U shënua Dita e Diasporës në Novobërd

Aug 2 • Kisha në Kosovë

Nga Dedë Palokaj

 

Më 1 gusht 2019, Kisha Katolike tash disa vjet e shënon Ditën e Diasporës. Sivjet, kjo ditë u shënua me një shtegtim shpirtëror-kulturor në Kishën e Shën Kollit në Novobërd – vend i trashigimisë kulturore dhe shpirtërore i Kosovës, ku pas shumë shekujsh (që nga shek. XVII), për herë të parë u kremtua mesha e shenjtë.

Në këtë solemnitet, në të cilin morën pjesë qytetarë të Kosovës, pa dallim feje, meshën e shenjtë në kishën e Shën Kollit, e udhëhoqi Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë, në bashkëpunim me Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, meshtarë të dioqezës që shërbejnë në Prishtinë dhe të ardhur nga mërgata.

Ishin të pranishëm edhe miq e dashamirë të trashëgimisë kulturore, nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të monumenteve, të prirë nga Drejtori Ismet Hajrullahu.

Imzot Dodë Gjergji gjatë predikimit foli për vlerat kulturore, fetare dhe atdhetare si dhe bujare ndaj të afërmit dhe vëllait tonë njeri, si një mision që e ka pasur dhe e ka e duhet ta ketë Kisha dhe populli ynë. “Shkëlqesi e nderuar, ju vëllezër në meshtari, motra të nderit, vëllezër e motra, të nderuar ju që merreni me të kaluarën tonë, të dashur ju gur të moçëm që e keni mbajtë mend shumë gjatë historinë tonë.

Jemi sot këtu për të kremtuar ditën e diasporës, sepse ne 1 gushtin, për çdo vit ia kushtojmë pikërisht diasporës dhe bashkë me ta dëshirojmë të lutemi për vendin tonë dhe për familjet e tyre.

Sot, ju ftoj që t’ia kushtojmë këtë meshë Zotit, i cili na fton të jemi ata që dimë të duam, jo vetëm Zotin, por çdo njeri, të afërm. Prandaj, këtë meshë duami ta kushtojmë për ata njerëz, që kanë jetuar ndër shekuj në këto anë e në këtë Vend. Pa marrë parasysh se çfarë kanë besue, çfarë gjuhe kanë folur, a kanë ardhur për të marrë këtu ar, apo kanë jetuar këtu. E sidomos, duami t’i kujtojmë ata priftërinj, ipeshkvij, që kanë shërbye në këtë kishë.

Pse jemi sot në Novobërd? Kemi dashur të vijmë këtu, sepse është një vend i cili dëshmon se ne ishim para se të kishim fe, Zot, ne ishim këtu para lindjes së Krishtit, ne ishim këtu edhe para se të vinin otomanet me Muhametin, ne ishim këtu edhe para se të vinin sllavët. Ne ishim këtu, edhe pse memoria jonë ndoshta është fshi, i kemi këta gur që dëshmojnë se ne edhe besonim, besonim në atë që e kemi dëgjuar në Ungjill, i cili na thotë, “Ju urdhëroj, duani njëri-tjetrin” (Jezusi). Sepse është Zoti ynë. Ne, prandaj, në këtë kremtim, duami të falënderojmë Atë që na ka mundësuar të mbetemi besnik kësaj fjale të ungjillit. Sepse nuk ka qenë lehtë të mbetemi besnik. “Nëse i mbani urdhërimet e mia, atëherë do të dëshmoni se më doni”,  e ne i kemi mbajt, e do t’i mbajmë përsëri, t’i mbajmë urdhërimet e dashurisë, që të jemi bartës të paqes dhe pajtues të së kaluarës me të ardhmen, sepse e sotmja nuk ka rol tjetër. Edhe ne sot e kemi rolin që ta pajtojmë të kaluarën me të ardhmen; me të ardhmen e vendit, popullit dhe të gjithë njerëzve që jetojnë e që do të jetojnë këtu ndër shekuj. Po ashtu kemi dashur t’iu japim një mesazh diasporës dhe migrantëve që nuk duhet ta harrojmë vendin tonë, por ta duami dhe të lutemi për të. Sepse dashuria për vendin është e shenjtë.”

Në fund të meshës së shenjtë, këtë ditë e përshëndeti edhe Imzot Zef Gashi: “Ju përshëndes të gjithëve përzemërsisht, t’u fillua nga Imzot Dodë Gjergji, meshtarët këtu të pranishëm, motra të nderit e ju të gjithëve të pranishëm.

Për mua ky vend ku jemi, nuk është vend i panjohur, për faktin se vendlindja ime është matanë rrugës, përballë këtij vendi, katundi Peshter. Pastaj, në shërbimin tim për 22 vjet si famullitar, ky vend ka qenë brenda territorit administrativ të Famullisë së Prishtinës dhe Peshterit. Prandaj, shpesh kam ardhur këtu me njerëz të kulturës, profesorë, shkencëtar e hulumtues.

Këtë herë, ardhja jonë ka një karakter tjetër, një domethënie tjetër. Unë përzemërsisht e përshëndes këtë ide të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të juaj, për këtë solemnitet në vendin e Katedrales së Shën Kollit të Novobërdes. Është një iniciativë fatlume, e qëlluar shumë, në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe në rrethana të duhura, të cilën mendoj se do të duhej të shndërrohet në traditë. Traditë së paku vjetore të një vizite, jo vetëm të besimtarëve, por edhe të njerëzve të kulturës e qytetarëve tjerë të vendit. Sepse, ky vend ka një histori të pasur, begati të madhe, jo vetëm natyrore, siç dihet, por edhe pasuri kulturore dhe shpirtërore, për të cilat na fletë një literaturë e bollshme.

Ju uroj këtë ditë të gjithëve, duke dëshiruar që kjo të bëhet një traditë, një rikthim i së kaluarës sonë, e cila na garanton një të ardhme të mirë e fatlume, të cilën e dëshirojmë të gjithë ne.”

Pas fjalës së argjipeshkvit,  e përshëndeti këtë manifestim Ismet Hajrullahu, drejtor i Institutit për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore,: “Të nderuar pjesëmarrës, kjo është vërtetë njëra nga ditët më të shenjta, që unë në mendjen time e kujtoj, të kësaj natyre, kaq të rrallë, në një vend kaq të shenjtë, siç është Novobërda. Jemi në Katedralen Katolike, për të cilën kemi një histori të gjerë, e cila tregon lashtësinë. Është një urëlidhëse mes të tanishmes dhe të kaluarës sonë historike. Ajo që pak më herët u tha, se do të duhej të kthehej në një traditë të vazhdueshme, që njëherë në vit të vini të paktën, të kushtoni meshë gjithë diasporës, martirëve, dëshmorëve të kombit, të cilët nuk janë të paktë, janë me mijëra e mijëra. Ne si Institut i Kosovës për mbrojtjen e monumenteve, angazhohemi në maksimum për ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore. Faleminderit gjithçka që keni bërë. Faleminderit Ipeshkëv për këtë meshë në këtë vend të shenjtë”.

Kurse Ipeshkvi Dodë Gjergji, i falënderoj të gjithë për organizimin e kësaj dite të bukur e posaçërisht ju drejtua drejtorit: “Faleminderit zotëri Ismetit, që e ka mbështet këtë iniciativë. Uroj që të vazhdojmë me restaurimin e gjithë atyre trashëgimive tona që i kemi nën dhe, ne kemi hala gur nën dhe. Kjo është detyra e juaj, detyra e Shtetit, por edhe ne e kemi një detyre shumë më të zorshme se ju: me e restauru shpirtin e shqiptarit. Ne do të vazhdojmë, ngadalë-ngadalë, vende-vende qysh e ka lanë historia, e vende-vende me ia dhanë pamjen e vetë të vërtetë. Jam dakord që duhet të bëhet traditë kjo vizitë, por kisha propozuar një ditë tjetër: ditën e Shën Gjergjit!. Është më freskët.

Pas meshe, u organizua një drekë modeste e përbashkët, e pastaj të gjithë patën mundësi të vizitojnë këtë vend të pasur arkeologjik, të njihen me vlerat e historike, kulturore dhe shpirtërore që bartë Artana mesjetare.

 

Pak histori: Novobërda, një perlë e trashëgimisë kulturore e popullit tonë

Novobërda përmendet që nga shek. IV-II para Krishtit. Për të ishin të interesuar pa përjashtim të gjithë pushtuesit që erdhën në Dardani, që nga periudha antike. Që nga antikiteti Dardania u shqua me vepra monumentale sakrale të krishterimit siç janë: bazilikat, katakombet, afreskat, varrezat, mozaiqet, reliktet e ndryshme arkeologjike me tematikë krishtere etj. që shumica prej tyre shquhen me përmasa të jashtëzakonshme. Në dokumentet latine Novobërda është e shkruar si Novaberd, Novus Mons ose Novamonte.

Lashtësinë e Novobërdes si vend­banim e dëshmojnë edhe gërmimet arkeologjike  që janë bërë në rrethinat e Kalasë ku janë nxjerrë minerale të ndryshme të arit dhe argjendit, njëkohësisht pos Katedrales së Shën Nikollës, janë zbuluar edhe shumë kisha tjera. Një tjetër dëshmi që flet për lashtësinë e këtij vendbanimi, janë shkrimet e shkrimtarit dhe historianit Straboni (63-20) në veprën e tij “Geographica”, në të cilën shkruan për vendbanimin Scupi (Shkupit), Naissusit (Nishit) dhe përmend  edhe vendbanimin i Novobërdes.

Sipas të dhënave nga gjysma e parë e shek. XV bashkëkohësit theksonin madhështinë e Novobërdes dhe të ardhurat që vileshin nga despotet serbë, gjithashtu edhe më vonë nga perandoria osmane. Fjalën kryesore në këto aktivitete e kishin përfaqësuesit e popullsisë arbërore katolike, Saset, pastaj Dubrovnikasit, Kotorasit dhe tregtarët nga qytetet e tjera bregdetare të Adriatikut. Me organizimin urban, Novobërda kujton në një farë mase qytetet e Europës Perëndimore në mesjetën e hershme, ajo gjithashtu u bë qendër kulturore.

Sipas njoftimeve që na jep Marin Bici edhe pas pushtimeve turke ne shekujt e më vonshëm në Novobërdë popullata katolike kishte një kishë të ndërtuar mirë në atë vend, nga fjalët e tij, ajo mund të pranojë 1000 njerëz. Duhet të përmendim se kulmi në atë kohë ishte dëmtuar. Një kilometer më larg është një tjetër kishë, e bukur dhe e madhe, kushtuar Virgjërës Mari dhe mund të strehojë 3000 vetë.

Të dhënat e para perëndimore, për Novobërdën na vijnë nga Vatikani, që njëkohësisht janë edhe të dhënat e para mbi organizimin kishtar të kësaj famullie, që datojnë nga viti 1303, përkatësisht nga një letër e Papa Benediktit XI drejtuar argjipeshkvit të Tivarit, ku përmenden famullitë katolike, apo më saktësisht në një letër tjetër të Papa Klementit VI, që mban datën 7 janar të vitit 1346, e që i drejtohet Stefan Dushanit, mbretit të Rashës për uzurpimet që ua kishte bërë kishave katolike të Prizrenit, Novobërdës, etj. Siç del nga kjo letër, kisha famullitare e Novobërdës ishte nën juridiksionin e ipeshkvit të Kotorrit.

Jovan Cvijić ishte gjithashtu në zonën e Novobërdës. Duke e përshkruar këtë zonë, ai siguroi informacion mbi mbetjët e ndërtesave dhe kishave, gjurmët e të cilëve u varrosën ose mungonin në ndërkohë. Rreth kalasë dhe rrethinës së saj, thotë ai, “Ka një pus të vjetër në mes të qytetit të brendshëm; ne ende mund të shohim themelet e shtëpisë dhe të kishës që është vetëm në muret e qytetit … Pjesa kryesore e kështjellës ishte rreth lartësisë që tani quhet Bair dhe është drejtpërdrejt nën qytetin në anën verilindore. Ishte kisha e Shën e Premtës, tani e shndërruar në xhami. Ekzistojnë rrenoja të më shumë se katër kishave të njohura nga narteksi dhe altari. Padyshim që ishte kishë katolike sase nga ajo së çfarë mund të shihet nga rrënojat mbi fshatin Bostan, jashtë ne periferi nevaroshin e vjetër.” Por ky konstatim i Cvijić për kishën Katolike Sase është i paqëndrueshëm, sepse në Kishën Katolike nuk ka kisha nacionale. Nuk ka kishë katolike sase, dubrovnikase, kotorrase etj., por ka Kishë katolike siç është dhe vetë kuptimi etimologjik i fjalës, katolikos = i përgjithshëm.

Si përfundim, qyteti Novobërdës dhe Kisha Katolike e Shën Nikollës si dhe kishat tjera në Novoberdë, rreth e për çark, janë urëlidhëse të lashtësisë shqiptare që u dëshmua më shumë të dhëna të mjaftueshme arkeologjike dhe historike.

Mesha e sotme që u mbajt mbi rrënojat e Katedralës së Shën Nikollës në Novobërd është një rast i qëlluar historik dhe ideal për të ringjallur jetën kulturore dhe fetare të kësaj treve të lanun pas dore./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »