Kungimi i shenjtë të aftëson për marrë-dhënie

Aug 5 • Meditimi i ditës

5 gusht 2019 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Nr 11,4b-15; Ps 81,12-17; Mt 14,13-21)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe rëndësinë e pranisë sate.

 

Liria

I ëmbël është vetë mendimi për Jezusin; duke i dhënë gëzim të vërtetë zemrës.

Por Prania e tij është më e ëmbël se mjalti më i ëmbël.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Dëgjoje tekstin nga Ungjilli me mend e zemër
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

– – – 

Mt 14, 13-21

 

13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.

15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë:

“Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.”

16 Jezusi u përgjigj:

“Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!”

17 Ata iu përgjigjën:

“S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”

18 Jezusi vijoi:

“M’i sillni këtu!”

19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar.

I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.

20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Jezusi i lë poshtë turmat e njerëzve dhe pastaj ngjitet në mal për t’u lutur. Si të bëjnë të ndjehesh veprimet e Jezusit këtu? Ai krijon hapësirë për veten e vet në fund të një dite të mbushur me shumë gjëra. A e sheh këtë si një sfidë?
  • Ky ungjill dhe të gjithë të tjerët flasin për një liri të Jezusit. Ndjekësit e tij do të flasin për të, madje kur ecte përmbi ujë dhe kur iu urdhëronte erërave. Si i kupton këto fjalë për Jezusin?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri fragmentin biblik, çfarë po vë re për Jezusin dhe si kalon ai gjatë jetës?

 

Bashkëbisedimi

Këtu Jezusi i sfidon nxënësit që vetë “ta ushqejnë” një numër të madh njerëzish. A është kjo vetëm një aluzion (shenjë paralajmëruese) se si Jezusi e jep vetveten për ne në Eukaristi? Aludohet se ne nga ana tjetër do të kushtohemi, do të jepemi për të tjerët, si buka që merret, bekohet, thyhet dhe ndahet me të tjerët. Marrja, pranimi i Eukaristisë, kungimi të shenjtë, ka një dimension mbresëlënës! Bisedo për këtë me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. O Atë, na ndihmo t`i ndajmë dhuntitë tona me njëri-tjetrin. Na ndihmo, që të ndajmë me të varfrit atë që kemi. Na çliro nga dëshira për t`u identifikuar me atë çfarë kemi. Çdo gjë e mirë është një dhuratë prej teje, e dhuratat duhet të ndahen me zemërgjerësi. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »