Kujtimi shndërron

Aug 6 • Meditimi i ditës

6 gusht 2019 – E martë, Shndërrimi i Zotit (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 7,9-10.13-14 (ose: 2Pt 1,16-19); Ps 97,1-2.5-6.9; Lk 9,28b-36)

 

Prania e Hyjit

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Më përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
i vështroj të gjithë ato gjëra që më kanë ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
I kujtoj të gjitha ndodhitë që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

– – – 

Lk 9, 28b-36

 

Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur.

29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.

30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të; 33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit:

“Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte.

34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im ‑ i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!”

36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm.

Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.

– – – 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Në udhëtimin tonë drejt Hyjit, i kemi majat tona ku toka është e shenjtë. Ashtu si Pjetri, edhe ne duam që ato të zgjasin përgjithmonë. Por Jezusi,vetëm Jezusi”, na zbret poshtë kodrës dhe na përgatit për kohë të vështira që na presin duke jetuar nga kujtimi i shndërrimit afat-shkurtër.
  • A mund ta kujtoj ndonjë nga majat e mia?
  • Pjetri, Jakobi dhe Gjoni ishin të këputur për gjumë, por duke qëndruar zgjuar e panë lavdinë e Jezusit! Përsëri do t`i kapë gjumi në Gjetseman. Në Bibël, një gjumë i tillë do të thotë se nxënësit s`e kanë kuptuar Jezusin dhe marrëdhënien e tij me Atin. Jezusi u la vetë për të kryer veprën e shpëtimit, pa ndihmën e tyre.
  • Jezus, sa herë sytë tanë i kemi të mbyllur dhe të fjetur ndërsa ecim me ty gjatë jetës? Sa shpesh veshët tanë janëmbyllur për Fjalën tënde, që na shqipton nëpërmjet bashkëbisedimeve tona të përditshme? Gjatë kohës që e dëgjoj edhe një herë Shkrimin e shenjtë, e lus Zotin që Fjala e tij të mbesë e zgjuar, e gjallë dhe vepruese në ne çdo ditë ndërsa udhëtojmë së bashku me të.

 

Bashkëbisedimi

Në të gjitha momentet sakramentale ata që i duam i shohim në dinjitetin e tyre si qenie njerëzore, bij dhe bija që Hyji i do – shohim ëndrrat për fëmijën  e përsosur në pagëzim, bekimin me dhurata për krezmim, bukurinë e faljes në sakramentin e pajtimit, ngrohtësinë e brendshme në kungim, shpresën e shërimit në vajimin e shenjtë, dinjitetin e besëlidhjes – dashurisë në martesë, bukurinë e shërbimit në sakramentin e urdhrit të shenjtë – meshtarisë.

Rrobat e bukura nganjëherë na ndajnë frymën. Pjetri, Gjoni dhe Jakobi ishin të privilegjuar ta shihnin Jezusin në dinjitetin e tij të plotë.

A e ke parë ndonjëherë dikë që e do në dinjitetin e tij të plotë? A mund të kujtohet ndonjë moment i tillë? Bisedo për këtë me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak minuta vetëm me ty. Nxënësit ishin të privilegjuar ta shikonin Jezusin në lavdi, ta kuptonin se miku i tyre mund të jetë krejtësisht me ta dhe me Hyjin. Jezusi pa se përvoja i kishte pushtuar, u tha ta mbanin atë në zemër ndërsa po ktheheshin në jetën e përditshme.

Po të falënderoj, o Zot, për frymëzimin dhe inkurajimin tënd kur e kam zbuluar këtë në lutje. Bëj, që këtë të mund ta kultivoj në jetën e përditshme, kështu që sa më mirë të mund të jem më afër edhe Teje edhe miqve të mi. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »