Një panoramë e kairos-it në kronos-in shqiptar

Aug 2 • Kulturë, Recension

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Në shënimin e 50-vjetorit të meshtarisë të Imzot Zef Gashit, 80-vjetorit të lindjes dhe 20-vjetorit të shugurimit ipeshkëv, Sh. B. “Drita” ka nderin të prezantoj si botuese librin e kremtuesit me titull “Kujtimet e mia. Rrjedha jetësore – Ngjarje – Ditar –Kronika.”, Drita, Prishtinë 2019, f. 398. Libri është i botuar në kolonën e botimeve monografike, i 26 me radhë.

 

Struktura

Libri është i ndarë në 5 kapituj, me qëllimin e paraqitjes së një tërësie, që për autorin është jeta e tij tetëdekadëshe:

  • Në fillimet e jetës sime: në të cilin paraqitet jeta fëmijërore, familja, studimet filozofike-teologjike, noviciati në familjen rregulltare saleziane, shugurimi meshtarak dhe mesha e parë.
  • Famullitar në Prishtinë: jeta dhe veprimtaria e tij në Famullinë e Prishtinës, në fillim si zv/famullitar dhe pastaj famullitar i parë shqiptar pas Luftës së II Botërore, i cili ka shërbyer për 22 vjet, nga viti 1971-1991.
  • Qëndrimi në Shqipëri: themelimi i bashkësisë së parë saleziane në Shqipëri (Shkodër), themelimi i Institutit Katekistik Kombëtar dhe drejtori i parë në këtë institucion, jeta pastorale në vitet e para të kohës së pas rënies së komunizmit.
  • Kryeipeshkëv i Tivarit: shugurimi ipeshkvor dhe veprimtaria e bujshme në Argjipeshkvinë e lashtë të Tivarit, një kronikë e pasur e jetës baritore.
  • Si i njoha…: ku janë përfshirë 10 personalitete, me të cilët autori ka pasur një raport të veçantë gjatë jetës së tij, në periudha të ndryshme: 2 shenjtër (Shën Gjon Pali II dhe Shën Nënë Tereza), 2 meshtarë (Don Gaspër Gjini dhe Don Nikollë Mini), 2 ipeshkvij (Imzot Nikë Prela dhe Imzot Lucjan Avgustini), 2 studiues ( Zef Mirdita dhe Prof. Lorenc Antoni) dhe 2 veprimtarë të çështjes së Kosovës (Dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. Anton Çeta).

 

Tipologjia

Nëse do ta shkojmë këtë libër nga një përqasje tipologjike e krijimtarisë, atëherë do ta rreshtojmë te tipi i krijimtarisë dokumentare, e shkruar në formën kronologjike. Nuk është një krijimtari fiksionaliteti, e letërarizuar, që kohët e fundit i gjejmë në rritje si një zhanër jo vetëm tek ne shqiptarët, por edhe në botë, si një formë e preferuar dhe shumë e kërkuar nga lexuesit bashkëkohorë, por është një kronos real, me personazhe të vërteta, të një historie 80 vjeçare, protagonist i së cilës është vetë autori.

Grekët e lashtë, rrjedhën e ngjarjeve apo kohën e kanë emnue me dy fjalë: a) kronos, nga e cila ka marrë formë termi ynë perëndimor kronologjia, me të cilën ne e tregojmë (narration) rrjedhën e ngjarjeve të një pas njëshme në kohë. Dhe fjala e dytë, që grekët e kanë përdorur për kohën, është kairos, moment i veçantë kuptimor i kronosit, apo në gjuhën biblike “momenti i duhur i shpëtimit” apo edhe “çasti i hirit”. Në teologjinë e krishterë, kronos është hapësirë e kairosit, apo thënë në tonën: në historinë e ngjarjeve jemi të zhytur në hapësirë dhe kohë, si subjekte mikrokozmike, në të cilën e realizojmë shpëtimin.

Në këtë logjikë të mendimit kristian, autori nuk e shikon kronos-in si një qëllim (telos) por si një realitet apo edhe mjet në të cilën përnjëmendësohet kairos-i i njeriut (besimtar) (ai çasti i shpëtimit palian, në të cilin njeriu e gjen hapësirën dhe kohën e volitshme të shpëtimit/shëlbimit). Rrjedha e jetës, si një histori e përveçme apo bashkësiore, për autorin nuk janë dy realitete të ndara e të paputhshme, por si dy krah pa të cilët është e pamundur të shkruhet një histori e vërtetë. Është një gërshetim i natyrshëm, mbase do të thoja i domosdoshëm.

 

Mesazhi

Libri është një kronologji me shumë momente hiri – e nëse e përdorim terminologjinë e mendësisë greke – të krishterë, atëherë do të përcaktonim këtë vepër si një panoramë e kairos-itkronos-in shqiptar, që gjatë intervalit kohor 80 vjet, shihet se si hiri (gishti i Zotit), e ka udhëheq jetën e autorit, por edhe kishën dhe popullin tonë.

Nëse merret nga ky pikëvështrim, çdo vjet, (i shënuar me A.D. anno domini), çdo ditë, e gjejmë një relacion, marrëdhënie të realizuar të kairos-it, pra një moment hiri që realizohet në historinë e një personi, meshtar dhe ipeshkëv, por edhe në një bashkësi ku i njëjti është i mishëruar si pjesë e saj.

Autori, me këtë libër na kujton se ruajtja e kujtesës dhe bërja e saj, janë përveçse përgjegjësi, ato janë po ashtu edhe mision, sepse përmes saj krijohet një substrat ndërtimi për të ardhmen, bëhet shtrat reflektimi për të planifikuar vizione për të ardhmen në Kishë dhe në shoqëri. Libri i Mons. Gashit, mund të konsiderohet si i tillë, që do të shërbejë për shumëkënd si kujtesë dhe dëshmi e një periudhe të kishës dhe popullit tonë, për ta kuptuar rrjedhën e saj në kohë të vështira e kohë të mira, në kohë hiresh, bekimesh e kohë të mungesës së saj, që ajo i ka përjetuar.

Dua të besoj se ky libër do të nxisë kurajën e shumë meshtarëve dhe ipeshkvijve të moshuar, të mos përtojnë të hedhin në letër kujtimet e tyre, që të bëhen mësues e ndërlidhës konstruktiv të gjeneratave, edhe dëshmitarë të kohërave të kaluara që nuk janë më./drita.info

 

(Fjala e Don Fatmir Koliqi, drejtor i Sh. B. Drita, në paraqitjen e librit: Imzot Zef Gashi, Kujtimet e mia. Rrjedha jetësore – ngjarje – ditar – kronika, Drita, Prishtinë 2019, f. 398. Qendra “BogdaniPolis”, e shtunë, 27 korrik 2019)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »