjtër (Shën Gjon Pali II dhe Shën Nënë Tereza), 2 meshtarë (Don Gaspër Gjini dhe Don Nikollë Mini), 2 ipeshkvij (Imzot Nikë Prela dhe Imzot Lucjan Avgustini), 2 studiues (Prof. Zef Mirdita dhe Prof. Lorenc Antoni) dhe 2 veprimtarë të çështjes së Kosovës (Dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. Anton Çeta).

“Nëse do ta shkojmë këtë libër nga një përqasje tipologjike e krijimtarisë – tha Don Fatmiri – atëherë do ta rreshtojmë te tipi i krijimtarisë dokumentare, e shkruar në formën kronologjike. Nuk është një krijimtari fiksionaliteti, e letërarizuar, që kohët e fundit i gjejmë në rritje si një zhanër jo vetëm tek ne shqiptarët, por edhe në botë, si një formë e preferuar dhe shumë e kërkuar nga lexuesit bashkëkohorë, por është një kronos real, me personazhe të vërteta, të një historie 80 vjeçare, protagonist i së cilës është vetë autori.” – dhe vazhdoi se ky libër është një kronologji me shumë momente hiri – e nëse e përdorim terminologjinë e mendësisë greke – krishterë, atëherë do të përcaktonin këtë vepër si një panoramë e kairosit në kronisin shqiptar, që gjatë intervalit kohor 80 vjet, shihet si hiri/gishti i Zotit/, që e ka udhëheq jetën e autorit, por edhe kishën dhe popullin tonë. Nëse merret në këtë pikëvështrim, çdo vjet, (i shënuar me A.D. anno domini), çdo datë e gjejmë një relacion/marrëdhënie të realizuar të kairosi-t, pra një moment hiri që realizohet në historinë e një personi, meshtar dhe ipeshkëv, por edhe në një bashkësi ku i njëjti është i mishëruar si pjesë e saj.”

Për të paraqitur librin, e më tepër jetën dhe veprimtarinë e kremtuesit, shumë të nderuarin Shkëlqesinë e Tij, Imzot Zef Gashi, ishin të ftuara dy zonja, Mirie Rushani, studiuese, ish ministre e shkencës dhe e teknologjisë në Republikën e Maqedonisë, diplomate, dhe Angjelina Gjeka, bashkëpunëtore e argjipeshkvit në Shqipëri, sekretare e Institutit Katekistik në Shkodër.

Znj. Mirie Rushani, në fjalën e saj u përqendrua te jeta dhe kontributi i Mons. Gashit gjatë shërbimit të tij si famullitar në Prishtinë, posaçërisht në aktivitetet kulturore dhe shoqërore që, sipas saj, që patën impakt të fuqishëm politik dhe githëpopullor. Në këto aktiviteti u përmendën: afërimii laikëve, intelektualëve, veprimtaria botuese, themelimi i shoqatës humanitare Nënë Tereza e të tjera.

Znj. Angjelina Gjeka, tregoi kontributin e Imzot Zefit në Shkodër, si drejtor i Institutit Katekistik Kombëtar dhe veprimtarinë pastorale, botuese e të tjera, të cilat ajo i ka përcjell që nga fillimi kur ka filluar autori veprimtarinë e tij në Shkodër.

Paraqitjen e librit e përshëndetën me fjalë të tyre, Imzot Dodë Gjergji, Imzot Hil Kabashi, Imzot Rrok Gjonlleshaj dhe Imzot Stanislav Hoçevar, kurse krejt në fund autori me shumë emocione falënderoj panelin e prezantimit, sh. B. Drita për botimin e librit dhe të gjithë ata që e kanë mundësuar që sot lexuesit të kanë një libër të këtillë.

 

Mesha e shenjtë

Në ora 11:00 u kremtua mesha e shenjtë, e cila filloi me leximin e letrës së urimit të Papa Françeskut dërguar kremtuesit të jubileut të artë. Leximin e bëri argjipeshkvi aktual i Tivari Imzot Rrok Gjonlleshaj, e cila ka këtë përmbajtje:

Vëllait të nderuar Zef Gashit, S.D.B, argjipeshkvit të Tivarit në pension, në përkujtim të gëzueshëm të jubileut të artë të meshtarisë, e lartësojmë uratën Tonë, për parapëlqimin e tij në shpalljen e Ungjillit, si dhe ruajtjen e doktrinës së krishterë; Atij ia dhurojmë Bekimin Apostolik me shumë dashuri, së bashku me dhuratat qiellore, ndërmjetësi të vrullshme, në shenjë të dashurisë vëllazërore, duke kërkuar për Të gjithnjë ndihmën e uratës, në emër të kryerjes së Detyrës Sonë apostolike në Selinë e Shën Pjetrit.

Prej Selisë së Shën Pjetrit, 20 qershor 2019.

Papa Françesku

 

Pas kësaj hyerje solemne e cila u përcoll me shumë emocione dhe duartrokitje, fjalën e mori nikoqiri Imzot Dodë Gjergji, i cili i përshëndeti të gjithë (argj)ipeshkvijtë, meshtarët, motrat e nderit, miqtë e dashamirët dhe familjarët e Mons. Gashit. Ishin të pranishëm Imzot Angelo Massafra, argjipeshkëv i Shkodrës, Imzot Stanislav Hoçevar, argjipeshkëv i Beogradit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit,  Imzot Hil Kabashi, administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut në pension, Imzot Simon Kulli, ipeshkëv i Sapës, Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit, dhjetëra meshtarë e motra të kongregatave të ndryshme, familjarë e miqtë.

Meshën e udhëhoqi Mons. Gashi kurse homelinë e meshës e tha Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, pasardhësi i drejtpërdrejt i tij, i cili homelinë e nisi me këtë fjalë:  “I dashuri Mons. Zef, deri sa nga zemra ju përshëndes dhe ju uroj për këtë ditë dhe përvjetor të rëndësishëm në jetën tuaj, në këtë meshë falënderimi, tani më psalmistin mund të thuash: “I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd ashtu si ia dhe fjalën. Ma mësove mirësinë, urtinë e dijen, e une u besova urdhërimëve të tua.” (Ps 119)” – që pastaj i theksoi disa karakteristika të jetës së argjipeshkvit:  “Ke lindur në Peshter, në kushte të vështira, jo vetëm për ty e familjen tënde, por për të gjithë, dhe atë në fillimin e Luftës së II Botërore – periudhë me shumë rreziqe, por Zoti të ka dashur, të ka ruajt dhe të ka mbajt në jetë, sepse kishte plane me ty.

Ishe i pari salezian shqiptar dhe i pari famullitar shqiptar i pas luftës në famullinë e Prishtinës. Përsëri një periudhë 22 vjeçare e vështirë për ty dhe më shumë sfida. Edhe këtë ke arrit ta menaxhosh si më së miri, e ne që erdhëm pas teje e kishim shumë më lehtë. Këtu ishin vërë themelet e shëndosha të jetës më Krishtin dhe Kishën.

Ishe i pari salezian shqiptar, i cili pas rënies së komunizmit ateist shkove në Shqipëri, në Shkodër dhe atje për 6 vite organizove jetën pastorale me Zotin, duke e hapur dhe drejtuar institutin, i cili edhe sot është aktiv.

U emërove dhe e more detyrën e argjipeshkvit të Tivarit mu në fillimin e luftës që zhvillohej në Kosovë. Përsëri një periudhe 18 vjeçare, e rëndë dhe më plot rreziqe. Duke ju njohur për punëtorë, të hareshëm dhe plot energji pozitive, dhe duke marrë pjesë në intronizimin tuaj, kam menduar se a do të ia dilni që ta ruani atë optimizëm kur të ballafaqoheni më mohimin e respektit dhe më pengesat e shumta, siç ishin: pengesat kufitare që të hyni në Mal të Zi, mosinteresimi i banorëve, i besimtarëve dhe i familjarve që ishin detyruar të nënshkruanin peticion për të ngulfatur motivimin, dhe për të përbuzur dhe përulur autoritetin e argjipeshkvit.

Por as këtu nuk u dorëzove. Menjëherë u angazhove për të drejtuar Argjidioqezen dhe për të organizuar pranimin dhe sistemimin e të përpjekurve nga lufta e Kosovës.”

Pasi Imzot Gjonlleshaj theskësoi karakteristikat për jetën e kremtuesit, ai pastai i numëroi edhe hiret dhe privilegjet që ai i ka pasur gjetë këtyre 50 vjetëve të shërbimit për Kishën dhe popullin:

Mos harroni të falënderoni Zotin, – u shpreh drejtpërdrejt monsingor Rroku – i cili, gjatë jetës tuaj, të ka resh më shumë hire: Për një vit e ke administruar Kishën në Kosovë; ishe dy herë i deleguari special i Selisë së Shenjtë,  për 100 vjetorin e Shën Nënë Terezës dhe për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë; ishe kryetar i KIN Shën Çirili e Metodi; ke marr pjesë në sa Sinoda  e simpoziume ku janë marr vendime të rëndësishme për Kishen e Shenjtë,…” Përkundër kësaj, vazhdoi predikatari, “Të vetmen gjë të cilën e ke konsideruar të nevojshme ishte të duash e të shërbesh, si dhe gatishmërinë në vuajtje dhe flijim. E keni pasur të qartë se madhështia e një meshtari nuk matët me atë sa ka ba, por më dashurinë e cila e ka vë në lëvizje. E ke kuptuar se njerëzit gjithmonë kanë pasur nevojë për Zotin dhe kanë, e Zoti ka nevojë për ne si shërbyes.” – duke e përfunduar që “Zoja e bekuar – Nëna qiellore, Shën Nënë Tereza, në shenjtëroren e së cilës po e shënon këtë jubile, Sh’Masjani, pajtori i kishës ku jeni lindur e pagëzuar, ju përcjellshin, ju ruajtshin dhe ndërmjetësofshin për ju, kurse Ati i mirë qiellorë, për të gjitha ju shpërbleftë, e të gjithëve na bekoftë”.

Pas meshë për të gjithë të pranishmit, u shtrua një drekë e përbashkët vëllazërore në Qendrën “BogdaniPolis” nën Katedrale, e cila u moderua nga Don Izidor Llukiq, salezian./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »