Shugurimi i Kishës së Shën Jozefit në Pjetërshan

Aug 5 • Kisha në Kosovë

Të shtunën, më 3 gusht 2019, në ora 18:00 është shuguruar kisha famullitare e Shën Jozefit në Pjetërshan. Meshën e shugurimit e ka udhëheq ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëkremtim me meshtarë të dioqezës, të përcjellë nga populli i Zotit dhe murgesha të kongregatave të shumta.

Famullia e Shën Jozefit në Pjetërshan, e cila më parë ishte filiale e Famullisë së Bishtazhinit, është themeluar në vitin 2002. Famullitar i parë ishte Don Franë Kola (2001-2007), i cili e filloi rinovimin e kishës, pastaj Don Tomë Karrica (2007-2017), i cili e vazhdojë përfundimin e saj, kurse tani në kohën e famullitarit të ri Don Marjan D. Ukaj, po shugurohet. Një gëzim i madhe i kësaj bashkësie të re, për këtë tempull të Zotit, në të cilën kryejnë shërbesën e shenjtë të eukaristisë dhe sakramenteve të tjera.

Në homelinë e meshës Imzot Dodë Gjergji, e filloi duke i falënderuar të gjithëve për kontributin e tyre që kjo kishë të bëhet e gatshme për shugurim: “Është një ecje e gjatë e punës së duarve tuaja për ta prurë këtë kishë në një gjendje, që të mund ta quajtur në të vërtetë shtëpia e Zotit. Pas pak do ta shuguroj altarin e kësaj kishe dhe muret (kryqet), në mënyrë që vend të jenë të shenjta, të kushtuara Zotit.”

E si mund t’i shenjtërojmë këto mure? Pyeti Imzot Dodë Gjergji, dhe e dha menjëherë përgjigjen: “Me fe dhe me pushtetin që na është dhënë prej Zotit tonë Jezu Krishtit. Për këtë e falënderojmë Zotin, sepse kjo është kisha e katërt këto kohët e fundit, që po e shugurojmë në dioqezën tonë. Kemi filluar një epokë të re të jetës së kishës në vendin tonë, duke i dhanë një mundësi më të madhe jetës shpirtërore të besimtarëve.”  

Kjo është dita që na ka dhuruar Zotit – tha ipeshkvi – duke e treguar rëndësinë e kushtimit të një kishe për bashkësinë e besimtarëve, t’u e shpjegua ritin e shenjtë dhe rëndësinë e saj të madhe. Këtë akt të shenjtë të Kishës, e quajti ipeshkvi, akt lavdërimi dhe falënderimi dhënë Zotit. Përmes këtij akti të shenjtë, ne besimtarët bëhemi pjesë e dashurisë së Zotit, e cila na pastron jetën tonë mëkatare. 

Famullitari Don Marjan D. Ukaj, në mbarim të meshës, falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj kishe, besimtarë të famullisë së Pjetërshanit, por edhe ata jashtë saj. Dy famullitarëve të mëparshëm, gjatë së cilëve u ndërtua kjo kishë, Don Franë Kolës dhe Don Tomë Karricës, ju nda nga një mirënjohje nga famullia.

Pas meshe ishte organizuar një darkë për të gjithë të pranishmit, të shoqëruar me një program argëtues nga të rinjtë dhe fëmijët e famullisë./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »