Mirënjohja, ilaçi më i mirë për zilinë

Aug 4 • Meditimi i ditës

4 gusht 2019 – E diela 18-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Kish 1,2; 2,21-23; Ps 94; Kol 3,1-5,9-11; Lk 12,13-21)

 

Prania e Hyjit
’Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh’.

Ja ku jam, o Zot.
Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.
Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria
Kur i shikon njerëzit përreth teje tani, a duken paksa të lodhur, të lodhur nga jeta e tyre? Ndoshta ti ndihesh paksa i/e lodhur, madje edhe tani kur po përpiqesh të lutesh – jo në formë – shumë i zënë me punë, shumë i/e preokupuar, shumë i/e lodhur. Por nëse kështu e gjen veten tani, thjesht pranoje atë ndjenjë dhe paraqitu, megjithatë, para Hyjit, ashtu si je. Dhe Zoti do të të dëgjojë dhe do të të pranojë, ashtu siç je.

 

Ndërgjegjësimi
E lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat vetjake,
që t`i hapem nëpërmjet këtij meditimi,
në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim.

Beso se Shpirti Shenjt është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Dëgjo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Kish 1,2; 2,21-23

 

2 Kotësi mbi kotësi, thotë Kishtari,

kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!

21 E njëmend ka njeri që punon me urti, me dije e me kujdes dhe gjithçka do t’ia lërë për trashëgim njërit që aspak për të s’është munduar. Ja, pra, edhe kjo është një kotësi dhe e keqe e madhe!

22 Sepse çka fiton ai prej të gjithë mundit të vet e prej tërë përpjekjes personale që e bëri nën diell? 23 Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi. Edhe kjo gjithashtu është kotësi!

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime lidhur me paragrafin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

Kotësi! Fjala tingëllon si një zile përmes këtij leximi të shkurtër, shtatë herë gjithsej. Kotësi, ose, siç mund të themi, pakuptimësi. Cili është qëllimi i gjithë kësaj? Urtësia, aftësia, puna dhe loja – gjithçka përfundimisht e kotë. A gjen ndonjë gjë te vetja jote që bie dakord me këtë?

Pyete veten një moment pse mendon se fjalë të tilla mund të ishin përfshirë në Bibël.

Si do të dëshiroje t’i përgjigjeshe këtij të ashtuquajturi Kishtari, Mësuesi, i cili t`i ofron këto mendime?

Ndërsa lexohet përsëri fragmenti biblik, provo dhe shiko nëse mund të bësh atë që Mësuesi po shpresonte nga jeta, përpara se të vinte në këtë vlerësim mjaft të zymtë.

 

Bashkëbisedimi

“Të gjitha ditët e jetës së tij kaluan në dhimbje, mund e kujdesim dhe as natën nuk mundi ta kalojë në qetësi.” Si u përgjigjet Zoti njerëzve që ndjehen si të tillë? Si të përgjigjet Zoti kur ndihesh kështu? Merre një moment tani për të dëgjuar se si po të përgjigjet Zoti.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Zot, sa i durueshëm je me ne ndërsa luftojmë kundër dëshirave tona tokësore. Ne duam më shumë dhe akoma më shumë … Me zili i shikojmë ata që na duket se kanë shtëpi më të mirë, punë më të mirë, mënyrë më të lehtë jetese. Na ndihmo që në vend të kësaj të dimë të jemi mirënjohës për atë që kemi, për mirësinë tënde ndaj nesh, dhe për shkak se jemi bij të Hyjit, bijtë dhe bijat e tu. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »